Intervistë e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka për Vizion Plus

Intervista e ministres Xhaçka me gazetarin Thimi Samarxhiu në specialen e VIZION PLUS për Emergjencat Civile, Samitin e NATO-s, buxhetin e Mbrojtjes, Maqedoninë, Kosovën, Rusinë dhe çështje të tjera të sigurisë.

Ne ishim sot në një demonstrim të forcave të Emergjencave Civile; sa e gatshme është Shqipëria për të përballuar, larg qoftë, me një situatë, si ajo e pak ditëve më parë në Greqi?
Xhaçka: Faleminderit për mundësinë e kësaj interviste. Ky aktivitet nuk ishte thjesht një demonstrim i forcave, por kjo është një pjesë shumë e vogël e kapaciteteve, që disponojmë dhe nuk besoj se, ka vend, që është realisht i përgatitur, për gjithçka që mund të sjellin fatkeqësitë e natyrës në formën e emergjencave civile. Atje ka pasur një mobilizim shumë të mirë të të gjithë forcave të emergjencës qoftë në nivel vendor, qoftë në nivel qendror, për të mos thënë, me sa kam parë në mediat e tyre, një angazhim të jashtëzakonshëm në formë solidariteti të gjithë qytetarëve grekë, por jo vetëm, për t’i ardhur në ndihmë familjeve të njerëzve nga kjo fatkeqësi e tmerrshme.
Nuk e besoj se Greqia ishte e përgatitur dhe nuk e besoj se asnjë prej nesh nuk do të ishte i përgatitur përballë një situate alarmante si ajo që pamë. Po them se, ne po marrim të gjitha masat, sigurisht brenda kufizimeve që Shqipëria ka dhe, qoftë në aspektin financiar për të pasur mjete më të mira, qoftë pastaj te nevoja për të pasur një ligj, që unë kam disa kohë që e theksoj, një ligj që i koordinon të gjithë aktorët më mirë, një ligj që vë përballë përgjegjësisë të gjithë aktorët më mirë dhe një ligj, ku gjithsecili ta dijë përgjegjësinë e vet, jo vetëm përballimit të emergjencave civile, por edhe për marrjen e masave parandaluese për të mos pasur situata të tilla dhe këto situata mund të ishin ndaluar paraprakisht.

Si është bashkëpunimi me autoritete vendore, se ata janë përgjegjësit kryesorë edhe pse janë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile?
Xhaçka: Ligji i Emergjencave Civile sot parashikon që autoriteti vendor është autoriteti kryesor që bën planifikimin, jo vetëm të strukturave të deklaruara për emergjenca civile, por edhe të gjithë resurseve, qofshin këto financiare, apo të formës së kapaciteteve edhe, për të planifikuar, por edhe për të parandaluar, vendet që janë veçanërisht të rrezikuara, edhe pse vit pas viti problemet e ndryshme e kanë treguar, siç është zona e nën Shkodrës, apo Thethi për bllokimi nga bora.
Ne sigurisht që kemi qenë të gatshëm që gjatë këtyre muajve që Emergjencat Civile kanë qenë përgjegjësi e jona, jo falë këtyre kapaciteteve që një pjesë i kemi të ekspozuara këtu sot, por falë përkushtimit të njerëzve nën uniformë, falë edukimit dhe trajnimit që ata kanë, për të bërë një punë që mund të jetë edhe vetëmohuese. E kemi parë edhe nëntor - dhjetor në Fier dhe në Vlorë, edhe gjatë marsit në zonën e nën Shkodrës, në përmbytjet atje, që Forcat e Armatosura kanë qenë të angazhuara ditë natë në operacione ku realisht gjithë të tjerët dorëzoheshin dhe ngrinin duart se dukeshin shumë të rrezikshme edhe për jetën e atyre njerëzve që ishin përfshirë. Ia kemi dalë, që të mos kishim asnjë viktimë njerëzore por dhe as humbje në bagëti, dhe kemi ruajtur gjithçka pa dëme gjatë këtyre emergjencave që nuk kanë qenë të përmasave të vogla.

