Takimi i ministri të Mbrojtjes me prefektët për emergjencat civile në Çerven, Fier

Forcat tona të Armatosura kanë filluar që ta ndryshojnë pak historinë e përballjes me Emergjencat Civile, nga adresimi kur ato ndodhin, në projekte të parandalimit për të menaxhuar sado të jetë e mundur, atë që, z. Çako quante, riskun e emergjencave dhe jo thjesht përballimin e emergjencave.

Tashmë nga faza e ndërhyrjes gjatë emergjencave civile, po kalojmë në fazën parandaluese. Dhe është pikërisht këtu në këtë zonë që Forcat e Armatosura po i japin jetë një projekti, siç tha edhe kryetari, për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Vjosa, ku prej afro një muaji, specialistë edhe nga bashkia edhe nga FA, edhe nga Bordi i Kullimit dhe institucione të tjera, të cilat janë bërë pjesë të kësaj përpjekjeje, janë duke vijuar punimet për përforcimin e më shumë se 3 km argjinaturë.

Zbatimi i këtij projekti, i cili në kushte të tjera do të kishte kushtuar miliona euro, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të FA, por edhe të një koordinimi të jashtëzakonshëm, që na ka bërë kryetari Armando Subashi do të kushtojë shumë po shumë herë më pak.

Këtë vit ne jemi duke përballur me disa, ose më saktë, jemi përballur me shumë situata të emergjencave civile. Nuk dua të hyj në shifra edhe në të dhëna, të cilat i përmendi pak edhe zoti Çako, por dua t’ju përcjell shqetësimin e Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe të qeverisë në lidhje me emergjencat civile si dhe me koordinimin e punës për parandalimin e tyre.

E thamë, duhet të hyjmë në një fazë të re, është mëse e domosdoshme, pasi pothuajse në çdo vit dhe në çdo pjesë të territorit të vendit përballemi me emergjenca civile të natyrave të ndryshme, duke filluar nga zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës, rrezikimin e banesave dhe të banorëve, rënien e masiveve të shkëmbinjve duke bllokuar akse rrugore dhe duke u kthyer në burime aksidentesh.

Arsyet e ndodhjes së këtyre fenomeneve, në fakt, janë nga më të ndryshmet, por në shumicën e tyre është aktiviteti njerëzor dhe dëmtimet, që me dashje apo pa dashje po i shkaktojnë vendit, ekonomisë sonë dhe ambientit ku jetojmë shumë pasoja.

Kemi mbërritur në një pikë, në të cilën duhet të mendojmë seriozisht për të ndërhyrë dhe për të marrë të gjitha masat për të parandaluar sado të jetë e mundur të gjitha këto probleme, pasi kostot e dëmeve që vijnë, shtohen çdo vit dhe çdo vonesë padiskutim është e pa justifikueshme.

Sigurisht që nuk është në dorën tonë të ndalim fenomenet natyrore, por ajo që ne kemi plotësisht në dorë, është të marrim masa parandaluese me qëllim që të shmangim pasojat që ato sjellin. Dhe është me shumë leverdi që të parandalojmë padiskutim sesa të përballojmë emergjencat civile dhe pasojat e tyre.

Tashmë që Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka kaluar administrativisht nën vartësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, ne na janë shtuar shumë më tepër përgjegjësitë institucionale për të bërë më të mirën, por më e mira sigurisht nuk mund të bëhet vetëm. Nevojitet një bashkim forcash, nevojitet një planifikim i saktë, nevojitet koordinim veprimesh dhe masa efikase parandaluese, e theksoj, parandaluese.

Unë do të doja të theksoja edhe nevojën e ndërgjegjësimit dhe të sensibilizimit të gjithë aktorëve që kanë detyrime dhe përgjegjësi ligjore, duke filluar nga prefektët, te kryetarët e bashkive, por edhe të gjitha strukturat e tjera të EC.

Pa dashur të bëj listimin e këtyre detyrimeve ligjore që gjithësecili prej jush ka në detyrat që kryeni, do të doja t’ju tërhiqja vëmendjen për krijimin dhe përdorimin më të mirë të kapaciteteve tuaja lokale për përballimin e emergjencave civile. Siç po bën sot Bashkia Fier falë edhe mbështetjes tonë, edhe mbështetjes së kryeministrit padiskutim, por pikësëpari falë një planifikimi shumë të mirë, falë një projekti shumë të saktë edhe shumë të përgëzueshëm. Falë një angazhimi të të gjitha kapaciteteve të saja, pra Bashkisë Fier të cilat patjetër do t’i mbështesnim edhe ne si FA që EC i kemi fushë tonë të përgjegjësisë.

