Ministrja Kodheli, leksion në Universitetin Luarasi


Ministrja Kodheli: Është i mirëpritur çdokush prej jush që mbaron një universitet të provojë të vijë pjesë e FA. Ne kemi shumë nevojë për njerëz të shkolluar dhe ju siguroj që trajtimi që ju bëhet, sidomos njerëzve të shkolluar që dalin nga universitete të një niveli të caktuar, siç jeni ju që jeni prezent në sallë, do t’ju bëjë të keni mundësira të pafund.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli  “rikthehet” te “Luarasi”, për të mbajtur një leksion të hapur rreth buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2015. Ministrja Kodheli u rikthye në sallat e këtij universiteti, pas eksperiencës së saj si pedagoge, ndërkohë që nuk la pa përmendur emocionin që ndjeu para se të fillonte prezantimin. Pas përshëndetjes dhe falenderimit që i drejtoi rektori i këtij universiteti, Prof. Asoc. Dr. Irakli Koçollari, znj. Kodheli mbajti në Universitetin “Luarasi” leksionin e mëposhtëm.

E falënderoj Prof. Irakliun për fjalët shumë të dashura, ndofta dhe të pamerituara, në drejtim të personit tim. Unë do ta konsideroja veten tashmë një financiere të vjetër, pasi bëj pothuajse 30 vjet punë në këtë profesion. Ai është profesioni që kam djersitur më shumë se të gjithë profesionet e tjera. Kam dhënë mësim në Universitetin “Luarasi”; kam pasur nderin të jap mësim në një universitet si ky dhe më mungon aula, më mungojnë studentët. Ju duhet të dini që përfitimi më i madh në raportin midis profesorit dhe studentit nuk është studenti, por është profesori, sepse ai mëson shumë më tepër gjatë procesit të mësimdhënies, sesa ju mësoni nga një profesor. Ajo çka është akoma më e rëndësishme për çdo individ, e mban profesorin më të ri, sepse komunikimi me brezin e ri është një nga gjërat më pozitive që mund t’i ndodhi dikujt në jetë, sidomos dikujt në një moshë mature siç jam unë. Dikur, në vitet e para të mësimdhënies, thoja që unë kam një djalë që është në moshën tuaj; tani mund të them që unë kam një djalë që nuk është në moshën tuaj, është më i madh sesa ju. Kjo më bën akoma më shumë përgjegjëse për gjërat që do ndajmë bashkë dhe për mënyrën sesi unë do trajtoj një çështje që ka interes publik, për aq kohë sa flitet për buxhetimin e një institucioni shumë të rëndësishëm, siç është Ministria e Mbrojtjes, që unë sot drejtoj.  Dhe do ta vështrojmë nga një këndvështrim tjetër, nuk do ta shikojmë nga këndëveshtrimi mirëfilli militar, por nga një këndvështrim tjetër.

Çfarë raporti ka MM me financat publike? Si bëhet procesi i buxhetimit, sa i rëndësishëm është ky?

E fillojmë më një shkencëtar, një akademik prej vërteti, që është një profesor i famshëm, Rosen, i cili ka një libër të titulluar “Financat Publike”. Ndokush prej jush mund ta ketë lexuar këtë libër shumë të rëndësishëm për bazën teorike të formimit të një financieri apo ekonomisti. Ai flet për të mirën publike edhe për të mirën private dhe bën një krahasim sa modest e domethënës. Krahason të mirën që vjen nga konsumi i një pice dhe përfitimin që vjen nga mbrojtja e vendit. I vë këto të dyja përballë; duket sikur s’kanë lidhje, por në fakt kanë. Ne përfitojmë të mirë nga të dyja këto produkte, por shpeshherë në perceptimin popullor mbrojtja është një e mirë, e cila përfitohet. Pra, t’i duhet të jesh i sigurtë se është normale të jesh kështu, dhe është e drejtë që sa më shumë të jenë konsumatorët, mbrojtja duhet të jetë e njëjtë, nuk varet nga tregu, as nga kërkesa as nga oferta, duhet të jetë aty dhe ta përfitojnë të gjithë. Është një e mirë që konsumohet me risk 0 (zero). Çdo qytetar i Shqipërisë, se po flasim për mbrojtjen brenda territorit tonë, duhet ta marrë këtë të mirë dhe, çdo pëllëmbë e territorit duhet të jetë e sigurtë dhe e mbrojtur. Që kjo e mirë të përfitohet dhe të jetë në ato nivele që duhet dhe kërkohet për shkak të kushtetutës dhe të drejtës që i lind çdo qenie humane për të qenë mjaftueshmërish i mbrojtur, duhet të harxhohen ca para, shpeshherë shumë para, për të mundësuar një cilësi më të madhe të këtij shërbimi, një shtrirje në çdo kënd të vendit të këtij shërbimi, por edhe të një detyrimi që ne na rrjedh për shkak të të qenit një vend anëtar i Aleancës së Atlantikut, rëndom e quajtur NATO.

Kemi disa detyrime, duke filluar nga ato kushtetuese, misioni ynë kushtetues, tek detyrimet NATO, misionet e përbashkëta e të tjera me radhë. Do të mundohem të cek të gjitha gjërat që për ju janë aq interesante dhe të nevojshme që t’i njihni në mënyrë që të mund të mbërrijmë atje ku duam. Unë do të shpjegoj pse është i rëndësishëm buxhetimi i MM dhe FA, pse është e rëndësishme transparenca dhe mënyra se si këto para harxhohen dhe sa efiçente janë këto para ku shpenzohen. Ku mund të përmirësojmë, ku mund të rrisim, ku mund të fokusohemi dhe ku mund të shfrytëzojmë një proces që quhet Smart Defence, ide kjo e hedhur më së pari nga ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO Rasmussen, i cili duke parë barrën e madhe që i vihej buxhetit të çdo vendi të NATO për shkak të shpenzimeve në armatim, municion, përgatitje, trajnim ushtarakësh, hodhi idenë Smart Defence.