Që nga momenti që Emergjencat Civile i kanë kaluar Ministrisë së Mbrojtjes, është përfolur që kjo lëvizje është bërë për të rritur buxhetin, atë 2% e famshëm. Si është e vërteta e kësaj lëvizje?
Xhaçka: E vërteta është që nuk rrit ndonjë buxhet, sepse Emergjencat Civile po mos të kishin kapacitetet që vijnë nga Forcat e Armatosura sot, apo dje, nga Forcat e Rendit, nuk do të mund të bënin dot asgjë, përveçse do të ishin një zyrë koordinuese prej 10 vetash për pushtetin vendor dhe atë qendror.
Buxheti kombëtar, që ne kemi në dispozicion për Emergjencat Civile, është disa herë më i vogël dhe krejt i papërfillshëm, krahasuar me buxhetin e një bashkie të madhe, që sipas ligjit, duhet t’i dedikonte emergjencave civile.
Ligji i Emergjencave Civile, sot, parashikon që deri 3% e buxhetit të vet duhet t’ia akordojë. Ka shumë bashki që nuk e bëjnë, por nëse do ta bënin, do të ishte një shumë kaq e konsiderueshme, saqë do të kishin mundësi që të merrnin masa parandaluese si: argjinaturat e lumenjve, pastrimi i kanaleve kulluese, skorje dhe kripë për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit, mirëmbajtjen e kanaleve kulluese për të mos lejuar bllokimin e tyre. Rrugët dytësore i ka bashkia; nuk flasim për rrugë nacionale, por për rrugë dytësore, se jo të gjithë jetojnë në buzë të akseve kryesore. Bashkia ka një rol shumë të rëndësishëm. Nëse ligji do të kishte disa penalitete, që nuk i ka, për ato bashki që nuk bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe, nuk përmbushin përgjegjësinë e tyre, për të qenë koordinatori dhe përgjegjësi kryesor në territorin e tyre të emergjencave civile, situata do të ishte ndryshe.

E keni kërkuar ju këtë gjë?
Xhaçka: E kam kërkuar, jemi në proces të reformimit të të gjithë Emergjencave Civile. Po shohim edhe ligjin, ku në fund të këtij muaji do të kemi një draft të përfunduar dhe shumë shpejt do t’i nënshtrohet edhe një konsultimi publik për të parë mundësinë më të mirë që ligji mund të ofrojë për koordinimin e të gjithë aktorëve në përballimin e të gjithë emergjencave, por edhe në marrjen e masave dhe parandalimin e tyre, që është edhe më i rëndësishëm akoma se sa përballimi.

Thuhet se në shtator - tetor do të kemi një ligj që do të detyrojë bashkitë që të paguajnë tre përqindshin.
Xhaçka: Në shtator - tetor do të kemi një konsultim publik dhe unë shpresoj shumë që ligji t’ia dalë që të parashikojë edhe disa penalitete për të gjithë ata, që kanë përgjegjësi për menaxhimin e Emergjencat Civile dhe nuk e përmbushin detyrën e tyre siç duhet.