Forcat e Armatosura kanë qenë vazhdimisht të angazhuara në emergjencat civile, edhe kur ato nuk kanë qenë përgjegjësi e jona, por kanë qenë përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme. Jo vetëm sepse kjo është një nga detyrat e misionit të tyre, por sepse ato disponojnë kapacitete, kryejnë trajnime për të kryer detyra të tilla, pra detyra të emergjencave, por, e theksoj, kanë krijuar edhe kulturën për ta kryer një punë të tillë. Por kjo nuk do të thotë se duhet kaluar masa.

Është krijuar një perceptim i gabuar dhe abuziv vende - vende, lidhur me gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcave të Armatosura dhe angazhimin e tyre në emergjencat civile. Dhe për këtë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj dhe veçanërisht të prefektëve të cilët edhe vijnë nga radhët e FA dhe pastaj pa diskutim edhe të përfaqësuesve të pushtetit vendor.

Vërtet FA janë të organizuara dhe të gatshme të ndërhyjnë në çdo kohë, por ligji e përcakton shumë qartë se kur ato ndërhyjnë dhe, ato ndërhyjnë, kur strukturat e tjera, që e kanë për detyrë, nuk ia dalin dot dhe situata mund të dalë jashtë kontrollit, ose kur FA ofrojnë kapacitete të cilat strukturat vendore nuk i disponojnë siç është rasti i përpjekjeve të përbashkëta në Bashkinë Fier sot.

Vërejmë një tendencë që shumë prej strukturave vendore nuk e bëjnë siç duhet monitorimin e vazhdueshëm të territorit në juridiksionin e tyre, nuk bëjnë vlerësime të sakta për shkallën e emergjencës, si dhe nuk reagojnë në kohë me kapacitetet e tyre, por gjejnë rrugën më të shkurtër, duke thirrur për ndihmë Forcat e Armatosura. Sigurisht nuk ka asnjë gjë të keqe deri këtu, sepse ne do të jemi gjithmonë në ndihmë të qytetarëve dhe të komunitetit, por nuk është e drejtë dhe nuk është aspak racionale që për çdo rast, qoftë edhe për një situatë lehtësisht të menaxhueshme nga strukturat lokale, të thërrasim Forcat e Armatosura. Kjo sjell një konsum të kuptueshëm, por mbi të gjitha, sjell disa kosto të pajustifikueshme sa herë që lëviz ushtria me gjithë pasojat dhe kostot që e shoqërojnë.

Kemi kaluar një situatë të vështirë gjatë këtyre dy muajve të fundit, me qindra vatra zjarri. Dhe me keqardhje mund të them se atë që parandaluam me angazhim dhe me kontroll maksimal gjatë verës, nuk arritëm dot ta parandalonim, apo ta menaxhonim siç duhet këtë prag vjeshte dhe këtë prag dimri.

Jo më larg se dje, Forcat e Armatosura kanë angazhuar trupa dhe mjete deri edhe helikopterët për shuarjen e zjarreve të masivit pyjor të Rrajcës. Nuk besoj se ndonjëri prej nesh mendon se zjarri në këtë periudhe është shkaktuar nga shkaqe të tjera përveçse shkaqeve njerëzore. Ai që i vë zjarrin parcelës së tij me shpresën e gabuar se vitin tjetër do ta ketë më pjellore, ndoshta nuk i bën llogaritë mirë për dëmin e parikuperueshëm që shkakton. Por ato pemë të djegura, jo vetëm atje në parcelën e vet, por zjarri është i pakontrollueshëm pastaj në përmasat që merr, ato pemë të djegura përveç vlerës së tyre do të ndikojnë në jetën e qytetarëve, në ekosistem, në kushte meteorologjike, në cilësinë e ajrit, në erozionin e qëndrueshëm të tokës. I them të gjitha këto sepse pasojat e papërgjegjshmërisë së një personi të vetëm, shkaktojnë pasoja zinxhir të jashtëzakonshme për të gjithë komunitetin, për vendin tonë, për ekonominë tonë. Dhe është shumë e rëndësishme që gjithsecili prej nesh t’i dalë për zot përgjegjësisë së tij në funksionin patjetër të ministrit të Mbrojtjes, të FA, të Drejtorisë së EC, të prefektit, të kryetarit të bashkisë, përfaqësuesve të pushtetit vendor, të administratorëve, në detyrën e vet për të parandaluar sa të jetë e mundur të gjitha këto pasoja, të gjitha këto problematika. Patjetër, mosparashikimi i të gjitha këtyre masave parandaluese, na përball pastaj me disa llogari, me disa kosto të ndërhyrjeve, kur problemet ndodhin, të cilat nuk janë të papërfillshme, janë shumë të përfillshme.