Ju të gjithë jeni të njohur me konceptin, sepse është një koncept bazik që e mësoni herët, që është kosto oportune. Gjithkush bën atë që di më mirë të bëjë dhe me kosto më të ulët, pastaj bashkëpunimi sjell një produkt; sjell një unitet ushtarak, sjell një shërbim brenda të cilit ka disa elementë të të gjithë vendeve anëtare të NATO, të cilët pastaj konkludojnë në një mision të përbashkët. Ne dërgojmë djem dhe vajza në Afganistan që është një nga misionet më afatgjata paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO. Aty ka djem dhe  vajza që vijnë jo vetëm nga 28 vendet anëtare të NATO, por dhe nga vendet partnere dhe të gjithë duhet të kenë një objektiv misioni, të gjithë duhet të flasin me një gjuhë, të gjithë duhet të dinë se ku e kanë vendin, të gjithë duhet të kenë një komandant. Çdo unitet ushtarak ka një komandant, ky komandanti mund të jetë, po themi p.sh. kroat, në një kohë që ushtarët janë shqiptarë, italianë, kandadezë, madje dhe partnerët australianë. Pra Smart Defence është një risi e re për të mundësuar jo vetëm efikasitet të lartë të misioneve dhe kosto më të ulët, kur flasim për kosto të ulët kemi parasysh që kostot fillojnë nga jetët njerëzore pastaj vazhdojmë me kostot e tjera, deri tek shfrytëzimi sa më mirë i parave publike sepse jetojmë në austerity time, jetojmë në kushtet kur ekonomitë botërore kanë kaluar kolapse dhe vështirësi të mëdha financiare, janë përballur me shpenzime publike tejet të ekzagjeruara, me borxh publik nga më të lartat që njeh ekonomia e tregut që kur ka lindur, me defiçite të pakontrollueshme. Këtu nuk flasim vetëm për vende dhe ekonomi të brishta, siç është ekonomia shqiptare, por flasim për vende dhe ekonomi të zhvilluar, duke filluar nga ekonomia e SHBA e deri tek më modestet.

Vijmë tek buxheti. Padyshim që ju të gjithë e dini që ka një ligj organik të buxheti, ose ligji i sistemit buxhetor, i cili rregullon gjithë këtë procedurë. Siç e thashë më parë jemi në procesin e miratimit, diskutimit në komisionet parlamentare dhe të miratimit nen për nen të buxhetit të vitit 2015. Më vjen mirë që kemi respektuar jo vetëm afatet ligjore, si qeveri këtë herë, por jemi brenda disa limiteve kohorë, të cilat do të na mundësojnë hapjen, fillimin e procesit të shpenzimit të parave për vitin 2015 që nga janari dhe jo nga marsi siç ishte bërë zakon më përpara. Ne do ta mbyllim procesin e miratimit të buxhetit në fund të muajit nëntor dhe do të mundësojmë hapjen e fondeve që nga janari, në mënyrë që të kemi të gjitha mundësitë që jo vetëm të kalojmë në procesin e zbatimit të investimeve, por edhe në rast të ndonjë rialokimi për shkak të shtimit të të ardhurave, ashtu siç ndodhi edhe në 3-mujorin e fundit të këtij vitit. Pra,  bazuar në të gjitha procedurat ligjore, sidomos ato të tenderimit që janë pak të zgjatura, të kemi mundësinë e rialokimit të burimeve dhe shfrytëzimit në maksimum të të gjithë fondeve. Sepse ju duhet të dini një gjë: ka një diferencë shumë të madhe dhe problem në fund të vitit, që është mosrealizimi i investimeve që vjen për shkaqe të ndryshme, por nuk ka gjë më të trishtë sesa të kesh paratë dhe të mos mund të dish t’i shfrytëzosh, për të mos folur pastaj për përdorimin efiçent të tyre për të cilin do të flas pak më vonë. Ju e dini që një nga parimet bazë të harxhimit të parave është parimi i transparencës. Ky parim është sa fisnik edhe i thjeshtë për t'u zbatuar por edhe aq i vështirë. Ju siguroj që këtë e bëjnë të vështirë njerëzit që duhet ta zbatojnë. Është shumë e rëndësishme që, në procesin e transparencës dhe shpjegimit në publik, apo edhe tek institucioni më i lartë që miraton buxhetin, që është Parlamenti, të mund të shpjegohet në detaje. Pse? Sa? Si? Kur? Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, nuk do lodhem së thëni, është shfrytëzimi efiçent i parave të taksapaguesve shqiptarë. Pse i mëshoj këtij detaji? Do mundohem të shpjegoj çfarë ka ndodhur me buxhetin e Mbrojtjes gjatë këtyre viteve.

Po e nis diskutimin nga eventi më i rëndësishëm i këtij viti: Samiti i Uellsit. Në Samitin e Uellsit, kryetarët e shteteve apo qeverive kanë marrë një angazhim, që është i shtrirë me një afat kohor deri në vitin 2020, buxhetet e MM respektive të 28 vendeve të NATO të tentojnë të shkojnë 2% e produktit të përgjithshëm (GDP). Po mirë do pyesni ju, 2% e GDP kur ne harxhojmë kaq përqind për arsimin? Ose kur nuk ka akoma ilaçet që duhet të kenë spitalet, qoftë dhe ato bazike? Vijmë tek fillimi i diskutimit. Po, por mbrojtja nuk duhet të marrë for granted, se ekonomitë kanë gjithmonë një problem më të madh që është tregu i punës. Është shumë i vështirë tregu i punës sot, bëhet gjithmonë e më i pamundur, ka gjithmonë dhe më shumë konkurencë dhe hapja e fronteve të reja të punës është pazgjidhshmërish e lidhur me investimet e kapitalit, jo domosdoshmërish burimet e brendshme e mundësojnë këtë gjë, atëherë duhen investime të huaja. Por që një investim i huaj të vijë, qoftë edhe ai i brendshëm, çfarë duhet të shikojë tek një vend si Shqipëria, pasi i ka rënë lapsit që këtu tregu i punës ka kosto me të ulët se një vend tjetër? Unë mendoj një dhe vetëm një është në top-listë: siguria. Më thoni ju, kush do ishte sot një njeri që do kishte pesë lekë për t’i investuar dhe do të shkonte t’i investonte në një vend si Siria, Libia, Iraku, në një qytet si Kobani. Nuk besoj që ndonjëri mund të çonte qoftë dhe një lek në një vend ku siguria është totalisht fjala më e paduhur në atë vend në këtë moment. E ekzagjeroj diskutimin për të ardhur tek diskutimi ynë. Siguria nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë fizike të çdo qytetari shqiptar apo me sigurinë e kufijve tanë. Ne jemi një vend anëtar i NATO, mbrohemi kolektivisht, nuk guxon të na prekë kush, sepse do të futeshin në lojë të gjithë aleatët. Ndërkohë duhet t’i përgjigjemi aleatëve në misione të përbashkëta, duhet t’i përgjigjemi patjetër dhe detyrimit tonë kushtetues brenda vendit.

