Fjala e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë mbi projektligjin për Mbrojtjen Civile

Të nderuar kolegë,

Dua ta nis fjalën time me një falënderim për të gjithë kolegët e Komisionit të Sigurisë, por edhe të gjithë ekipin e specialistëve dhe ekspertëve që kanë punuar për të përgatitur projektligjin për Mbrojtjen Civile që votojmë sot.

Sigurisht, dua të falënderoj veçanërisht edhe Kryeministrin për mbështetjen që i ka dhënë gjatë këtij procesi që për hir të së vërtetës ka qenë shumë kompleks dhe aspak i lehtë për t’u menaxhuar përmes gjithë aktorëve të përfshirë në mekanizmin e ri “Për Mbrojtjen Civile”.

Projektligji që keni përpara të cilin votojmë sot është produkti i një pune të gjatë, i një procesi të gjatë diskutimesh, ku kemi qenë me fat që kemi pasur mbështetje edhe nga shumë prej partnerëve tanë ndërkombëtarë – dua të veçoj Komandën Amerikane në Europë, Komisionin Europian dhe Kombet e Bashkuara. Është një proces që ka kërkuar kohë, por që jam e lumtur që kemi një produkt final vërtet të mirë, që adreson, jo vetëm problematikat që kemi pasur deri më sot në fushën e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore, por mbi të gjitha shënon fillimin e një transformimi të madh të të gjithë qasjes së shtetit shqiptar ndaj këtij sektori.

Siç e dini, ka kaluar rreth një vit e gjysmë që përgjegjësia për emergjencat civile, bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile ka kaluar tek Ministria e Mbrojtjes. Ka qenë një përgjegjësi e madhe, besoj që kemi ditur ta përballojmë më së miri gjatë kësaj periudhe kur sfidat nuk kanë munguar.

Kështu u përballëm dhe menaxhuam përmbytjet në Jug në 2018, ato në qarkun e Shkodrës në mars 2018, zjarret, sidomos gjatë vitit 2018, por edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, tërmetet në Dibër e Lezhë në gusht të 2018 apo këtë në Korçë, tani në 2019.

Përtej këtyre situatave emergjente, kemi realizuar edhe disa projekte të rëndësishme parandaluese, ku do të veçoja forcimin e argjinaturës së Vjosës në bashkëpunim me bashkinë e Fierit, duke siguruar komunitetin atje nga rreziku i përmbytjeve të vazhdueshme të Vjosës.

Për më tepër, sot janë rreth 400 milionë lek, pra 4 milionë dollarë, të akorduara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financës për emergjencat civile për realizimin e disa projekteve të përgatitura nga Ministria e Bujqësisë kryesisht për ndërtimin e argjinaturave dhe rehabilitimin e shtretërve të disa lumenjve, duke siguruar kështu komunitetet e atyre zonave, si përgjatë Shkumbinit apo Vjosës, por edhe përgjatë disa përrenjve problematikë tradicionalisht, si ai i Pllanës, apo i Troshanit, nga rreziku i përmbytjeve.

Është bërë vërtet shumë punë, por kjo periudhë ka qenë shumë e rëndësishme edhe për një arsye tjetër. Na ka lejuar të shohim nga afër dhe të kuptojmë problematikat me të cilat përballet ky sektor kaq jetik për sigurinë e qytetarëve dhe, duke përdorur ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare, të hartojmë një projektligj që ne shpresojmë do ta ndryshojë njëherë e mirë qasjen tonë përkundrejt adresimit të këtyre problematikave.

Së pari, ajo që dua të theksoj fort është se nëse ia kemi dalë të menaxhojmë me sukses pasojat e përmbytjeve, tërmeteve apo problematikat e tjera që vijnë nga fatkeqësitë natyrore, kjo i detyrohet mbi të gjitha profesionalizmit dhe përkushtimit të burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të FA, por edhe të njësive të qeverisjes vendore, prefekturave, forcave zjarrfikëse dhe të policisë, që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në kushte shpesh shumë të vështira.