Meqë prekëm 2%, kalojmë në një temë tjetër: dy javë më parë u zhvillua Samiti i NATO, ku pati debate në lidhje me fjalimin e presidentit Trump dhe qëndrimit të tij. Ai njihet si një politikan atipik. Si ishte ky Samit dhe çfarë solli të re për Shqipërinë dhe, çfarë mori Shqipëria nga ky Samit?
Xhaçka: E keni ndjekur dhe ju në media që Samiti ka pasur një diskutim që quhet “burden - sharing”, pra një ndarje më të barabartë dhe më të drejtë të barrës që të gjithë vendet anëtare të NATO kanë përkundrejt Aleancës, përkundrejt operacioneve dhe misioneve të përbashkëta. Shqipëria nuk është ndër ato vende. Unë e kam ndjekur pak diskutimin, kam ndjekur dhe komentet e personazheve të ndryshme. Shqipëria edhe sikur t’i dedikonte 2% të buxhetit të saj do ishte një pikë uji, krahasuar me çfarë mund të bëjnë vende të tjera me financa shumë më të konsoliduara. Por, nga ana tjetër, Shqipëria është një vend që përgëzohet realisht për shpirtin e saj të solidaritetit përmes pjesëmarrjes në operacioneve dhe misioneve të përbashkëta. Në Afganistan, që është misioni më i rëndësishëm i Aleancës, Shqipëria renditet si vendi i dytë më kontributor në të gjithë të tjerët, si përqindje e madhësisë së Forcave të saj të Armatosura. Kontributi ynë atje, në përqindje të Forcave të Armatosura është në vendin e dytë krahasuar me gjithë vendet e tjera. Shqipëria renditet në vendin e 13-të nga 29 vende anëtare për kontributin e saj në të gjitha misionet e saj të përbashkëta të NATO. Në këtë pikë edhe ne kemi pa diskutim pjesën tonë të drejtë dhe të barabartë në “burden - sharing”, në ndarjen e barrës. Ne kemi një plan të rakorduar edhe të dakordësuar tanimë edhe me aleatët edhe me kryeministrin edh e me ministrin e Financave për të mbërritur 2% deri në vitin 2024 dhe megjithatë nuk kemi qenë asnjëherë në cep apo nën presion përsa i takon përqindjes së buxhetit që i alokojmë Aleancës, por jemi përgëzuar shumë herë aq sa kam pasur unë mundësi të dëshmoj vetë duke qenë personalisht në këto ministriale, apo në këtë Samit të fundit. Jemi përgëzuar maksimalisht për përkushtimin dhe kontributin shumë cilësor që kemi çuar, me njerëz shumë të dedikuar, dhe me njerëz shumë mirëtrajnuar në misionet e përbashkëta të Aleancës.

Si ndiheshe nëpër korridoret e Samitit, ku prezenca e presidentit Trump i cili është një president atipik dhe ka thyer shumë tabu. Mbaj mend edhe postimin tuaj në fb, pasi ju dhatë edhe lajmin për propozimin e Shqipërisë. Çfarë realisht tha konkretisht presidenti Trump?
Xhaçka: Amerika është një vend që mban barrën kryesore të Aleancës dhe është një vend që dedikon më shumë se 4% të buxhetit të saj për Forcat e Armatosura dhe është kontribuesi i kryesor i projektimit të paqes edhe përtej kufijve të saj. Kështu, unë nuk jam në asnjë pozicion për të komentuar deklaratat e presidentit.
Fryma është e një barre të ndarë në mënyrë më të drejtë. Është Presidenti Trumph, që bëri thirrje disa herë aleatëve, kryesisht atyre me ekonomi më të fortë dhe me financa shumë të konsoliduara për të dedikuar më shumë buxhet tek Mbrojtja, për ato që janë sfidat e sotme dhe për ato që mendohet se do të jenë sfidat e të ardhmes, për të cilat Aleanca do duhet edhe të ridimensionojë pozicionimin e saj, por edhe përkushtimin e gjithsecilit aleat në koordinimin e kësaj Aleance të përbashkët.
Presidenti Trump nënvizoi fjalën e kryeministrit gjatë darkës së krerëve të shtetit, e nënvizoi duke i dhënë rëndësi fjalëve të tij. Fakti që e veçoi ndër gjithë të tjerët dhe huazoi fjalët e tij për të përcjellë mesazhet, apo për të përforcuar mesazhet, ishte pa diskutim shumë inkurajues për një vend të vogël si Shqipëria, por që është një kontribues shumë i rëndësishëm. Kjo është një gjë, që edhe sekretari Matis sekretari amerikan i Mbrojtjes ma ka theksuar dhe ritheksuar sa herë që jemi takuar, Shqipëria është një vend, ku gjeografia dhe madhësia e saj nuk ka rëndësi krahasuar me përkushtimin dhe me forcën e saj për të qenë pjesë e gjërave të përbashkëta.

