Intervistë e ministres Kodheli për emisionin "Zona B", në Klan Kosova

Intervista e ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhënë për emisionin "Zona B" në Klan Kosova, të gazetarit Baton Haxhiu.

B. Haxhiu: U mundova t’i bëj një përshkrim asaj se si është t’i vësh në rresht meshkujt në një botë ku së paku shumë të rralla janë femrat që janë ministre të Mbrojtjes?

Ministrja Kodheli: Në fakt ka filluar një epokë e re besoj. Unë kam qenë e dyta grua prezente në një tryezë me 28 ministra të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO, kur hyra në këtë detyrë, por shpejt u bëmë pesë. Tani janë pesë dhe unë mendoj që ky është një shekull pse jo, i grave.

B. Haxhiu: Si është në Bruksel, cila është gjuha që ju përdorni me gjithë ata gjeneralë e njerëz që kanë përvojën në Mbrojtje?

Kodheli: Thjesht dhe vetëm drejton politikisht një proces i cili është sa i rëndësishëm aq edhe në dukje i pamundur, por pa as më të voglin dyshim është një detyrë si të gjithë detyrat e tjera.

B. Haxhiu: Në një botë meshkujsh që merren me ushtri kanë forcën e dhunën për të rregulluar problemet. Si është pjesa humane e juaja në botën ku duhet përdorur dhuna?

Kodheli: Sot gjërat kanë ndryshuar. Mendoj që Mbrojtja nuk është vetëm dhunë, është inteligjencë, strategji, politikë është diplomaci më së pari. Për fat të keq hyn edhe dhuna, për fat të keq hyn edhe arma, por këto janë mjetet dhe mënyra e fundit e zgjidhjes së një problemi, zgjidhjes së një konflikti. Bota sot po përjeton një situatë gjeopolitike aspak të këndshme dhe shpeshherë është e vështirë për një grua të marrë vendime politike, padyshim dhe ushtarake, që kanë të bëjnë me përballjen e dhunës që sot po shohim gjithandej. Gjithsesi i mbetem opinionit që zgjedhja fundore është dhuna. Njerëzit duhet të vazhdojnë të ulen dhe të diskutojnë politikisht për zgjidhjen e problemeve.

B. Haxhiu: E di që meshkujt gjeneralë, ose ata që janë në politikën e Mbrojtjes, në fillim kanë një atitudë përkëdhelëse, për shembull ndaj jush, më pas shohin një gjuhë e cila mund të jetë e ashpër po aq sa e tyre dhe më pas të merrni vendimet?

Kodheli: Unë besoj që njerëzit janë surprizuar, sepse ndoshta është një perceptim nga jashtë që unë jam një grua e fortë që di të marrë vendime. Ndërkohëqë shpresoj shumë që pas një viti pune kanë kuptuar, qofshin këta gjeneralë ose jo, ushtarakë ose jo, që jam një bashkëpunëtore e mirë dhe nuk rri tek e imja, tek fakti që unë bëj ministrin, di të bëj bashkëpunëtorin dhe këtë e bëj përditë dhe kjo ndoshta i ndihmon njerëzit në thyerjen e të qënit ministër i Mbrojtjes grua.

B. Haxhiu: Po kthehemi në një pikë ku është mentaliteti ai që ndikon refuzimin e diçkaje, p.sh. të gjitha familjet e shqiptarëve e kanë pasur një habi, ministrja e parë femër e Mbrojtjes dhe, të gjithë ata që janë pjesë e stafit tuaj mund ta kenë pas një fjali të tipit tashmë një grua do ju udhëheqë. A ke pasur probleme e paragjykime në mentalitet?

Kodheli: Jo dhe nuk jam çuditur për këtë. Mendoj që përzgjedhja e kryeministrit Rama është një përzgjedhje sa e guximshme aq dhe emancipuese. Për aq kohë sa shoqëria shqiptare e ka pranuar këtë gjë krejt natyrshëm e normalisht, kuptoj vizionin e kryeministrit për të bërë një gjë jo vetëm të guximshme, jo vetëm për të dhënë një mesazh, por edhe diçka pse jo të pranueshme, sepse në fund të ditës, duke qenë pjesë e qeverisë, kryeministri kërkon që punët të bëhen.