Por, është po aq e vërtetë, që, këto burra e gra në shumë raste është dashur të punojnë, siç thotë një fjalë, me njërën dorë të lidhur pas shpine për shkak të problemeve të mëdha strukturore, ligjore dhe organizative me të cilat jemi përballur. Kompetenca të paqarta, të shpërndara, linja komunikimi shpesh të koklavitura dhe pa arsye racionale, përgjegjësi të lëna jetime, ka shumëçka që nuk funksionon në situatën aktuale në sektorin e përballimit të emergjencave civile. I vetmi drejtim në të cilin ka pasur realisht përmirësime ka qenë rritja e kapaciteteve, falë investimeve të qeverisë, apo më shumë akoma, bujarisë të aleatëve dhe partnerëve, siç ishte rasti i fundit, pak javë më parë, kur Komanda Amerikane në Europë na dhuroi një numër pajisjesh vërtet të rëndësishme, që do ta bëjnë punën tonë më të lehtë.

Megjithatë, për mua e pakuptueshme përse sektori i emergjencave civile nuk ka marrë më shumë vëmendje, ose përkundrazi, për thuajse 30 vjetëve të fundit, ky sektor është lënë thuajse në harresë.

Është e pakuptueshme sepse qoftë përsa i përket asaj që na ka rezervuar zoti, qoftë përsa i përket asaj që ka bërë robi, Shqipëria është një vend që përballet me një shkallë shumë të lartë rreziku nga fatkeqësitë natyrore. Çdo ekspert shqiptar apo i huaj, por edhe çdo raport ndërkombëtar, e thotë e zeza mbi të bardhë që Shqipëria është një nga 10 vendet e para në botë përsa i përket riskut të lartë ekonomik ku 86% e territorit është e ekspozuar ndaj dy ose më shumë rreziqeve. Apo, siç thotë raporti i Riskut Botëror i 2016 – që duhet thënë që ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne – përsa i përket indeksit të riskut nga fatkeqësitë natyrore, ku Shqipëria renditet e para, si vendi i parë i rrezikuar në Europë dhe i 40 në botë. Dhe të mos harrojmë që kësaj situate që buron nga shkaqe natyrore, për shkak të vendndodhjes së vendit tonë në një zonë sizmike aktive, për shkak të lumenjve malorë apo zonës klimaterike, i shtohet edhe ajo që i është bërë këtij vendi gjatë katrahurës së tranzicionit, kur humbi çdo kontroll mbi territorin: duke filluar nga prerja e pyjeve, te shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, e sidomos ndërtimi kuturu që ka shkatërruar një pjesë të mirë të infrastrukturës së ndërtuar ose të trashëguar më përpara, për të përballuar e minimizuar pasojat e këtyre fenomeneve.

Me pak fjalë, kur bëhet fjalë për aftësinë për t’u përballur me fatkeqësitë dhe emergjencat, Shqipëria i ngjan atij pacientit me sistem imunitar pak a shumë inekzistent, me mekanizma mbrojtës të dobësuar e të çakorduar.

Është nga ky lexim i situatës, që në fakt nuk është vetëm i joni, por edhe i partnerëve dhe aleatëve, që përmendet edhe në progres - raportet e Komisionit Europian vit pas viti dhe prej nga buron ky projektligj, që nuk ka për qëllim të arnojë kuadrin ligjor ekzistues, por që ka për qëllim të transformojë krejtësisht situatën duke na dhënë një sistem modern të mbrojtjes civile, siç i takon një vendi anëtar të NATO.
Përpara se të ndaj me ju disa nga risitë konkrete që sjell projektligji, më lejoni fare shkurt të përmend ato që janë 3 elementët e tij më të rëndësishëm:

Elementi i parë, e më themelor, lidhet me qasjen ndaj fatkeqësive ku ky ligji shënon vërtet një moment transformues pasi fokusi i përpjekjes sonë zhvendoset nga reagimi tek parandalimi. Pra, nga sot, krahas fuqizimit të kapaciteteve reaguese që sigurisht duhet dhe do të vazhdojë, fillon dhe puna për të marrë masa parandaluese e për të zvogëluar riskun me të cilin përballet vendi ynë dhe qytetarët. Duke i qëndruar metaforës nga shëndetësia që është një qasje identike me atë që zbatohet tashmë prej kohësh në mjekësi, ku çdo mjek mund t’ju thotë që parandalimi është jo vetëm shumë më efikas, por edhe me kosto më të ulët, sesa reagimi ndaj sëmundjes.

Mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur në 30 vitet e fundit për të kuptuar sesa e vërtetë është kjo. Është pritur duke parë nga qielli që të ndodhë fatkeqësia, ose të mos ndodhë, përmbytje apo tërmet apo zjarr, për të ndërhyrë pastaj me masa emergjence për të ndihmuar banorët dhe për të dëmshpërblyer dëmet. A bën sens? Ka qenë shumë e vështirë për ta bërë padiskutim sepse edhe kostot rriten ndjeshëm. A nuk do të kishte qenë shumë më mirë nëse do të kishim vepruar shumë më herët? A nuk do të kishte pasur shumë herë më tepër sens ekonomik, politik, apo njerëzor nëqoftëse në vend që të pritej me duar në xhepa që të ndodhte gjëma, të merreshin masa për ta parandaluar atë fatkeqësi natyrore duke investuar në argjinatura në pyllëzime apo në diga sipas rastit? Duke pasur minimumi një ide të qartë se nga na vjen rreziku e çfarë duhet të bëjmë për ta adresuar, pak nga pak, brenda mundësive tona financiare, vit pas viti? Sepse nuk mund të pretendojmë që gjithçka të bëhet me shkop magjik.
Sigurisht, kjo kërkon diçka që, siç thonë politologët, dallon shtetet dhe qeveritë serioze nga ato tafti - bafti: kërkon planifikim afatgjatë dhe marrjen e masave në kohë dhe jo kur troket emergjenca te dera. Është kjo qasje e re pra, është ky prioritizim i parandalimit, i zvogëlimit të riskut e planifikimit afatgjatë që shënon elementin më të rëndësishëm të ligjit të ri për Mbrojtjen Civile.
Dhe në këtë pika dua të shtoj edhe diçka tjetër, që duke miratuar këtë ligj Shqipëria përmbush edhe parametrat e Kuadrit Sendai për Reduktimin e Ligjit dhe të Fatkeqësive 2015 – 2030 të miratuar nga OKB, duke i hapur rrugë më në fund anëtarësimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane, që është një mekanizëm bashkëpunimi dhe koordinimi për reagimin ndaj fatkeqësive në Europë dhe më gjerë. Sepse besoj që është një fakt i papranueshëm dhe prova më e pakundërshtueshme e kësaj që po themi, që sot, vetëm Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Herzegovina mbeten ende jashtë këtij mekanizmi si pasojë e neglizhencës për të reformuar këtë sektor gjatë dekadave të fundit.

Elementi i dytë lidhet me nivelin e koordinimit dhe menaxhimit të mbrojtjes civile që parashikon ligji. Mekanizmi që po ngremë kërkon shumë më tepër koordinim ndërinstitucional, më shumë kapacitete dhe më shumë fleksibilitet në adresimin e çështjeve të zvogëlimit të riskut të fatkeqësive dhe mbrojtjes civile, çka nuk mund të arrihet përmes strukturës aktuale që kemi, një Drejtori të Përgjithshme të Emergjencave Civile. Prandaj Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile do të kthehet në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në një strukturë të përhershme ndërinstitucionale e nivelit të parë, me shumë më tepër autoritet, me kapacitete shumë më të mëdha administrative, teknike dhe financiare krahasuar me ato aktualet, me përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera të krahasueshme edhe me të gjitha strukturat homologe dhe me mekanizmin evropian ku synojmë të anëtarësohemi.