Pra, janë pazgjithshmërisht të lidhura situatat me njëra-tjetrën. Buxhetimi i MM ka disa specifika, sepse thuhet shpenzime për armatim. Po t’i hapni ato letrat e Ministrisë, shumica janë të klasifikuara, që do të thotë ka një kod, janë sekret, janë konfidenciale, janë tepër sekret, por ajo çka duhet gjithmonë të jetë publike dhe transparente është detyrimi kushtetues, detyrimi NATO. Ja ku është përgjigjja jonë! Ne kemi një detyrim në NATO: pajisja e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë. Si Forcë e Armatosur ne kemi: Forcë Tokësore, Forcë Ajrore dhe Forcë Detare. Brenda Forcës Tokësore ka një batalion, i cili duhet të jetë i gatshëm, i trajnuar, i edukuar, i stërvitur dhe i pajisur me armatim sa herë që kjo të kërkohet, kudo që kjo të kërkohet, bazuar në vendimin e përbashkët NATO. Për të gjithë ata që nuk e dinë, vendimet e NATO janë të gjitha unanime. Në qoftë se dhe një vend modest si Shqipëria nëse ka një kundërshti që lidhet me një vendim, vendimi nuk mund të merret dhe në momentin që ky vendim merret, ne duhet të jemi të gatshëm.

Çfarë ka ndodhur me FA tona deri dje? Kanë shkuar djemtë dhe vajzat tona të përgatitur, ju siguroj mund të jetë ushtar i thjeshtë dhe flet më mirë anglisht se shumë prej jush që shkoni në universitet. Pra, po flasim për njerëz që jo domosdoshmërish kanë universitet, por kanë disa cilësi ekstra. Përveç këtyre ekstra cilësive, këta djem dhe vajza duhet të kenë dhe ekstra armatim. NATO përdor një mënyrë armatimi dhe municioni që është mbrojtëse, jo sulmuese. Çfarë është diferenca? Ju i përkisni një brezi që nuk ka lidhje fare me një pushkë, e cila shpesh herë na e ka bërë kallo mua dhe brezit tim supin, që ishte famëkeqi kallashnikov. Fuqia shpuese e kallashnikovit është shumë herë më e madhe sesa e armëve të standardit të NATO, sepse arma ka qenë mësymëse. Pra, filozofia sot e një vendi anëtar në NATO është sa fisnike, aq edhe e drejtë që të respektohet, ne mbrohemi nga keqdashësit.

Vijmë tek transparenca. Ju thotë gjë arma M4? Kjo armë kushton dhe ne po e fusim këtë në pajisjen tonë dhe ky vit që vjen na gjen me kompletimin e këtij batalioni me të gjithë armatimin e NATO. Ne jemi shumë krenarë që e mundësojmë këtë në kushtet kur buxhetin e kemi ekstremisht shumë të limituar. Fundi i vitit 2013 na gjeti me një buxhet që nëpër letra thuhej që ishte 1,4% e GDP (shpenzim mbrojtje), në fakt brenda 2-3 muajve na është dashur të punojmë fort për të hequr 0,3% të GDP në këtë shumë, e cila i takonte pensioneve të ushtarakëve. Pra, më parë i ishte thënë NATO, ne harxhojmë 1,4 %, jemi në 5 vendet që harxhojmë më shumë për ushtrinë, në fakt në këtë 1,4%, 0,3% ishte vetëm fond pensionesh. Fondi i pensioneve nuk ka lidhje me shpenzimet mirëfilli ushtarake. Fondi i pensioneve duhet të rrijë ku rri gjithë fondi i pensioneve, cilët do qofshin ata. Pra, pastruam llogarinë MM në raport me GDP nga ky element abuziv. Po ta shikoni trendin e shpenzimeve buxhetore në raport me GDP është zbritur nga 1,33 në 1,02 në fund të viti 2014.

Le të kthehemi tek viti 2015. E kemi më të ulët. Do thoni ju si mundet të justifikoheni që Samiti i Uellsit ka kërkuar dhe Shqipëria ka firmosur një trend në rritje të shpenzimeve? Kam justifikimet e mia për këtë gjë nga këndvështrimi jo vetëm i politikanit, por nga këndvështrimi i ekonomistit dhe financierit që jam. E kam thënë edhe në diskutimin që patëm në Komisionin e Sigurisë. Deklaroheshin miliona dhe miliarda lekë shpenzime për Ministrinë e Mbrojtjes.

Po ju sjell një shembull, po e përsëris, si është shembulli, e dini pse?! Jo për të marrë kredite politike, po sepse  më dhemb. Unë jam një taksapaguese si gjithë të tjerët. 700 mijë euro është paguar për një vinç që nuk ka ngritur as edhe një letër. Pra 700 mijë euro dhe këto ishin tek  buxheti i madh që shfrytëzohej për  ushtrinë. Jo, them unë! Në qoftë se do të vazhdonim  të keqpërdorim edhe sot, siç janë keqpërdoruar,  unë them, JO! A do kisha  dashur buxhet më të madh? Sigurisht, po. Kush ministër nuk do të donte të kishte buxhet më të madh?! A mbyllen hallet dhe vrimat?! Asnjëherë! Por unë them PO, që unë do ia mbërrij dhe, ne do t’ia mbërrijmë dhe, stafi ynë do t’ia mbërrijë dhe, Forcat e Armatosura me Shtabin në krye do t’ia mbërrijnë, se ne do dimë të shfrytëzojmë me efiçencë të plotë paratë që na janë dhënë sivjet. 