B. Haxhiu: Po përveç kryeministrit, amerikanët ishin më të lumturit se ju u zgjodhët ministre e Mbrojtjes. Një femër në krye të ushtrisë, kjo për shkak se ke dozë humaniteti e mund ta përdorësh dhe për gjëra të bukura ushtrinë?

Kodheli: Dhe kjo që thoni ju qëndron. Besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë kryesor, sidomos kur flitet për pjesën e Mbrojtjes dhe ka një dakortësi jo të shkruar, jo vetëm me ta, por me të gjithë ata që sot janë partnerë me të drejta të barabarta të Shqipërisë duke qenë vende anëtarë të NATO për arsye që dihen e nuk është e nevojshme t’i përmendim këtu. Nuk e di, ndoshta duhen pyetur zotërinjtë amerikanë pse kanë qenë entuziastë e pozitivë në zgjedhjen që bëri kryeministri Rama në këtë rast, por besoj se kanë parë te qeveria e tek unë si person ndoshta një ndër partnerët më të besuar. 

B. Haxhiu: Për ata që ju njohin nuk besoj që janë befasuar me vendimet që mund të marrësh, për arsye se ju njohin edhe nga parlamenti me gjuhën e debatet publike. Por desha të kthehem tek një pikë, përvoja juaj me njerëzit të cilët përdorin një gjuhë e cila nuk lakohet shumë, nuk është fleksible; beteja juaj në publik bëhet me një gjuhë të pastër. Si e ndërton këtë ekuilibër të gjuhës që përdor dhe të gjuhës statike që kanë gjeneralët dhe stafi në Ministrinë e Mbrojtjes?

Kodheli: Nuk besoj se ka një dallim ose ka pak dallim midis Mimit politikane dhe Mimit ministre e Ministrisë së Mbrojtjes. E them këtë se ndoshta ju me të drejtë me perceptimin tuaj thoni që gjuha ka qenë shpeshherë e ashpër gjatë gjithë karrierës time politike. Unë mendoj që ka qenë e drejtë përtej mënyrës se si është thënë apo impostimit. E di që e vërteta dhe e drejta shpeshherë dhembin, madje tani që flas me ju më vjen ndërmend një batutë e Martin Luther Kingut, i cili thoshte “Nuk është e nevojshme të bësh armiq duke u sjellë në një mënyrë të caktuar, mjafton të thuash të vërtetën”, dhe kjo besoj që është një postulat universal. Përtej kësaj, kjo vetëm më ka ndihmuar, kjo mënyrë e të bërit të gjërave, kjo mënyrë impostimi, kjo rregullsi, kjo disiplinë më ka bërë që ndoshta unë të vij deri këtu e të bëj këtë karrierë, besoj pak të kontestueshme, ose aspak të kontestueshme, sepse mendoj që kërkohet vullnet i mirë, disiplinë, guxim për të bërë ministrin e Mbrojtjes, jo vetëm duke qenë grua, por edhe një njeri që rrjedha logjike e të marrit me politikë më ka sjellë deri këtu.

B. Haxhiu: Para se të flasim për armët, për ISIS, më lejoni t’iu pyes, Mimi Kodheli i don armët, di t'i përdorë ato?

Kodheli: Ju falënderoj për këtë pyetje. E dini pse? Unë jam formuar në një regjim ku arma ishte pjesë e trekëndëshit të edukimit dhe simbolikës. Sigurisht që njërëzit e brezit tim dinë të gjithë të pëdorin ato armë të cilat ne kemi përdorur. Madje kam qenë një person që kam pasur një shënjestër të mirë. Gratë përgjithësisht kanë, ma kanë shpjeguar tani më vonë ekspertët, për shkak të frymëmarrjes, emocionit, janë më të ftohta në raport me armën se sa meshkujt dhe kjo i bën që të kenë “sy pushke” le të themi më të mirë. Përtej shakasë, jo unë nuk i dua armët dhe nuk besoj se gjërat në këtë botë duhet të zgjidheshin nëpëmjet armëve. Ironia e fatit të sjell që të jesh ministër i një dikasteri që armën e ka simbolikën e vet.