Të gjitha rëndojnë mbi të gjithë ne, rëndojnë mbi xhepat tanë, rëndojnë mbi xhepat e taksapaguese tanë, të buxhetit tonë, që është i limituar. Pasi të gjitha këto dëme përkthehen në fonde të munguara për investime publike, në fonde të munguara për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Dhe kjo padiskutim është detyra kryesore e gjithësecilit prej nesh në detyrat që mbajmë.

Prandaj edhe njëherë e theksoj se nevojitet ndërgjegjësimi i popullsisë dhe i komunitetit e gjithësecilit prej jush, për aq sa është e mundur, për të mos krijuar premisa të cilat bëhen shkak për emergjenca civile; për të parandaluar si dhe për t’u bërë pjesë e përpjekjeve për përballimin e emergjencave si dhe eliminimin e pasojave, pasi kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve. Dhe në këtë pikë roli i strukturave tuaja është padiskutim parësor.

Për të qenë sa më efikas në përballimin e situatave emergjente, duhet të planifikojmë dhe të mendojmë më parë për masat që duhen marrë. Ashtu siç po bën sot Bashkia Fier dhe Armando Subashi që unë e përgëzoj për insistimin e tij për të na bërë të gjithëve bashkë për të bërë këtë vepër, që jam e bindur që do të na kursejë nesër shumë përpjekje, shumë para, shumë mund dhe mbi të gjitha do t’i kursejë të gjithë atyre banorëve që tradicionalisht janë përmbytur në këto zona ato strese dhe ato probleme, që kanë vuajtur periodikisht për një kohë shumë të gjatë. Sigurisht gjithësecili prej nesh, në detyrat dhe në rolet që kemi, duhet të bëjmë çmos, që çdo aktor përgjegjësinë e vet ta ushtrojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po afron dimri dhe bashkë me prefekturën do të jemi në krye të punëve për të monitoruar gjithësecilin. Fjala që bie, Autoriteti Kombëtar Rrugor dhe bashkitë duhet të kontrollojë gatishmërinë e mjeteve të pastrimit të rrugëve, disponueshmërinë e materialeve, të skorjeve të kripës që ka një afat, një kalendar kur vihet në krah të rrugës për të mbajtur hapur akset rrugore kombëtare apo lokale. Duhet të kontrollohen dhe testohen të gjitha masat e parashikuara në planin e përballimit të emergjencave civile, në mënyrë që të mos gjendemi të pa përgatitur dhe të mos i lemë asnjë gjë rastësisë. Bashkë me Drejtorinë e Emergjencave Civile ne do ta monitorojmë me shumë vëmendje të gjithë këtë proces.

Tani jemi edhe në procesin e hartimit të buxheteve për vitin 2019. Dhe është momenti të mendoni që një pjesë e këtij buxheti, sipas përcaktimeve ligjore, duhet të shërbejë për Emergjencat Civile. Nisur nga përvojat dhe emergjencat nga të cilat janë prekur zonat tuaja, gjatë këtyre viteve, duhet të përcaktoni prioritetet për ndërhyrje parandaluese, për eliminim e të gjithë atyre pasojave që vijnë pastaj nga përballja, kur emergjenca ndodh.

Ndoshta bashkitë mund të kenë “halle” dhe prioriteteve të tjera dhe padiskutim kanë, por edhe ky është prioritet dhe nuk është më pak i rëndësishëm. Kjo nuk duhet, kurrsesi, të konsiderohet barrë në buxhetin e tyre, por një investim për ruajtjen e jetëve të njerëzve, një investim për mbrojtjen e pasurisë së tyre dhe të pasurisë publike.