Ju  them dy elementë shumë të rëndësishëm: ju e dini që ne jetojmë në një situatë gjeopolitike të vështirë. Shyqyr Zotit nuk ndihet shumë në Shqipëri, por ju siguroj që është e keqe, por që kjo situatë të mbahet larg, ne duhet të punojmë fort. Jo ju, por neve. Ndaj, me gjasë, misionet mund të shtohen. Atëherë, megjithëqë unë sot e kam buxhetin rreth 0,83-0,84% të GDP,  brenda kësaj shume do të trefishojmë shpenzimet në misione. N.q.s. shpenzimet në misione kanë qenë 300 milion lekë, do të shkojnë 800 milion lekë, për të mos thënë 900 milion. Pra, ne do të kemi trupa më shumë të gatshme për t’i çuar në mision për shkak të situatës, për  shkak të  rrezikut që vjen nga jugu dhe lindja e kufijve NATO. Sepse duhet të dini, një kufi NATO që preket ne jemi të përfshirë, ashtu sikundër një kufi i yni të preket, NATO është e gatshme. Pra, është e njëjta gjë.

Dhe meqë  erdhëm këtu ta çtensionojmë pak seriozitetin e diskutimit të buxhetit. E dëgjuat ju para ca kohësh një  të ashtuquajtur  shpërthim që dëgjuan banorët e Durrësit që ne e identifikuam menjëherë? Të mos e kishim identifikuar do thoshin që kanë zbritur UFO apo alienë. Shqipëria mbrohet, policohet nga pikëpamja ajrore, pra Policimi Ajror i Shqipërisë bëhet nga aleatët. Atë ditë, një  avion civil (në mos gaboj vinte nga Anglia), fluturonte mbi Ballkan, për të mbërritur në jug të Europës. Të gjithë avionët (apo objekt fluturues) duhet të ketë një vegël, e cila e identifikon kur fluturon, ndryshe asnjë radar nuk mund ta kapi këtë objekt fluturues, madje, i dihet dhe trajektorja. Për arsye që ne nuk duhet t’i dimë, piloti e kishte  fikur transponderin diku që sapo kishte kaluar Italinë. Ai do fluturonte mbi Ballkan, Podgoricë, Shqipëri, Greqi dhe më poshtë. Kjo ishte linja. Në momentin që ai nuk i është përgjigjur kullave të komandimit, sidomos asaj në Milano dhe në Romë, njoftohet një ndër bazat ajrore në Itali, e cila merr miratimin për ndjekje nga një Qendër e Komandimit Ajror që ndodhet në Spanjë. Janë nisur dy avionë supersonikë nga aeroporti ushtarak Gioia del Colle në drejtim të avionit civil të panjohur. Për 6 minuta këta dy avionë e kanë mbërritur avionin civil që fluturonte në itinerarin e mësipërm dhe e kanë detyruar, duke e shoqëruar avionin civil, të ndizte aparatin në mënyrë që të identifikohej dhe këtë e kanë bërë për sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Më pas e kanë shoqëruar sa ka dalë në Greqi, (pasi Greqia e siguron vetë mbrojtjen e saj ajrore) dhe në kthim këta avionë që e kanë shpejtësinë më të madhe se shpejtësia e zërit, kanë shkaktuar efektin e boom-it sonic dhe është dukur sikur kanë shpërthyer bomba gjithëandej. Në fakt, ata kanë marrë kthesën për t'u futur në bazë. Por që këta djem janë ngritur, që ata avionë kanë fluturuar, që e kanë  shoqëruar, është e gjitha një kosto që hyn tek buxhetimi për NATO. Ndaj dhe ne duhet me dinjitet të jemi pjesë (ashtu siç do jemi) e këtyre operacioneve, e këtyre shpenzimeve, që për fat të keq shpeshherë janë konsideruar (ndofta për shkak të mostransparencës, të mosnjohjes apo edhe abuzimeve të mëparshme me pushtetin) si të panevojshme, të pavlefshme, si të dyshimta.

Dy-tre gjëra të tjera që doja të shtoja në lidhje me buxhetimin e Ministrisë së Mbrojtjes:

Ne do të vazhdojmë të ruajmë nivelin e operacionalitetit që kemi, do të vazhdojmë të ruajmë nivelin që na kërkohet në misione të përbashkëta. Ajo që është më e rëndësishme, do vazhdojmë ta modernizojmë FA, e cila kalon në një proces transformimi, ashtu siç kalon e gjithë shoqëria shqiptare, e cila ka trashëguar qoftë në mentalitet, qoftë konkretisht reminishenca të së kaluarës që mendoj se nuk na nevojiten më. Do ta pastrojmë ushtrinë nga reminishencat e fundit dhe do të shikojmë vetëm drejt së ardhmes. Të paktën në këtë fushë ne jemi sa dinjitozë aq dhe të barabartë me homologët dhe me kolegët tanë. Kjo është një gjë, që në fakt duhet të na bëjë krenarë. Unë ju siguroj që, jo vetëm për shkak të besimit që kam që në Shqipëri gjërat bëhen dhe do të bëhen më mirë, por edhe për shkak të profesionit tim të parë (financier), të mund të gjejmë mënyrat, xhepat për të mundësuar një buxhetim më mbështetës. Kemi filluar ta bëjmë këtë gjë duke i kërkuar qeverisë dhe duke marrë prej saj një vendim për të ardhurat dytësore, të cilat të mund t’i përfitojmë jashtë buxhetit, ku me ligj ato do të përdoren vetëm në investime dhe në modernizimin e ushtrisë dhe nuk mund të shpenzohen në forma dhe rrugë të tjera. Kanë qenë këto të ardhura që shkonin 90% në buxhet dhe pastaj 10% na takonin ne. Tashti ky raport është përmbysur, ku 90% i mbeten të ardhura dytësore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe 10% i kalon buxhetit. Me këto të ardhura dytësore ne do të bëjmë dy gjëra: jo vetëm do të rrisim nominalisht të ardhurat që përdorim për mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë dhe FA, por do të përmirësojmë strukturën.