B. Haxhiu: Ose të zgjidhësh problemet?

Kodheli: Ose për fat të keq të zgjidhësh problemet.

B. Haxhiu:  Atëherë po hyjmë tek kjo pjesë. Ju ishit në një takim, ndoshta në më të rëndësishmin e kohës, në samitin e NATO në Uells. Kryeministri e nisi fjalimin me një imam të Prishtinës dhe burgosjen e tij, por dhe rrezikun që i kanoset rajonit nëse bashkësia europiane dhe NATO nuk janë të kujdesshme në përmbylljen e asaj që quhet europianizim i Ballkanit. Sa rrezik kemi nga ky koncept radikal i islamit politik? 

Kodheli: Jetojmë në kohë të vështira dhe të ndërlikuara dhe Ballkani nuk ka nevojë edhe për këtë ngarkesë, sepse ka mjaftueshmërisht problemet e veta dhe pa e pasur këtë që për fat të keq është prezente. Është prezente në Kosovë, në Maqedoni, Shqipëri ose më shumë se kaq. Edhe në Serbi është shumë prezente është e vërtetë, madje edhe në Bosnje. Unë ndaj me ju pikërisht atë që qeveria shqiptare nëpërmjet kryeministrit Rama ka ndarë në atë që ju me të drejtë e quani një ndër ngjarjet më të rëndësishme, në mos ngjarja më e rëndëisishme politike e vitit që ishte samiti i Uellsit. Bota shqiptare duhet ta shikojë të ardhmen e fëmijëve të vet nëpërmjet një procesi që është ai i integrimit në Bashkimin Europian dhe këtë pa dyshim duhet e mund ta bëjë nëpërmjet refuzimit që i bëhet këtij ekstremizmi, refuzimit dhe luftës ndaj elementëve keqdashës, që nuk kanë të bëjnë fare me religjionin, po fare, fare. Ndaj ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm nëpërmjet strukturave të cilat merren me këtë punë, Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet strukturave të veta ka pjesën e saj të rëndësishme dhe e shpresoj shumë që rastet të jenë sporadike, ky fenomen të mos jetë i përmasave që më pas do të ishin të papëlqyeshme e të pakëndshme për këdo. Përgjigja që ne kemi dhënë, përgjigja që Kosova ka dhënë, përgjigja që Shqipëria jep dhe përgjigja që të gjithë trevat shqiptare dhe jo vetëm, duhet të japin brenda shteteve të tyre duhet të jetë një dhe e vetme: JO këtij lloj ekstremizmi dhe këtij lloj fenomeni që askënd nuk e çon askund përveçse në një botë e cila nuk mund të jetë bota që ëndërrojmë për fëmijët tanë. 

B. Haxhiu: A është e mjaftueshme kjo? Megjithatë kjo situatë do veprime konkrete. Nuk po flasim vetëm për arrestimet që janë bërë në Kosovë, por meqë Maqedonia dhe Sanxhaku janë dy pika kryesore të rekrutimit që kanë mbrritur pikën kulminante të rrezikueshmërisë. Maqedonia si shtet vështirë të merret me atë punë dhe i le shqiptarët në botën e tyre të radikalizmit islam e të mos përzihen me punët shtetërore, i le në periferi të kulturimit dhe Shqipërisë i mbetet barrë që ta mbikëqyrë këtë situatë?