Meqë përmendët gjeografinë, në këtë Samit, Maqedonia mori ftesën zyrtare për të qenë pjesë e NATO. Duket se tashmë është bllokuar e gjithë zona dhe të gjithë vendet janë pjesë e NATO. Sa ndikon për rajonin tonë fakti se Maqedonia u bë pjesë e Aleancës?
Xhaçka: Unë mendoj se ky ishte një nga lajmet më të mira të këtij Samiti. Është një lajm që edhe personalisht në këtë detyrë të re më ka gëzuar shumë. Ky lajm duhet të na gëzojë të gjithëve në sensin e perspektivës euroatlantike të të gjithë rajonit. Pa diskutim, ftesa që Maqedonia të nisë bisedimet për anëtarësim në NATO është një hap përpara drejt kësaj perspektive shumë të rëndësishme të rajonit tonë.
Mendoj që ne gjithmonë kemi qenë faktorë stabiliteti për rajonin, kemi qenë promotor të dyerve të hapura të NATO në rajon si një mundësi për të shtyrë përpara këtë aspiratë jo vetëm në Shqipëri por për të gjithë rajonin dhe besoj se ky ishte pa diskutim një lajm i mrekullueshëm. Menjëherë pas Samitit, ka qenë edhe iniciativa ime, ku i kam bërë një ftesë sekretarit amerikan, kur isha në Uashington, që të vizitonte rajonin dhe të vizitonte Kroacinë, ose Malin e Zi, ku do të zhvillohej takimi i A5, pasi organizatori për A5-tën ishte Mali i Zi bashkë me Kroacinë.
Sekretari erdhi dhe, i kam bërë kërkesë që A5 të hapë dyert e saj dhe të zgjerohet, ku mund të ftojë Kosovën, pse jo edhe Serbinë, nëse do të pranonte. Gjithmonë si një pararendëse e këtij rrugëtimi, që po bën edhe Maqedonia sot, si pararendëse e anëtarësimit në NATO.

Si e shikoni krijimin e ushtrisë së Kosovës?
Xhaçka: Kosova e ka ushtrinë e saj. Forca e saj është një forcë e mirëfilltë e armatosur. Ata janë të mirarsimuar dhe të mirëtrajnuar; unë e kam parë vetë këtë gjë në shkëmbimet e shpeshta që kemi pasur. Çështja e Kosovës është vetëm një çështje e shndërrimit të forcës në një Forcë të Armatosur, është një çështje kushtetuese. Nëse do të zgjidhin problemin kushtetues me pakicën serbe, që kushtëzon votat në parlament për këtë, sigurisht duke akorduar me aleatët dhe me NATO, unë besoj se kjo është një çështje që do të gjejë zgjidhje.

Pra Kosova i ka të gjitha mjetet për të pasur një ushtri të armatosur?
Xhaçka: Siç e thash është vetëm çështje votash në parlament, është rakordimi me aleatët, sepse shndërrimi i forcës në një Forcë të Armatosur duhet bërë patjetër në një rakordim shumë të mirë me aleatët kryesorë, por nuk është një çështje e kapaciteteve, apo të profesionalizmit të forcës. Unë e kam dëshmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është e tillë me kapacitete realisht shumë të mira me ushtarë shumë të mirë trajnuar, por është kushtëzimi që i bën pakica serbe në Parlament, pa u zgjidhur çështja e Kushtetutës, por mendoj se do të zgjidhet shpejt.

Flitet edhe për ndikimin rus. Sa është ky ndikimi rus?
Xhaçka: Unë kam frikë se sa herë flitej për të dikur, njerëzit bëheshin qesharakë sepse dukej si skenë nga një film me spiunazh. Nuk dua ta kufizoj dot se sa i madh është ky ndikim, por është mjaftueshëm për të shqetësuar realisht shumë Aleancën dhe pa diskutim edhe Amerikën pavarësisht të gjitha diskutimeve dhe komenteve të ndryshme që dëgjojmë sot. Mjafton që t’ju kujtoj Malin e Zi dy vjet më parë, t’ju kujtoj Anglinë fare pak kohë më parë me rastin Skripal, që duken ndërhyrje që mund të kenë pasoja eksponenciale, ose ndërhyrje në territorin e aleatëve kaq të rëndësishëm, të cilat kanë pasoja të përshkallëzuara që sjellin probleme të mëdha. Ishte rasti Skripal, që i ka bërë të gjithë aleatët bashkë për të bërë një largim apo një përjashtim të zyrtarëve rus, nga ambasadat, apo përfaqësitë e tyre të ndryshme. Dhe ne kemi qenë pjesë e kësaj nisme duke larguar dy përfaqësues, ku një prej tyre ishte edhe atasheu ushtarak.