Dy fjalë për strukturën. Problemi është cilat janë raportet në të cilat kryhen këto shpenzime. Shpenzimet ndahen në tre grupe të mëdha që janë: investimet, shpenzime korrente dhe paga, sigurimet shoqërore. Përgjithësisht, për shkak të mungesës së automatizimit, për shkak të mungesës së modernizimit, zëri paga, sigurime ne na rëndon jashtë mase shumë. Ka një perceptim të tillë, që: "jo, nuk e vëmë kamerën se na ikin dy vende pune". Automatizmi, modernizimi dhe teknologjia e përparuar vërtet zëvendëson apo ul nevojën për fuqi punëtore. Por çfarë bën? Ti nuk mund ta zgjidhësh këtë duke e lënë fuqinë punëtore atje duke mos avancuar në teknikë. Ti duhet të rrisësh nivelin e dijes së atij që punon në mënyrë që ta kthejë aparaturën në funksion të produktit që nxjerr, në funksion të të mirës personale dhe kolektive dhe, jo e kundërta. Dhe automatizimi dhe modernizmi në FA e ka ulur numrin e ushtarëve dhe të ushtarakëve. Pse? Ju shikoni filma dhe keni shumë informacione, i keni parë Forcat Speciale, janë  disa supermen. Ai di gjithçka, përdor gjithçka, ai është një robot dhe po ta shikoni në pamje një ushtar profesionist të Forcës Speciale të suportuar dhe të mbështetur nga gjithë teknika që duhet ai është supernjeri, por ky supernjeri bën sa për 10 të dikurshëm, pra kjo është tendenca. Prandaj ju them që një ushtar minimalisht flet anglisht më mirë se ju, përndryshe atje tek fusha e betejës nuk flet dot shqip.

Pra, automatizimi në njërën anë dhe modernizimi në anën tjetër do ta ulë peshën specifike që zë zëri paga dhe sigurimet shoqërore, në raport me të tërën. Kjo është një kërkesë e samitit të Uellsit, kjo është në funksion të rritjes së zërit të investimeve. Ata e kërkojnë minimalisht brenda shpenzimeve, minimalisht 20% të investimit. Trendi është pozitiv, rritja e investimeve në funksion të modernizimit të kësaj trupe është shumë e rëndësishme. Por nuk do të rriten investimet duke blerë vinçin 700 mijë euro që nuk ka ngritur as një letër deri tani. Do të investojmë në armatim që është shumë e rëndësishme. Do të investojmë në municione, do të investojmë dhe në trajtimin e munguar të FA, me paga që janë të një niveli jo të kënaqshëm, me strehim, sepse ju e dini, ata lëvizin, marrin familjen me vete, shkojnë, vijnë, pra kanë një jetë, jo brenda kuadratit të jetës normale që gjithkush prej nesh bën. Kjo e vështirëson akoma dhe më shumë mënyrën se si dhe sa duhet të trajtohen. Jemi në rrugën e duhur, ftesa ime e fundit është: "Është i mirëpritur çdo kush prej jush që mbaron universitetin të provojë të vijë pjesë e FA".

Ne kemi shumë nevojë për njerëz të shkolluar dhe ju siguroj që trajtimi që i bëhet, sidomos njerëzve të shkolluar që dalin nga universitete të një niveli të caktuar, siç jeni ju që jeni prezent në sallë, do t’ju bëjë të keni mundësira të pafundme. Sepse shumë prej ushtarakëve tanë trajnohen dhe studiojnë jashtë, në akademitë më të mira botërore, sepse ndjenja e të shërbyerit ndaj atdheut dhe qytetarëve të tu është një ndjenjë që as nuk mund të blihet dhe as gjendet në rrugë. Është një ndjenjë që gjithkush nga ne, jo vetëm duhet ta ketë, por duhet ta zhvillojë dhe më mirë sesa brenda FA nuk do ta zhvillonte asgjëkundi.

Në qoftë se ne flasim për kostot fee që ne përdorim si vend anëtar i NATO, këta janë kosto relativisht të papërfillshme për shpenzimet totale që ne bëjmë. Unë ju siguroj përfitimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO lidhur me sigurinë janë më të mëdha sesa kostot që ne paguajmë. Ju solla një shembull të dy avionëve supersonikë, të cilët për një detaj kaq të vogël, për një avion të paidentifikuar në qiejt e Shqipërisë, u ngritën dhe u ulën. Sikur t’iu them se sa ka kushtuar ngritja dhe ulja, ju siguroj që është 1 e 20 e buxhetit që shpenzon Shqipëria për Forcat e Armatosura gjatë gjithë vitit.

Duhet të dini diçka, kur Shqipëria listohet në “Doing Business”, sa e sigurtë është në raport me vendet e tjera, në raport me investimet, në raport me çfarë ndodh në situatën politike, një ndër gjërat që shënohet në fillim të listës është: vend anëtar i NATO (NATO member) dhe kjo është një përfitim i matshëm, por teorikisht, sepse nuk mund të thuash koeficienti nga 1 tek 10, unë them është gjithmonë 10, por ne duhet me buxhetimin që bëjmë, me mënyrën se si sillemi, me planëzimin që bëjmë, me ristrukturimin, me mënyrën se si trajnojmë, edukojmë, stërvisim, respektojmë rregullat si një vend anëtar i NATO ia bëjmë këtë më të thjeshtë vetes. Ju duhet të dini një gjë dhe, kjo ka qenë e publikuar edhe në gazetën “Panorama” sigurisht, si ne kemi suportuar qeverinë e Irakut në kohë rekord, kemi qenë të parët që kemi hapur rrugën ndaj një kërkese që vinte nga qeveria e Irakut, por që mbështetej nga qeveria e SHBA dhe shumë aleatëve si Kanadaja, Danimarka, Italia, Franca, Britania e Madhe e kështu me radhë rreth një suporti që ne i bëmë qeverisë peshmerga në veri të Irakut. Përgjigja e menjëhershme që ne i kemi dhënë kësaj kërkese e ka ngritur reputacionin e Shqipërisë dhe padyshim dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në nivele ziliqare, madje dhe për vende të tjera. Ne ishim të parët që hapëm rrugën e një procesi të rëndësishëm në atë moment, se duhet të jetë dhe koha dhe momenti i duhur për të pasur një rezultat akoma dhe më pozitiv dhe ky ka qenë një nga momentet më pozitive të gjithë veprimtarisë së qeverisë së re në një vit e pak qeverisje. Ndaj me ju një batutë të Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, Chuck Hagel, i cili në ligjëratë të drejtë në vizitën e fundit që unë kisha në SHBA, më tha: "edhe një vend i vogël si Shqipëria mund jetë një shembull dhe model për vende shumë herë më të mëdha". Pra bërja e gjësë së duhur, bërja transparente dhe bërja mirë, ul kosto dhe rrit reputacionin dhe përfitimin.