Kodheli: Unë mendoj që radikalizmi hyn kudo ku shteti nuk është prezent, ashtu siç thatë edhe ju, kudo ku ka varfëri, kudo ku qytetari nuk e ndjen prezencën e shtetit me shërbimet, me mundësinë për t’u punësuar, me mundësinë për t’u shkolluar. Dhe do të jetë gjithnjë kështu nëse do ta lemë këtë pjesë të popullsisë e këtë situatë të jetë në dorën e tjetërkujt. Ju keni të drejtë. Ka disa mënyra për ta luftuar këtë gjë. Ka disa mënyra për të mos e mundësuar këtë fenomen që të kthehet në një problem shumë të madh për vendet tona, për rajonin tonë, por dhe më shumë se kaq. Duke filluar pa dyshim nga arsimimi i njerëzve, nga dhënia e mundësisë për t’u punësuar, por duke pasur në vëmendje dhe proceset integruese në të cilat është rajoni jonë. Shqipëria është vend anëtar i NATO e duhet të luftojmë fort që Maqedonia të zgjidhë problemet e saj për të mundësuar anëtarësimin, që Kosova fort të shtyhet në rrugën ku tashmë pa kthim qëndron, që është rruga drejt anëtarësimit, megjithëqë shikohet larg dhe pa dyshim rruga si drejt anëtarësimit në NATO dhe ajo në BE. Këto janë të vetmet mjete e mënyra për të mundësuar një zbehje, një zbutje të këtij fenomeni, i cili ju them nuk është sot një problem por do të kthehet në të tillë nëse të gjithë bashkë nuk marrim masat e nevojshme për ta eliminuar. 

B. Haxhiu: Ju përdorët fjalën nëse dhe kjo fjalë nuk është e mjaftueshme për të rregulluar këto probleme. Po flasim konkretisht për ministrinë tuaj. E di që do më thoni që kjo është çështje e sigurisë së vendit, e policisë, e inteligjencës. Megjithatë ky problem shkon përtej saj, problem ndoshta që është më akut se gjithçka tjetër, për arsye se e drejta e fjalisë po keqpërdoret, po është shumë e vështirë t’i thuash njerëzve pse përdor fjalinë për të bindur të tjerët. Midis lirisë së fjalës dhe fjalës për urrejtje duhet ta kemi një projekt dhe brenda të ministrisë tuaj?

Kodheli: Ne projektin e kemi, punojmë çdo ditë për ta bërë këtë gjë. Do t’i rrimë fort qëndrimit tonë në luftën kundër radikalizmit. Do t’i rrimë fort luftës së kujtdo që mbjell urrejtjen, që mbjell ndasi, që mbjell një farë e cila nuk i takon tokës shqiptare, si të kthejmë kokën mbrapa në histori, si të shikojmë përpara në të ardhmen. I kemi dhe do t’i luftojmë. Lufta e së mirës me të keqen është një luftë që do të vazhdojë siç edhe ka qenë. Ne duhet absolutisht të dalim të fituar nga kjo gjë. Dhe nga kjo të fituar dalin shqiptarët, del rajoni, del siguria, del e ardhmja dhe këtë do ta bëjmë fort ashtu siç kemi treguar që jemi duke e bërë. Problemi i radikalizmit nuk është vetëm fakti që sa është numri i atyre që sot largohen nga Shqipëria dhe shkojnë të luftojnë diku tjetër. Problemi është që kur ata kthehen pranë familjeve të tyre cili është qëndrimi që duhet të mbajë shoqëria në raport me ta dhe ky është një tjetër fenomen me të cilin ne duhet të përballemi si politikë, si shoqëri.

B. Haxhiu: Si duhet të rekrutohen njerëzit që janë mësuar me dhunë, ashpërsi me vrasje? Çfarë duhet të bëjë shoqëria? Dhuna po të trajtohet me butësi vështirë se mposhtet. Nuk e di a kemi ne si shoqëri aq shumë mirëqënie sa ta fitojmë betejën me dhunën?