Elementi i tretë dhe që dua ta theksoj fort lidhet me ndarjet e qarta të përgjegjësive dhe mbajtjen e përgjegjësive përpara ligjit nga çdo institucion, gjë që në fakt ka munguar në ligjin e Emergjencave Civile deri më sot dhe kjo ka qenë një nga ato problematikat që na e ka vështirësuar punën sepse shpesh atje ku përgjegjësitë duhet të ishin të qarta, nuk kanë qenë. Dhe veçanërisht nga njësitë e qeverisjes vendore të cilat deri më sot e kanë neglizhuar në masë të madhe respektimin e parimit të subsidiaritetit dhe pse ky parim është sanksionuar me ligj që në vitin 2015.

Mekanizmi i mbrojtjes civile, qasja me fokus tek parandalimi kërkon jo vetëm një punë të përhershme, pra një punë çdo ditë, por edhe një punë nga një sërë aktorësh, padyshim njësitë e qeverisjes vendore kanë një peshë të madhe dhe të posaçme në këtë gjë. Nuk mund të vazhdohet më me situata si ato që kemi parë rëndom, ku në raste bllokimesh të rrugëve nga dëbora apo përmbytjesh, zbulojmë papritur që kompania që ka fituar tenderin për të mirëmbajtur rrugën apo për të bërë një punë të caktuar, nuk e bën punën e saj, dhe që është pritur të vijë ushtria apo FA për të bërë çdo gjë, sepse njësitë e qeverisjes vendore janë dorëzuar dhe kanë ngritur duart lart.

Shumë prej jush mund ta kenë dëgjuar atë historinë me atë djalin e vogël, që kur pa se po çahej diga, i vuri gishtin vrimës nga kullonte uji duke e shpëtuar të gjithë fshatin. E pra, është e papranueshme që shumica e njësive të qeverisjes vendore deri më sot nuk e kanë vënë ujin në zjarr për asgjë, por prisnin që të vinin dikur Policia pastaj Ushtria t’i vinin gishtin digës për të shpëtuar territorin që ata vetë kontrollojnë.
Ligji i ri përmban parashikime të qarta për çdo institucion, parashikime që fillojnë që nga fondi i buxhetit që duhet alokuar çdo vit nga emergjencat e deri tek detyrimi për hartimin e planeve të emergjencave, krijimin e bazës së të dhënave e kështu me radhë. Ligji, fatmirësisht, nuk lë vend për interpretime. Përgjegjësitë janë e zeza mbi të bardhë ashtu siç janë edhe sanksionet për ato institucione dhe drejtues institucionesh që nuk përmbushin detyrimet e tyre.

Për t’i kaluar shkurtimisht, disa nga risitë kryesore që sjell ky ligj janë:

• E para që përcakton Strategjinë Kombëtare për Reduktimin e Riskut të Fatkeqësive si dokumentin bazë strategjik të RSH në menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë çka është në mënyrë eksplicite reflektimi i gjetjeve të përvitshme të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë por edhe objektivi i pestë i Kuadrit Sendai.
• Projektligji vendos tavane të qarta për përqindjen e buxhetit për zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive dhe për mbrojtjen civile në 2 - 4%në ministritë e linjës dhe 4% e buxhetit për njësitë e qeverisjes vendore pra për bashkitë.
• Projektligji po ashtu sanksionon detyrimin për hartimin e Strategjisë të Zvogëlimit të Riskut ndaj Fatkeqësive për çdo NJQV.
• Sanksionon detyrimin për përgatitjen e dokumentit të vlerësimit të riskut dhe planeve të emergjencave civile në nivelin qendror, në atë të prefekturës dhe në atë vendor, pra bashkitë.
• Ndan qartë detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve, të subjekteve private, të organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile dhe të shtetasve në tërësi, bashkë me detyrimet specifike që lidhen me zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, të parashikuara në përputhje me Kuadrin Sendai.
• Projektligji i kushton vëmendje të posaçme mbrojtjes të infrastrukturës kritike dhe trashëgimisë kulturore. Dhe këtu duhet theksuar që Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë dhe Plani për Emergjencat Civile, janë të detyrueshme edhe për infrastrukturën kritike.
• Projektligji bën të detyrueshme Planet për Emergjencat Civile për institucionet shtetërore, por edhe subjektet private në sektorët e shëndetësisë, të arsimit, mirëqenies sociale, kulturës, të mjedisit dhe turizmit sikurse për subjektet që prodhojnë dhe magazinojnë materiale të rrezikshme, karburante apo derivate të tyre, apo që mund të kryejnë veprimtari me mjete të rrezikshme.
• Përmban sanksione të qarta për të gjithë institucionet publike, por edhe subjektet private, sikurse përcakton qartë edhe funksionimin e mekanizmit të inspektimit;
• Rrit në mënyrë thelbësore rolin e prefektit të qarkut dhe NJVV-ve në zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive dhe Mbrojtjen Civile;
• Dhe mundëson krijimin e një baze të të dhënave të fatkeqësive në të treja nivelet, pra në atë qendror, të prefekturës dhe vendor, sikurse sanksionohet detyrimi i vlerësimit të dëmeve të fatkeqësive nga ministritë dhe bashkitë, gjë që për fat të keq nuk ka ndodhur deri më sot.