Pyetje nga studentët:

- Pyetja ime ka të bëje me punën dhe me qartësinë e buxhetit që i përket mbrojtjes së kombit. Ju falënderoj për informacionin që mora sepse nuk isha në dijeni të këtij informacioni se çfarë nevojitet për mbrojtjen e vendit tim edhe pse unë vij nga një familje ku babai ka qenë polic për mbi 20 vjet dhe kënaqësia ishte shumë e madhe për sa i përket faktit që unë kuptova se çfarë bëhet për mbrojtjen e ushtarëve, sepse unë e di se çdo të thotë të jesh ushtar ose polic, çfarë sakrifikon. Cila është puna që duhet që ky fond, ky buxhet, të shkojë me të vërtetë tek qëllimi që ai ka, tek mbrojtja e ushtarëve, sepse ky është qëllimi kryesor, mbrojtja e ushtarit?

Ministrja Kodheli: Sigurisht si politikane mund të “abuzoj” me nivelin ku e gjeta Ministrinë e Mbrojtjes dhe ku është sot. Të abuzoj në thonjëza në kuptimin e mirë të fjalës. Ky krahasim është i drejtë dhe i ndershëm dhe politikanit i lejohet, madje i lejohet gjithsekujt nga ne. Nuk preferoj të flasë më për të shkuarën, megjithatë për mua e shkuara duhet të përmendet për dy gjëra, e para, për të mos gabuar, për të mos bërë gabimet e të shkuarës dhe e dyta, sigurisht në shkencën të cilës ne i përkasim baza e krahasimit duhet, përndryshe grafiku nuk ndërtohet. Por ka disa gjëra që grafiku nuk i thotë ose nuk i mat, i thotë dhe i mat, por ka koeficient të lartë gabimi. Një ndër këto gjëra është korrupsioni. Ka “survey” dhe mënyra të tjera matje për të, por  gjithsekush që është pjesë e atij sistemi vetëm ata mund ta perceptojnë diferencën. Korrupsioni është një fenomen, i cili të paktën brenda FA nuk duhet të ishte.

Për fat të keq ka qenë dhe për fat shumë të mirë e kemi pastruar dhe do të vazhdojmë ta pastrojmë edhe për gjërat që bëjmë ne, jo vetëm për gjërat që kanë bërë të tjerët, sepse brenda FA ka një mënyrë tjetër rritjeje, ka një moral tjetër që është pak i ndryshëm nga jeta civile dhe në momentin që kjo fjalë e rëndë për shoqërinë shqiptare ishte futur në sistem, produkti nuk mund të ishte kurrë ai që ne shpresojmë dhe besojmë. Një forcë dinjitioze, ashtu siç e thatë dhe ju, që bën sakrifica të mëdha për të mbrojtur jo veten, por shokun, familjen, shoqërinë, territorin, Republikën e Shqipërisë, madje për të çuar demokracinë në një vend që është larg në hartë me Shqipërinë, edhe për të lënë jetën atje, domethënë i kalon kufijtë e vetvetes shumë herë. Ka një tjetër dimension FA, ka një tjetër dimension diviza, duhet të jetë absolutisht jashtë sëmundjeve të rënda që e gërryejnë shoqërinë shqiptare, që e gërryejnë administratën shqiptare, që e gërryejnë politikën shqiptare. Unë nuk do të doja kurrë t’iu shisja moral, besoj se e kam të drejtën morale për ta bërë këtë gjë, sepse kam një pikënisje në çdo diskutim timin, ose një pikë ku e përfundoj diskutimin tim, që është sa humane aq edhe fisnike. Unë përkujdesem dhe do të përkujdesem deri në momentin më të fundit të jetës time që e ardhmja e djalit tim, për pasojë e ardhmja juaj të jetë më e mirë se sa ajo që unë kam perceptuar në jetë.

Kjo është gjëja që më bën të punoj fort, t’i respektoj të tjerët, të kem dashamirësinë t’i dëgjoj njerëzit jo vetëm në detyrimin tim si politikane, por në detyrimin tim si njeri me përgjegjësi të mëdha shoqërore dhe ajo çka është më e rëndësishmja të mos abuzoj me asnjë gjë me të cilën nuk duhet abuzuar dhe kjo është mundi dhe djersa e prindërve tuaj që çdo ditë mundohen që, ashtu si unë, e ardhmja juaj të jetë më e mirë duke paguar taksa, duke paguar detyrimet ndaj shtetit, duke qenë korrekt me rregullat e shtetit, duket qenë korrekt me njëri-tjetrin. Në këtë  mënyrë ne të mund të jemi krenar, përndryshe e kemi betejën të humbur nga ne vetë, jo nga të tjerët. Kështu që ajo sakrificë për të cilën ju flisni është sakrificë që përkthehet edhe në shpenzime që duhen të bëhen që këta njerëz, të cilët ia kanë dedikuar jetën e tyre kësaj karriere, që është karriera ushtarake, të mund të kenë të kenë të gjithë fasilitetet e nevojshme për t’i plotësuar detyrimet e tyre kushtetuese, misionare sa më mirë që të jetë e mundur. Unë jam njeriu i parë përgjegjës për ta bërë këtë të mundur, të gjithë të tjerët pas meje. Qeveria, ku unë bëj pjesë, është absolutisht përgjegjësja për të mundësuar një shpërndarje të mirë të parasë publike dhe një shpenzim sa më eficentë duke e luftuar në gjenezë korrupsionin. Është një gangrenë nga e cila ne duhet të shkëputemi dhe mund ta bëjmë këtë gjë, ju më të parët mund të ndihmoni në këtë gjë.  