Kodheli: Jo nuk e kemi dhe ju keni të drejtë. Lufta me mirëqënie është një pjesë e përballjes së kësaj barbarie, nëse më lejohet ta them këtë fjalë. Duhet të ketë një strategji të plotë që duhet të ketë në përbërje të saj mirëqënien, shkollimin, investigimin, luftën nëse është e nevojshme, përgjigjen ushtarake ndaj fenomenit brenda suazës NATO dhe gjithçka tjetër që do ta ndihmojë këtë fenomen të mos përhapet më shumë.

B. Haxhiu: Jemi në një trekëndësh, i cili po zgjerohet, po bëhet katërkëndësh duke përfshirë edhe vijën gati të gjelbër deri në Bosnje, e cila kap një numër gati prej 3600 - 4000 që luftojnë në Siri. Është një ushtri e tërë megjithatë asnjë polici nuk mund ta fitojë betejën po nuk e fitoi betejën popullata vet. Beteja i takon një strategjie që duhet ta bëjë ministria juaj. Strategjia për të ardhmen është lufta me 4000 njerëz të cilët kanë luftuar atje e një ditë lufta do përfundojë?

Kodheli: Ministria e Mbrojtjes është një pjesë e strukturave që duhet të dialogojnë dhe të merren me këtë gjë. Ka dhe struktura të tjera shteti që janë akoma më në front të parë sesa Ministria e Mbrojtjes. Sepse në fund të ditës Ministria e Mbrojtjes është pjesë e luftës kundër terrorit është pjesë e sigurisë dhe integritetit territorial të vendit, por dhe e sigurisë së qytetarëve të vet, por e kombinuar kjo edhe me të gjitha strukturat e tjera, Ministrinë e Brendshme, Shërbimet e Inteligjencës dhe të gjitha strukturat e tjera që janë përgjegjëse. Ky është një fenomen jo vetëm i joni dhe i Ballkanit, ato mijërat që ju përmendët me të drejtë, vijnë edhe nga democracitë perëndimore, siç mund të jetë Britania apo Franca etj. Unë mendoj që strategjia duhet të jetë e përbashkët e vendeve të BE, e vendeve të NATO dhe të e gjithë vendeve pa përjashtuar as vendet me background mysliman, siç mund të jenë Arabia Saudite, etj., që sot janë ngritur dhe bërë partnere të të gjitha operacioneve.

B. Haxhiu: Deri ku Ministria e Mbrojtjes i siguron qytetarët e saj? 

Kodheli: Njerëzit nuk duhet të kenë frikë, duhet të jenë të qetë dhe të vazhdojnë ashtu siç kanë vazhduar ditën dhe javën e tyre, sepse unë ju siguroj që ky nuk duhet të jetë një problem shqetësues për shoqërinë shqiptare, por shoqëria duhet dhe të vetëndihmohet në këtë gjë, të ketë përqasjen e saj ndaj këtij fenomeni. Duhet të bëjë një përqasje, e cila duhet të shkojë ashtu siç dhe shkon ky fenomen brenda gjithsecilit, nga ata njerëz të gënjyer tek e cila futet urrejtja ashtu duhet të shkojë edhe përqasja pozitive ndaj shoqërive. Shqiptarët kanë ditur ta përballin këtë fenomen. Shqipëria, shqiptarët në rajon, në Kosovë, në Maqedoni janë të pjekur për të qenë akoma bashkë për t’a ndihmuar veten e tyre. Është një përballje që do të vazhdojë të jetë por është e sigurtë që do të fitojë shqiptarizmi dhe qytetërimi.
Nëse doni t’ju çojmë disa ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë për të kuptuar sesi do të përparojë FSK në rrugën e saj drejt integrimit, unë mund ta bëj me kënaqësi, por kjo ishte sa për batutë. E shikoj shpëtimin duke u munduar maksimalisht që procesi integrues të vlerësohet si shumë i rëndësishëm. Të qenit nesër anëtar i NATO do ta ndihmojë shumë procesin, sepse t’i nuk je më vetëm, ti je bashkë me të tjerët dhe kjo do të japë padyshim më shumë siguri, ashtu siç i jep siguri sot Shqipërisë të qenit anëtar i NATO. 

