Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes në 106 - Vjetorin e Krijimit të FARSH dhe nisjes së kontingjentit të radhës për në Afganistan

Të nderuar gjeneralë, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,
të dashur miq, familjarë të ushtarakëve tanë,
civilë që shërbeni në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë,

i nderuar ambasador Yörük, shumë faleminderit për fjalën tuaj,
të dashur miq e të pranishëm!

Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi sot përkujtojmë një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë shtet-formuese, Ditën e Krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Më 4 Dhjetor 1912, pikërisht disa ditë pasi burri i madh i kombit shqiptar, patrioti Ismail Qemali, vendosi gurin e parë në themelet e shtetit shqiptar, një nga dekretet e para dhe ndër më të rëndësishmit, që ai firmosi, ishte krijimi i Ministrisë së Luftës dhe emërimi i Mehmet Pashë Dërrallës si ministër i parë i saj.

Krijimi i Ministrisë së Luftës, në atë kohë të vrullshme të historisë dhe të ekzistencës së shtetit shqiptar të sapoformuar, ishte një domosdoshmëri historike dhe tepër jetike për mbijetesën e kombit tonë dhe të pavarësisë së porsashpallur. Ministria e Luftës, mori përsipër barrën e madhe historike, misionin e ruajtjes së pavarësisë së vendit dhe të mbrojtjes së qeverisë së parë të shtetit të ri shqiptar, duke mos pasur asnjë strukturë të mirëfilltë ushtarake, përveç vullnetarëve dhe mbështetësve të tyre. Trimat e Labërisë, luftëtarët e Kosovës martire dhe mbështetësit e Ismail Qemalit u bënë ushtarët e parë të Ministrisë së Luftës, ndërkohë që Shkodra mbrohej në rrethim. Ishte një kohë e turbullt kur gjërat ishin ende të paqarta dhe situatat mund të përmbyseshin shumë lehtë. Vetëm këta trima dhe atdhetarë të zjarrtë e të përkushtuar ndaj atdheut, mund të mbanin mbi shpatulla një barrë të tillë historike.

Kuptohet që Ministria e Luftës e asaj kohe ishte shumë larg përfytyrimit që ne kemi sot për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për Forcat e Armatosura, por në ato kushte, ishte më e mira që mund të bëhej dhe ata e realizuan me sukses misionin që historia iu kishte ngarkuar.  Është kjo histori që na bën krenarë, por njëherazi na ngarkon me një përgjegjësi akoma më të madhe për të vijuar atë që këta burra shteti filluan në ato kohë shumë të vështira. Jam krenare të pohoj se Forcat tona të Armatosura kanë trashëguar dhe vazhdojnë të përçojnë vlerat më të mira të traditës sonë patriotike si dhe vetitë më të mira, të atyre që mundësuan formimin e shtetit shqiptar.

Në këtë përvjetor, ne ndjejmë një krenari të ligjshme, për arsyen se sot ne kemi një ushtri profesioniste, që po forcohet nga viti në vit, duke pasur vizion e synime të qarta për të ardhmen. Forcat e Armatosura janë pjesë e organizatës më të fuqishme të sigurisë në botë dhe anëtarësimi në NATO, e ka shndërruar Forcën e Armatosur, në një pjesë vitale të vendit tonë.

Në këtë ditë të veçantë për të gjithë ne, dua të përshëndes të gjithë personelin e Forcave të Armatosura, për kontributin, angazhimin, përkushtimin, sakrificën e treguar për realizimin e të gjitha detyrave në përmbushje të misionit kushtetues. Këta burra dhe gra sakrifikojnë çdo ditë nga jeta e tyre personale dhe i përkushtohen kauzës së sigurisë dhe të mbrojtjes jo vetëm të vendit tonë, por edhe të hapësirës euroatlantike, së bashku me familjen tonë të madhe të përbashkët, atë të NATO.

