Fjala e plotë e ministres Xhaçka në aktivitetin e festës së 29 Nëntorit 2018

Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes, Olta  Xhaçka në aktivitetin e festës së 29 Nëntorit 2018, mbajtur në Tiranë.

Të nderuar shkëlqesi, ambasadorë,

të nderuar gjeneralë dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Të nderuar miq, të ftuar, qytetarë të Tiranës!

Jam vërtetë e emocionuar nga fjalimi i Alteas, nuk e prisja, është e jashtëzakonshme që dikush në këtë moshë mund shpreh kaq bukur dhe kaq qartë të gjitha arsyet e jashtëzakonshme pse djemtë edhe vajzat tona me uniformë bëjnë atë që bëjnë me shumë dashuri dhe sakrificë.

Faleminderit e dashur Altea, faleminderit për shërbimin e babait tënd dhe faleminderit gjithë secilit për atë që bëni. Dua t’ju falënderoj po ashtu të gjithëve që jeni bërë pjesë e familjes sonë të bukur ushtarake për të kremtuar të gjithë së bashku një nga ngjarjet dhe një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë moderne, 74 - Vjetorin e Çlirimit të vendit tonë nga një prej pushtimeve më të egra, atë nazi-fashist.

Sot është momenti që ne të gjithë të ndihemi krenarë për atë çfarë gjyshërit dhe baballarët tanë, atëherë të rinj, bënë 74 vite më parë, duke marrë mbi supet e tyre fatin e vendit dhe duke shenjuar me germa të arta, historinë e Shqipërisë.

74 vite më parë, kur akoma nuk ishte shuar jehona e krismave dhe era e barutit të armëve të brigadave partizane që ҫliruan Tiranën, një tjetër qytet, Shkodra, do të gdhihej i lirë, duke vulosur përfundimisht fitoren tonë mbi pushtuesit dhe çlirimin e plotë të vendit.

74 vite më parë këtu festohej me plot të drejtë arritja e fitores historike të ҫlirimit të Atdheut.

Kjo datë, është padyshim, një nga ditët më të rëndësishme për historinë e vendit tonë, një ditë e shënuar me gjakun dhe sakrificat e popullit, në një periudhë të vështirë dhe të errët jo vetëm për historinë e vendit tonë, por edhe për historinë botërore, siç ishte Lufta e Dytë Botërore.

Vendi ynë pati meritën e pa mohueshme të kontributit dhe të rreshtimit në koalicionin e madh antifashist, duke bërë një zgjedhje historike, e cila e vendos vendin tonë në anën e drejtë të historisë, së bashku me kombet më të përparuara të Evropës.

Lufta jonë, që solli lirinë e vendit, mund të konsiderohet si pasaporta evropiane e Shqipërisë, si një event i shënuar i qytetërimit tonë, që dëshmon për forcën dhe vitalitetin tonë dhe ne kemi detyrimin ta përkujtojmë këtë moment historik me dinjitetin që ai meriton dhe të mbajmë gjallë kujtimin dhe vlerat e tij dhe të motivohemi prej tij.

Jemi krenarë dhe përkulemi me respekt përpara veprës dhe kujtimit të atyre shqiptarëve patriotë dhe me zemër të madhe, pjesa dërrmuese të reja e të rinj, të cilët me kurajë, vendosën zemrat e tyre, përballë makinerisë më të madhe të kohës, luftuan me armë në dorë dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre në lulen e rinisë dhe ia dolën të ishin fitimtarë duke merituar mirënjohjen dhe respektin jo vetëm tonin por dhe të gjithë brezave që do të vijnë.

Historia do t’iu jetë përherë mirënjohës dhe do të ketë përherë një vend nderi për ta.

Përveҫ se një datë historike, 29 Nëntori është edhe një ditë kujtese, e cila na ndihmon të mos harrojmë sa e ҫmuar është liria, cfarë sakrificash kërkon ajo. Na rikujton detyrimet e gjithësecilit prej nesh që liria e vendit tonë të mos cënohet.

Shqipëria e ka historinë e saj mbushur me luftëra dhe sakrifica, por sot, 74 vite pas ҫlirimit, ne përjetojmë një situatë krejtësisht të ndryshme.
Ky moment na gjen të rreshtuar krah forcave aleate të NATO për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe shtetit ligjor, jo vetëm brenda vendit tonë, por dhe hapësirës së NATO, por edhe atje ku këto vlera janë të kërcënuara nga forca të errëta dhe regresive.
Këta djem dhe vajza me uniformë, që janë bashkuar me ne në këtë kremtim, janë rojet e lirisë së vendit tonë, janë heronjë e heshtur të historisë së tashme të vendit tonë, janë pasues dhe bartës të vlerave më të mira morale dhe patriotike të dëshmorëve dhe veteranëve tanë. Janë të rinjtë shqiptarë, që mbajnë të pashuar flakën e kujtimit të Luftës Nacionalçlirimtare.