B. Haxhiu: Jemi anëtar i NATO dhe natyrisht ndajmë informacione, ju shoh që jeni e shqetësuar, me siguri kolegët tuaj të gjithë botës ju japin mjaftueshëm informacione sa mos të ndiheni të vetmuar në këtë proces?

Kodheli: Absolutisht që po, është shumë e rëndësishme që ta ndaj edhe me publikun, sepse këtu ka pasur probleme të cilat i kanë rrudhur shërbimet e inteligjencës brenda Ministrive të Mbrojtjes të vendeve të NATO në vitet më parë, e kanë rrudhur komunikimin, besimin dhe kjo ka qenë e vështirë në punën time për ta rifituar këtë gjë nga e para. Sot ndahet në mënyrë absolute çdo gjë, jo vetëm me vendet e NATO, por ndahet edhe me shërbimet në Kosovë, Maqedoni dhe gjetkë. Punohet në drejtimin e duhur madje punohet shumë mirë.

B. Haxhiu: Ka një vit e më shumë që jeni në zyrën e ministres së Mbrojtjes. Çfarë i numëroni opozitës si pozitive dhe negative. A i njihni ndonjë meritë opozitës për ndonjë punë dhe për procesin e hyrjes në NATO?

Kodheli: Është e vështirë që në një vit të mund të kristalizohet ajo që opozita sot përfaqëson, në mënyrë që kush sot qeverisë, maxhoranca, të mund të konfrontojë atë çka opozita ka pozitive dhe atë çka maxhoranca bën sot. Këto të dyja të përballen dhe të shikohet se ku jemi të dyja palët Për shkak se opozitës i është dashur pak të dalë nga shocku i humbjes së zgjedhjeve, për fajin e tyre e quaj shock, sepse shikoj që kanë menduar në disa raste që do të rrinin tre dekada të qeverisnin dhe kjo nuk është shenjë e mirë e demokracisë, por dhe për faktin se në mundim e sipër për t'u riorganizuar nuk kanë bërë më të mirën brenda tyre. Unë në përgjithësi jam një politikan që nuk para bëj komente për jetën e brendshme të partisë sot në opozitë, më intereson më shumë produkti që ata nxjerrin.

B. Haxhiu: Dhe hallet?

Kodheli: Halle, borxhe dhe probleme kanë lënë shumë dhe në vitin e parë qeverisës më shumë jemi munduar të shlyejmë borxhet dhe të rregullojmë hallet që na kanë lënë, sesa të bëjmë punët që duheshin bërë.

B. Haxhiu: Kjo do të thotë që mund të bëhen gabime duke qenë e kondicionuar prej kushteve që ju kanë lënë ato?

Kodheli: Unë kam gjetur 16 milion euro borxhe, fatura të papaguara kur erdha dhe kur je përballë një fature të tillë është e vështirë të mendosh strategjikisht se çfarë janë gjërat që NATO kërkon e që ti nuk i ke bërë, por megjithatë kam bërë brenda një viti një gjë që ishte premtuar dhe nuk ishte bërë kurrë, e kam "zhveshur" ushtrinë shqiptare nga kallashnikovi sovjetik dhe do ta "vesh' me armatimin e standardit NATO më modern në treg

B. Haxhiu: Si ka mbetur kallashnikovi? 

Kodheli: Ka mbetur sepse mesa duket zotërinjtë kishin gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë dhe jo atë që ishte obligimi primar i FA të Shqipërisë në raport me NATO, përgatitja e një batalioni këmbësorie me të gjithë armatimin për të qenë i gatshëm në çdo operacion ku NATO e kërkon. Është e thjeshtë por problemi është që kur nuk ke fokusin të bësh gjërat që të kërkohen për të bërë, por bën gjëra tjera, problemi komplikohet. Ne brenda këtij viti do ta realizojmë këtë gjë, sigurisht edhe me ndihmën e rialokimit që është bërë nga ana e qeverisë që kaloi një javë më parë në Parlament, pra me paratë që qeveria na besoi dhe që e mendoi si të rëndësishme këtë, sidomos duke parë situatën në të cilën ndodhemi. Ne lundrojmë në ujëra të turbullta sot dhe na duhet të jemi të përgatitur për këtë.