Për të hartuar këtë ligj na është dashur një kohë e gjatë dhe sigurisht që për ta zbatuar atë e për të ngritur në këmbë mekanizmin që ai parashikon do të duhet realisht shumë punë. Po nëse disa nga kërkesat e ligjit, siç është ajo e buxhetit për shembull, do të fillojnë të zbatohen që në buxhetin e radhës, disa pika të tjera do të kërkojnë kohën e tyre, ndërkohë që disa të tjera akoma, siç është ajo e edukimit të fëmijëve mbi mjedisin dhe emergjencat, apo promovimi i vullnetarizmit, do të kërkojnë ndoshta një dekadë a më shumë përpara se të fillojnë të japin rezultate konkrete. Por ama, nëse kemi mësuar një gjë deri më sot është, që nuk mund të vazhdojmë më me zgjidhje afatshkurtra, sa për të kaluar lumin e nuk mund të vazhdojmë të shpresojmë që do të na eci fati e s’do të ndodhë asgjë.

Prandaj, për të gjitha këto arsye, i ftoj kolegët ta miratojmë mundësisht unanimisht këtë ligj që do të ketë një impakt vërtet të madh shpresojmë për përmirësimin e sigurisë së qytetarëve tanë.

Submit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn


68 vjet Arma e Aviacionit 24 prill 2019Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak në Shqipëri, u hodh në 1914, kur qeveria shqiptare porositi blerjen e...
Shqipëria 10 vite në NATO Mars 2019Viti 2019 përkon me 10 - Vjetorin e Anëtarësimit të vendit tonë në NATO, më 1 Prill 2009...
Ditari Javor 2019Ditari, të rejat kryesore të javës...
Ministeriali i Mbrojtjes, Bruksel 26 - 27 qershor 26 - 27 qershor 2019Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi mori pjesë në punimet e Ministerialit të Mbrojtjes të NATO që u zhvillua në Bruksel,...
Ministeriali i NATO, Xhaçka: 2% e PBB për FA deri në vitin 2024 4-5 tetor 2018Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës të Atlantikut të Veriut...
Ministrja Xhaçka vizitë zyrtare në SHBA 17-18 prill 2018Washington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë Shqipërinë një aleat të denjë të NATO dhe vend lider në Ballkanin Perëndimor...
FA shpëtojnë nënën e sëmurë në Kukës27 shkurt 2018Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit...
Ministeriali i NATO, takimi Stoltenberg - Xhaçka14 - 15 shkurt 2018Ministrja Xhaçka merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO në Bruksel...
Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeveNëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17”14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturëShtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosuraprill 2018Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë dhe kërkon të rekrutojë 100...
Strategjia UshtarakeKorrik 2015Në themel të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2019Janar 2019 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 08 (2019) Gusht 2019Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 16 gusht 2019Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Gusht 2019
Ma En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1