Gjej rastin të shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për të gjithë ata burra e gra që kanë shërbyer ndër vite në Forcat tona të Armatosura.

Një urim të veçantë në këtë ditë, dua të përcjell për të gjithë personelin e FA, që kryen detyra në shtabet dhe misionet e NATO kudo në botë, me qindra e mijëra kilometra larg vendit tonë. Jemi shumë krenarë për ju dhe jemi bashkë me ju në Afganistanin e largët e të trazuar, në detin Egje, Bosnjë, Kosovë, Mali, Letoni etj. Ju po i shërbeni stabilitetit, demokracisë dhe paqes. Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë dhe po përfaqësoni me dinjitet sikundër përcillni vlerat më të mira të vendit tonë kudo ku shërbeni.

Mirënjohje dhe respekt për punën dhe kontributin tuaj!

Urimet më të mira dhe gëzuar Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Të nderuar pjesëmarrës,

eventit të sotëm i shtohet edhe një koincidencë shumë e bukur, pasi sot po nisim djemtë, shokët, vëllezërit dhe miqtë tanë në Afganistan, ku do të përballen në misionin dhe detyrën e vështirë, në frontin më sfidues dhe më të rëndësishëm të NATO.

106 vite më parë, burrat e kombit tonë i dilnin zot vendit, ndërsa sot 106 vite më pas këta djem shkojnë t’i dalin zot vlerave të paqes dhe lirisë atje ku e kërkon nevoja, në vendet ku këto vlera janë vënë në rrezik.

Ceremoni të tilla, në këto vite të angazhimit të Forcave të Armatosura në misionet paqeruajtëse, janë bërë tashmë një ritual i zakonshëm, por çdo ceremoni mbart në vetvete emocionet e veta. Çdo mision na rrit vlerat, na rrit përvojën dhe profesionalizmin.

Ky do të jetë Kontingjenti i 106 - Vjetorit të Krijimit të Forcave të Armatosura!

Forcat tona të Armatosura kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm në operacionet paqeruajtëse në disa vende të globit, por vitet e fundit, me konsolidimin e mëtejshëm të tyre, gjeografia e operacioneve është zgjeruar dhe kontributi ka pësuar një spirale ngritëse shumë cilësore. Fakt për këtë është historiku i angazhimeve tona në operacionet paqeruajtëse. Ne jemi prezent në Afganistan, ku për herë të parë këtë vit forcat tona speciale po trajnojnë forcat speciale afgane. Njëherësh jemi kontribues edhe në Mali, Kosovë, Bosnje - Hercegovinë, Letoni dhe së shpejti do të fillojmë angazhimet nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Djemtë tanë të Forcës Detare vijojnë operacionet duke shpëtuar çdo muaj dhjetëra jetë njerëzish në detin Egje. Kontributi me ekipin EOD në Mali, me ekipin trajnues të Forcave Speciale si dhe kontributet me përfaqësues dhe oficerë shtabesh në komandat në kuadër të operacionit Resolute Support Mission (RSM), i kanë rritur së tepërmi kreditet e kontributit të vendit tonë në kuadër të Aleancës.

Përfaqësimi në këto misione është shndërruar tashmë në simbolin e profesionalizmit dhe të përkushtimit të ushtarakëve tanë. Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe profesionalizmi i tyre është demonstruar në marrjen përsipër dhe kryerjen e detyrave me rrezikshmëri të lartë në bashkëpunim me trupat aleate, për të cilat unë personalisht kam marrë vlerësime maksimale dhe të merituara prej personaliteteve më të larta ushtarake dhe politike të Aleancës gjatë vizitave në teatrot e operacioneve, por edhe në takime të nivelit të lartë të NATO.