B. Haxhiu: Cili është qëndrimi juaj edhe profesional dhe në bazë të informatave që keni për atë që Kosova tashmë e quan Forca të Mbrojtjes së saj, ose Ushtrinë e saj. Çfarë ka brenda një ushtri e porsaformuar, ose një ushtri e dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e transformuar. A ka arritur pika ku duhet respektuar?

Kodheli: Ka shumë rrugë për të bërë, por ajo çka është shumë e rëndësishme, ka fillimin e drejtë dhe të duhur. Kjo është shumë e rëndësishme. Gjithë popujt në botë kanë një proverb të përbashkët, fillimi i mirë është gjysma e punës dhe, kjo është shumë e rëndësishme për FSK. Lidershipi gjithashtu ka qenë i rëndësishëm dhe më duhet ta falënderoj nga zemra ministrin Çeku për të gjithë punën që ka bërë dhe këtë nuk e them se ne jemi këta vllezërit dhe kolegët që jemi, por e them sepse e meriton. Sigurisht ka qenë i mbështetur nga qeveria e tij për ta bërë, por ka disa qendra të përgatitjes që janë shpeshherë edhe më të mira sesa ata që ne kemi këtu. A ka hapa dhe rrugë për të bërë? Padyshim që ka, por në qoftë se fillimi është i mirë dhe kjo strukturë ndihet e sigurtë në gjërat që është duke bërë, do të vijë shpejt kthimi i kësaj strukture në atë që kjo strukturë duhet të jetë.

B. Haxhiu: Klan Kosova e ka një slogan: Jemi një. Ku jeni një ju dhe ministri Çeku, ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës dhe ku jeni dy? 

Kodheli: Ne jemi një në luftën për të realizuar atë që është në fund të fundit misioni i vetëm dhe një i kësaj strukture, mbrojtja e qytetarëve shqiptarë, integritetin dhe të ardhmen. Jemi dhe do të jemi gjithmonë një. Jemi dy si struktura, sepse duhet të jemi dhe do punojmë dyshe për ta marrë këtë strukturën e re dhe për ta vendosur në tryezën që i takon në një të ardhme shpresoj jo fort të largët.



Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeve Nëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare 24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë 15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO 17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO 16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO 15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17” 14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen 13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Ministrja Kodheli në Ministerialin e Mbrojtjes në Bruksel 29 qershor 2017Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli në Bruksel ku mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO...
Angazhimi i FA gjatë përmbytjeve, nëntor 2016 8 - 13 tetor 2016FA u angazhuan me forca dhe mjete në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet që përfshinë pothuajse gjithë vendin...
Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2015-2016 2016Misionet, Modernizimi, Stërvitjet e Përbashkëta, Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ai civil-ushtarak dhe rekrutimet....
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturë Shtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosura janar 2015Ministria e Mbrojtjes për vitin 2015 do të pranojë 500 ushtarë/detarë aktivë në radhët e FA. Prej këtij kontingjenti, 250 ushtarë/detarë aktivë do të pranohen në fazën e parë ndërsa pjesa tjetër në gjashtëmujorin e dytë...
Bashoku edhe ti! Bëhu pjesë e nismës, #shqiperiajoduhanit
Strategjia e Sigurisë Kombëtare Korrik 2015Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2017 Janar 2017 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 12 (2017) Dhjetor 2017Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 08 dhjetor 2017Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Dhjetor 2017
Ma En Pr Sh Di
27 28 29 30 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31