Ka ardhur atashe tjetër në dijeninë tuaj?
Xhaçka: Jo. Ne jemi në një linjë me pozicionin e Aleancës me pozicionin e NATO dhe kemi qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta edhe në ato që quhen grupe të avancuara të cilat janë ngritur në vendet Balltike për t’i bërë ballë influencës së rusëve në kufi, por edhe duke u bërë pjesë të gjithë operacioneve përmes kontributit tonë, edhe për ato që janë ndikime hibride, që nuk janë me ushtarë, apo me njerëz, por që janë edhe cyber edhe të formave të ndryshme. Mos harroni edhe çështjen e fundit në Shqipëri me shefin e opozitës dhe paratë ruse, që kishin furnizuar një lobim të tij në Uashington. Nuk do doja të zgjateshim, më shumë se kaq, përtej këtij koordinimi të përbashkët.

Ju, në fjalën tuaj, më parë thatë se, i jepni një mesazh kryetarëve se Forcat e Armatosura do të jenë të gjithë kohën për të ndihmuar dhe për t’i ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë. Pse shqiptarët duhet të kenë besim tek Forcat e Armatosura?
Xhaçka: Unë mendoj se nuk duhet të ishte kjo pyetje. A duhet të kenë më shumë besim sot që struktura e Emergjencave Civile është strukturë e Forcave të Armatosura apo jo?. Unë mendoj se po. Duhet të kenë më shumë besim sot, sepse nuk besoj se ka njerëz më të përkushtuar që i janë betuar para flamurit se do t’i shërbejnë atdheut në çdo kohë dhe e bëjnë këtë me shumë sakrificë dhe me shumë kufizime dhe me shumë vetëmohim. Janë një grup njerëzish që nuk janë pak, janë 10 mijë vetë, të cilët kanë treguar me punën e tyre, edhe përmes kufizimeve të ndryshme të një trajtimi jo të denjë për ta etj., kanë treguar se janë të gatshëm që të marrin detyra shumë të vështira dhe vetëmohuese për të bërë atë që duhet, apo atë që kërkohet prej tyre. Kemi parë edhe me emergjencat e fundit që kanë qenë të parët dhe të fundit që janë larguar nga detyra edhe atëherë kur gjithë të tjerët janë dorëzuar. Duhet të kenë më shumë besim sot, se atje ku nuk ia dalin dot bashkia, policia, struktura të tjera qendrore, do të jenë gjithmonë ushtarakët tanë për t’i bërë ballë vështirësive dhe për të bërë çmos që të sigurojnë jetën e qytetarëve, pronën e qytetarëve dhe për të shpëtuar gjithçka që rrezikohet nga fatkeqësitë natyrore, nga emergjencat civile. Nga ana tjetër, dua që t’ju siguroj se, jemi në një gatishmëri të plotë edhe gjatë të këtij muaji që gjithë të tjerët pushojnë, tek ne nuk do të ketë pushim, dhe për të gjithë strukturat tona të emergjencës nuk do të ketë pushime, por do të jenë të gjithë në krye të detyrës për të bërë më të mirën e tyre për të përballuar gjithçka, që mund të na vijë gjatë gjithë këtij sezoni të nxehtë.

Submit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn


Ministeriali i NATO, Xhaçka: 2% e PBB për FA deri në vitin 2024 4-5 tetor 2018Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës të Atlantikut të Veriut...
Buletini mujor nëntor 2018Ditari, të rejat kryesore nëntor 2018...
Ministrja Xhaçka vizitë zyrtare në SHBA 17-18 prill 2018Washington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë Shqipërinë një aleat të denjë të NATO dhe vend lider në Ballkanin Perëndimor...
FA shpëtojnë nënën e sëmurë në Kukës27 shkurt 2018Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit...
Ministeriali i NATO, takimi Stoltenberg - Xhaçka14 - 15 shkurt 2018Ministrja Xhaçka merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO në Bruksel...
Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeveNëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17”14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturëShtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosuraprill 2018Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë dhe kërkon të rekrutojë 100...
Strategjia UshtarakeKorrik 2015Në themel të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2018Shkurt 2018 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 12 (2018) Dhjetor 2018Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 30 nëntor 2018Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Dhjetor 2018
Ma En Pr Sh Di
26 27 28 29 30 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31 1 2 3 4 5 6