Sot në këtë aktivitet kemi ekspozuar një pjesë shumë të vogël nga jeta dhe veprimtaria e këtyre djemve dhe vajzave. Por ajo që ata bëjnë në realitet, ajo ҫfarë ata i ofrojnë vendit tonë, është e pamundur të përcillet në kaq pak hapësirë. Kjo hapësirë është thjesht, e pamjaftueshme për ata.

Këta të rinj me uniformë janë përherë midis njerëzve, pranë komunitetit, janë atje, ku jeta e njerëzve është në rrezik dhe ka nevojë për ndërhyrjen e tyre.

Këto janë Forcat tona të Armatosura, krenaria dhe garancia e lirisë dhe sigurisë së vendit tonë.

Të jesh pjesëtar i këtyre forcave, do të thotë të jesh në frontin kryesor dhe më të vështirë në rastin e Emergjencave Civile, të rrezikosh jetën për të shpëtuar familje dhe fëmijë të rrezikuar nga katastrofat natyrore, të ndihmosh familje të shpërngulura nga këto katatrofa.

Do të thotë të vesh jetën në rrezik për të pastruar hotspotet nga eksplozivat e rrezikshëm, të shkatërrosh masivë shkëmbore, të ndërtosh rrugë dhe ura në kushte të vështira, për ta bërë vendin tonë një vend më të sigurt dhe më të mirë për të jetuar dhe punuar me një cilësi jete të përmirësuar. Do të thotë gjithashtu si tha edhe Altea, të sakrifikosh duke lënë bashkëshortët, fëmijët dhe familjarët, për të shërbyer atje ku interesi e Aleancës dhe siguria e kërkon, për të ndihmuar të tjerë të panjohur, aty ku jeta e tyre kërcënohet.

Të jesh pjestar i Forcave tona të Armatosura do të thotë të kesh fuqinë dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit tënd, për t’i shërbyer shoqërisë, vlerave më të mira njerëzore.

Këta djem dhe vajza përfaqësojnë me dinjitet vendin tonë në misione të vështira në Afganistan, në Kosovë, në detin Egje, Letoni, Mali, Bosnje dhe bëjnë që flamuri ynë të valëvitet me krenari pranë flamujve të aleatëve tanë.

Këto janë Forcat e Armatosura të Shqipërisë, do të thoja janë ajka e shoqërisë shqiptare, të cilët meritojnë gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë për shërbimin që i bëjnë vendit tonë dhe familjes sonë të madhe, NATO-s.

Të nderuar miq,

Më lejoni t’ju rikujtoj se përkujtimi i këtij 29 Nëntori, ka sot një ngjyrim të veçantë, pasi jemi në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Forcat tona të Armatosura kanë qenë një nga pikat e referimit të këtij viti.

Falë transformimeve rrënjësore, Forcat e Armatosura janë shndërruar një pol orientues, do të thoja, edhe për shoqërinë tonë.

Ndoshta këto mjete, që do të shikoni sot të ekspozuara këtu, nuk janë të mjaftueshme për të kryer të gjitha këto angazhime dhe punë që kemi marrë përsipër jo vetëm për interesin tonë kombëtar, por edhe në kuadër të nevojave të aleancës sonë të NATO, por të mos harrojmë se fatin e luftës nuk e përcakton vetëm fuqia e mjeteve luftarake, por forca dhe dëshira për të jetuar të lirë. Ndaj, ju siguroj se këta djem i kanë të gjitha virtutet e paraardhësve të tyre luftëtarë e patriotë dhe vendosin zemrën në cdo punë që kryejnë, dhe kjo eshte forca jonë më e madhe.

Më lejoni të përfundoj duke ju uruar:

Gëzuar Festën e Çlirimit!

Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare!

Submit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn


Ministeriali i NATO, Xhaçka: 2% e PBB për FA deri në vitin 2024 4-5 tetor 2018Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës të Atlantikut të Veriut...
Buletini mujor nëntor 2018Ditari, të rejat kryesore nëntor 2018...
Ministrja Xhaçka vizitë zyrtare në SHBA 17-18 prill 2018Washington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë Shqipërinë një aleat të denjë të NATO dhe vend lider në Ballkanin Perëndimor...
FA shpëtojnë nënën e sëmurë në Kukës27 shkurt 2018Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit...
Ministeriali i NATO, takimi Stoltenberg - Xhaçka14 - 15 shkurt 2018Ministrja Xhaçka merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO në Bruksel...
Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeveNëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17”14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturëShtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosuraprill 2018Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë dhe kërkon të rekrutojë 100...
Strategjia UshtarakeKorrik 2015Në themel të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2018Shkurt 2018 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 12 (2018) Dhjetor 2018Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 30 nëntor 2018Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Dhjetor 2018
Ma En Pr Sh Di
26 27 28 29 30 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31 1 2 3 4 5 6