Të nderuar ushtarakë,

misioni që ju do të kryeni është sa fisnik aq edhe shumë i rëndësishëm. Dua t’ju siguroj se kontributi, mundi dhe sakrifica e juaj, ka vëmendjen, mbështetjen dhe mirënjohjen jo vetëm të lidershipit politik dhe ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, por dhe të gjithë shoqërisë sonë, që sot më shumë se kurrë kupton vlerën e sakrificës tuaj në luftën ndaj atyre që cenojnë vlerat e lirisë, të paqes dhe stabilitetit. Ju po niseni për të vijuar historinë e sakrificës dhe profesionalizmit ushtarak, të krijuar nga kolegët tuaj në misionet e mëparshme. Duke ju uruar suksese në misionin e vështirë dhe sfidat që ju presin, mbetem e sigurt se në përgatitjen, aftësitë dhe seriozitetin tuaj, ju do të keni çfarë tregoni, do të dini si të ngriheni në lartësinë që ua kërkon detyra duke shërbyer me dinjitet dhe të barabartë midis kolegëve. Ne do të jemi me mendje dhe zemër pranë jush, do ju ndjekim çdo ditë në përmbushjen e detyrave tuaja dhe do të gëzohemi me sukseset tuaja.
Sakrifica do të jetë jo vetëm e juaja, por pa diskutim edhe e familjarëve, shokëve dhe të dashurve tuaj, të cilëve do t’u mungoni edhe pse i mbushni me krenari për rolin dhe angazhimin tuaj në luftën kundër terrorizmit.

Ju jeni i nderi i Forcave të Armatosura, nderi i Shqipërisë sonë!

Dalshi faqebardhë dhe u kthefshi shëndoshë e mirë!

Të nderuar familjarë të misionarëve tanë!

Dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë për atë çfarë bijtë tuaj po bëjnë për vendin tonë, për Aleancën dhe Afganistanin si dhe t’ju falënderoj për mbështetjen që ju i jepni bijve dhe familjarëve tuaj në këtë angazhim aspak të lehtë. Ne ju konsiderojmë pjesë të rëndësishme për realizimit me sukses të këtij misioni. Ne jemi të ndërgjegjshëm se asgjë nuk mund ta mbushë boshllëkun e mungesës fizike të bijve tuaj, por unë dua t’ju siguroj se Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e Forcave të Armatosura do të jenë përherë pranë jush për t’ua lehtësuar sado pak këtë mungesë.

I nderuar ambasador,

pjesëmarrja e trupave tanë në misionin Resolute Support Mision ka patur mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve tanë strategjikë. Gjej rastin të shpreh vlerësimin maksimal dhe mirënjohjen e veçantë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për këtë bashkëpunim. Shpreh bindjen se bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në të ardhmen veçanërisht në Afganistan nën komandën turke, ku djemtë tanë për hir të së vërtetës janë ndjerë vërtetë shumë të kujdesur.

Me lejoni të përfundoj duke ju uruar edhe njëherë:

Gëzuar ditën e Forcave të Armatosura!

Dhe suksese djemve tanë në sfidën e radhës!

Faleminderit!

Submit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn


Ministeriali i NATO, Xhaçka: 2% e PBB për FA deri në vitin 2024 4-5 tetor 2018Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës të Atlantikut të Veriut...
Buletini mujor nëntor 2018Ditari, të rejat kryesore nëntor 2018...
Ministrja Xhaçka vizitë zyrtare në SHBA 17-18 prill 2018Washington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë Shqipërinë një aleat të denjë të NATO dhe vend lider në Ballkanin Perëndimor...
FA shpëtojnë nënën e sëmurë në Kukës27 shkurt 2018Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit...
Ministeriali i NATO, takimi Stoltenberg - Xhaçka14 - 15 shkurt 2018Ministrja Xhaçka merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO në Bruksel...
Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeveNëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17”14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturëShtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosuraprill 2018Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë dhe kërkon të rekrutojë 100...
Strategjia UshtarakeKorrik 2015Në themel të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2018Shkurt 2018 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 12 (2018) Dhjetor 2018Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 30 nëntor 2018Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Dhjetor 2018
Ma En Pr Sh Di
26 27 28 29 30 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31 1 2 3 4 5 6