Pyetjet e një studenti tjetër: 1. Cila është strategjia juaj si ministre e Mbrojtjes apo e vetë qeverisë për të arrituar atë objektivin e 2% të GDP-së për të rritur investimet në modernizimin e ushtrisë?
2. A është numri i FA ai optimali që të sigurojë misionin kushtetues që ju keni për të na mbrojtur ne si shqiptarë ?
3. Krahasimi i Shqipërisë me një vend tjetër anëtar i NATO-s, sa pjesë e buxhetit shkon për mbrojtjen e vendit qoftë nga të ardhurat primare dhe ato dytësore, për shembull Gjermania?

Ministrja Kodheli: Po e nis me Gjermaninë, pasi kemi qenë afër dikur, tani jemi larguar pak, por në disa gjëra jemi akoma më afër. Gjermania shpenzon më pak se sa Shqipëria në raport me prodhimin e brendshëm bruto, si përqindje jo si shumë absolute. Ka shumë vende që janë poshtë Shqipërisë në këtë renditje, Shqipëria është diku në mes. Shtete që e kanë këtë objektiv mbi 2% janë SHBA, Britania dhe Turqia, ka qenë edhe Greqia, e cila për shkak të krizave të viteve të fundit mund të ketë rënë pak,  por insistoj që janë 4 shtete Greqia është akoma në 2%. Pra vetëm këto vende janë ato që e kalojnë ose e cekin 2%. Ajo që dua të ndaj me ju është që në prill të vitit 2013 qeveria e atëhershme, pas një studimi të asistuar nga një zyrë e SHBA që ne e kemi akoma, një zyrë e Departamentit të Mbrojtjes që asiston Ministrinë e Mbrojtjes, miratoi, mars prill besoj, një dokument që ishte Dokumenti i Rishikimit të Mbrojtjes. Bazuar në këtë dokument të qeverisë së mëparshme, ne propozuam, unë bashkë me Shtabin e Përgjithshëm, ristrukturimin e FA. Zvogëlimin në numër dhe zvogëlimin e komandave, përgjithësisht pra e pjesës “inaktive”, nëqoftëse mund ta konsideroj të tillë, gjithmonë në thonjëza këtë gjë. Pra, nuk i levizëm asgjë atij dokumenti, të cilin e vlerësuam që ishte shumë i mirë, pavarësisht së ishte bërë nga qeveria e mëparshme. Bazuar në këtë dokument ristrukturuam dhe ia çuam propozimin Presidentit, presidenti e meritoi dhe sapo kemi përfunduar rishpërndarjen e të gjithë ushtarakëve kudo që janë, kudo që funksionojnë me strukturën e re. Mendojmë që për momentin kjo është optimumi, gjëja më e mirë që kemi bërë.

Vijmë tek ai diskutimi tjetër. Sot numri është një e dhënë relative, përgatitja është absolute. Pra, ata që janë duhet të jenë gjithnjë e më shumë të trajnuar, të stërvitur dhe të përgatitur për të qenë ata “supermenat” për të cilët fola pak më parë. Ka tjetër konvecion sot lufta moderne, madje jo më larg se dje ne diskutuam një strategji e cila kishte të bënte me “Cyber Defense” ( Mbrojtje Kibernetike - Kompjuterike). Ndonjëherë më duket e çuditshme, më duket sikur lufta do të përfundojë nëpër ekranet e kompjuterave. Nuk është tamam kështu, sigurisht, kjo është një tjetër luftë, një tjtër shpenzim që duhet bërë. Pra, kush mbaron IT është i lutur të vijë të specializohet për “Cyber”, sepse pirateria po bën kërdinë dhe duke qenë se çdo aparat është pjesë e një sistemi, i një netëork ( rrjeti ), dëmtimi i këtij netëork-u e nxjerr aparaturën jashtë funksionimi.

Pra, të gjitha do të modernizohen, trendi është ky, tendenca është kjo, nuk mund të shkëputemi nga kjo tendencë, aq më tepër që jemi pjesë e kësaj strukture të rëndësishme që quhet NATO, që avancon në mënyrë mbreslënëse në teknologji. Ne, për shembull, për fat të keq nuk shpenzojmë para për këto studime, sepse i marrim të gatshme. E rëndësishme është që të jemi me ritmet e tyre, pa cënuar në asnjë moment detyrimin kushtetues absolut që kemi, që e kemi jo vetëm në mbrojtje, por edhe në bashkpunimin civilo-ushtarak, edhe në “search and recue” (kërkim-shpëtim) kur ndodh një fatkeqësi, detyrime këto të cilat ne mundohemi të mbajmë kapacitetet në nivele të tilla që të mund të përgjigjemi sa më mirë që të jetë e mundur. Ne kemi marrë një iniciativë, që për mua ka qenë një ndër iniciativat më të mira, gjithmonë në fushën civilo-ushtarake, që ka zgjatur gjatë dhe jam e bindur që ju diku e keni parë. Kemi shpallur emergjencë civile pastërtinë e ambjentin ku jetojmë. A është emergjencë civile kjo? Është. FA të Republikës së Shqipërisë kanë pastruar nga Tirana deri në çdo pikë kufitare të dyja anët e rrugës nacionale. Të dashur studentë, unë kam inspektuar çdo aksion dhe të them të drejtën më vjen shumë keq dhe nuk do ta pranoja kurrë që disa përfaqësues të pushtetit lokal apo qytetarë të zakonshëm vëzhgonin se si usharët dhe ushtarakët tanë pastronin, bënin ndonjë koment, madje hidhnin edhe bishtin e cigares pasi kishin mbaruar këtë aksion. Jo, kjo nuk mund të jetë shoqëria shqiptare.

Ndaj misioni jonë ka qenë jo vetëm të pastrojë, por të jetë edhe qortues për të gjithë ata që e bëjnë pis ambjentin e përbashkët, ose kur është pis nuk e pastrojnë. Edhe ky është një mision i FA dhe do të jetë i tillë në të ardhmen, e kësaj pjese fisnike të shoqërisë shqiptare që janë nën uniformë.

Pyetje: Ju flisni për modernizim dhe blerje armatimesh, por a kemi ne burime njerëzore të afta ose nësë këto “supermenë” mund t’i përdorin këto armatime?  
Mininstrja Kodheli: Patjetër, madje ti ke dhe një “superëoman” këtu, që di t’i përdorë dhe jo më supermenë, që kemi plot.
Pyetje: I keni mësuar nga zbori?

Ministrja Kodheli: Patjetër kam qenë një gjuajtëse e mirë dhe besoj që akoma vazhdoj të mbetem e tillë dhe që mund të barazohem me ca ekspertë.

Pyetje: Po ajo GDP-ja nga 2013- 2015, sa mund të përkthehet në shifër reale, domethënë që keni shpenzuar më pak ?

Ministrja Kodheli: Janë rreth 20 milionë dollarë. Ne kemi pasur një të ardhur sekondare tek 5-6 milionë dollarë për këtë vit për 2014, e cila i ka kalur madje 7 milionë dollarë, të cilat i kanë kaluar vetëm armatimit dhe modernizimit. Planifikojmë më shumë sepse ka iniciativë më të shumtë tani për ta bërë këtë gjë, sepse dikur ju e dini, ato do punojnë por do të shkojnë të thesi i madh dhe nuk dihen se si do të shpenzohen. Tani dihet që do të shpenzohen të gjitha të ardhurat që vijnë nga ky aktivitet sekondar, nga njëri prej ktyre aktiviteteve sekondarë, do të shkojnë vetëm në modernizim. Pra iniciativat janë më të mëdhaja dhe puna fokusohet më mirë edhe në këtë drejtim, gjë që do të thotë që, e kam optimiste këtë gjë, të paktën 10 milionë dollarë do të vijnë. Pra gjysmën e mungesës që na vjen nga buxheti do ta mbyllim me këto të ardhura. Ndërkohë që gjëja që na favorizon është puna më intensive në lëmin diplomatik. Ju e dini që ne kemi një aktivitet të qenësishëm për shkak të të qenit vend anëtar i NATO-s me vendet anëtare dhe partnere. Kjo na ka mundësuar rritje të madhe të granteve apo rritje të shumave që janë pjesë e marrveshjeve bilaterale, të cilat janë një ndihmë absolutisht shumë e madhe në këtë drejtim. Mund të them shifra sa të doni, 3-4 milionë dollarë vetëm nga qeveria turke për mjete transporti, 1.2 milionë dollarë nga qeveria norvegjeze për perfeksionimin e hartave hidrografike, mbi 2 milionë dollarë nga qeveria amerikane për pastrimin e hotspoteve dhe demilitarizimin dhe vazhdojmë akoma të kemi më shumë se 13-14 zona të rrezikshmërisë së lartë në Shqipëri që janë të lidhura me mbetjet kimike apo të armatimit që duhen pastruar etj. Është shumë i diversifikuar aktiviteti i FA, i Ministrisë së Mbrojtjes, flasim për një diapazon shumë të gjerë.

Pyetje:Çfarë mund të thani për automatizimin e ushtrisë dhe për shkurtimet nga puna gjatë vitit 2014 dhe duke vijuar në vitin 2015?

Ministrja Kodheli: Janë kryer shkurtimet, janë sistemuar bazuar në reportin e vjetër të qeverisë së mëparshme dhe jemi munduar të mos ketë kosto sociale. Kështë që besoj se ky është një proces që ka kaluar pa dhimbje.
Faleminderit, ju uroj shumë suksese.



Angazhimi i FA gjatë përmbytjeve, nëntor 2016 8 - 13 tetor 2016FA u angazhuan me forca dhe mjete në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet që përfshinë pothuajse gjithë vendin...
NATO - takimi i ministrave të Mbrojtjes 26 - 27 tetor 2016Takimi i ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO konkludoi në dy ditë bisedimesh, 26 dhe 27 tetor, në Bruksel...
Kodheli dhe sekretari Fallon në stërvitjen “Albanian Lion - 16” 29 shtator 2016Në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar z. Michael Fallon, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes...
Stërvitja e Përbashkët “Joint Effort-16” 26 shtator 2016U zhvillua “Dita e Vizitorëve të Shquar” e Stërvitjes së Përbashkët “Joint Effort-16”. Qëllimi i kësaj stërvitjeje, e cila nisi më datën 19 shtator, është rritja e ndërveprueshmërisë...
Nisen për në Shkollën e Trupës 317 rekrutë të rinj 10 tetor 2016Në sheshin kryesor të garnizonit “Skënderbej” u zhvillua ceremonia e nisjes drejt Shkollës së Trupës në Bunavi e 317 fituesve të testit për rekrutimet e reja në FA...
Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2015-2016 2016Misionet, Modernizimi, Stërvitjet e Përbashkëta, Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ai civil-ushtarak dhe rekrutimet....
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturë Janar - Shkurt 2016Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Shqipëria në “Trident Juncture-15” 16 tetor 2015Në ambientet e Komandës së Forcës Tokësore në Zall-Herr u zhvillua ceremonia e përcjelljes së trupave të kompanisë së parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosura janar 2015Ministria e Mbrojtjes për vitin 2015 do të pranojë 500 ushtarë/detarë aktivë në radhët e FA. Prej këtij kontingjenti, 250 ushtarë/detarë aktivë do të pranohen në fazën e parë ndërsa pjesa tjetër në gjashtëmujorin e dytë...
Vizitë zyrtare në SHBA e ministres Kodheli 28-31 tetor 2014Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli zhvilloi një vizitë zyrtare në SHBA me ftesë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes z. Chuck Hagel...
Bashoku edhe ti! Bëhu pjesë e nismës, #shqiperiajoduhanit
Strategjia e Sigurisë Kombëtare Korrik 2015Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
SHQIPËRIA EUROPIANE, DESTINACION BRENDA NESH korrik 2014 Raport Publik për 300 ditët e para
të qeverisjes
Ministrja Kodheli vizitë në Komandën Supreme të Forcave Aleate 26 maj 2014 Ministrja Kodheli: Shqipëria hap përpara në angazhimin tonë në NATO
Raporti vjetor 2014 i NATO 30 janar 2015Mendime të sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg, gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e Raportit Vjetor 2014, në selinë e NATO, Bruksel...
Direktiva e Mbrojtjes 2017 Janar 2017 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Dokumenti i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes 11 prill 2013Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë miratoi dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes...
Revista Mbrojtja Nr. 4 (2017) Prill 2017Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 21 prill 2017Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Prill 2017
Ma En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30