Prefektët janë gardianët dhe filtri për masat e marra për emergjencat civile, dhe në këtë kuadër edhe të buxhetit të dedikuar për to, besoj që duhet të jeni edhe më shumë ose duhet të ndiheni edhe më shumë përgjegjës për planëzimin dhe përballimin e emergjencave civile në qarkun tuaj dhe duhet të ushtroni plotësisht detyrimet ligjore për ta monitoruar të gjithë këtë proces.

Aktualisht, ne jemi në procesin e rishikimit të ligjit për Emergjencat Civile, dhe në këtë kuptim, do të bëjmë ç’është e mundur të përcaktojmë në mënyrë të detajuar detyrimet për secilën strukturë, por krahas kësaj do të parashikojmë edhe penalitetet e nevojshme për struktura dhe persona që neglizhojnë dhe nuk i përmbushin detyrimet e përcaktuara.

Vitet e fundit emergjencat civile i kanë kushtuar shumë buxhetit të shtetit dhe ne do të bëjmë çfarë është e mundur që kjo situatë të ndryshojë. Do të konsiderojmë padiskutim “aleatë” në këtë ndërmarrje, sepse vetëm bashkë mund të ecim një hap për të realizuar të gjitha ato objektiva dhe prioritete që do ti vendosim vetes.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura do të jenë vazhdimisht në krye të angazhimeve për t’u përballur me emergjencat civile duke përmbushur detyrimet tona, por dhe duke qenë aleatë të fortë të të gjitha nevojave që do të keni ju. Dhe pikërisht këtë jemi duke bërë edhe këtu në lumin Vjosa.

Mungesa e investimeve ndër vite dhe dëmtimi i argjinaturës kanë sjellë situatën me të cilën përballemi në këtë zonë. Deri më sot, siç tha edhe kryetari, janë kryer punime minimale për mbrojtjen nga erozioni të brigjeve të lumit, por në asnjë rast nuk mund të lihej pa menduar një zgjidhje afatgjatë për zonën këtu.

Padiskutim, siç e thashë edhe pak më përpara, falë një projekti të përgëzueshëm dhe falë insistimit të Armando Subashit për të koordinuar shpejtimin e punimeve dhe angazhimin e të gjitha forcave është e mundur për të realizuar këtë vepër.

Dua të theksoj edhe një herë, Forcat tona të Armatosura, si gjithmonë do të jenë krah jush atje ku ka nevojë, në ndihmë të komunitetit.

Emergjencat Civile nuk janë detyra jonë parësore, por faktet kanë treguar se më mirë se ne askush tjetër nuk e kryen dot.

Zotërojmë mjetet e duhura dhe fuqinë njerëzore të trajnuar dhe të përkushtuar dhe së bashku përsa i takon kësaj vepre me Bashkinë Fier dhe Bashkinë Vlorë, po kudo tjetër që do të ketë nevojë, ne do të jemi gjithmonë në krye të punëve.

Dua t’ju siguroj, dhe kam besim plotë, se përfundimi i projektit këtu do ta zgjidhë njëherë e mirë problemin e përmbytjeve në këtë zonë kaq të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë dhe nuk do të kemi përsëritje të situatave të mëparshme gjatë stinës së dimrit, sikurse dua t’ju risiguroj herë pas here se ne do të jemi në gatishmëri të plotë, do të angazhohemi kudo ku do të ketë nevojë për ne dhe ku ndërhyrja jonë do të gjykohet e nevojshme.

Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin edhe uroj që vazhdimi do të ketë një koordinim shumë më të mirë mes nesh për të bërë punë më të mira.

Submit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn


Ministeriali i NATO, Xhaçka: 2% e PBB për FA deri në vitin 2024 4-5 tetor 2018Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës të Atlantikut të Veriut...
Buletini mujor tetor 2018Ditari, të rejat kryesore tetor 2018...
Ministrja Xhaçka vizitë zyrtare në SHBA 17-18 prill 2018Washington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë Shqipërinë një aleat të denjë të NATO dhe vend lider në Ballkanin Perëndimor...
FA shpëtojnë nënën e sëmurë në Kukës27 shkurt 2018Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit...
Ministeriali i NATO, takimi Stoltenberg - Xhaçka14 - 15 shkurt 2018Ministrja Xhaçka merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO në Bruksel...
Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeveNëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17”14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturëShtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosuraprill 2018Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë dhe kërkon të rekrutojë 100...
Strategjia UshtarakeKorrik 2015Në themel të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2018Shkurt 2018 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 11 (2018) Nëntor 2018Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 16 nëntor 2018Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Nëntor 2018
Ma En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 1 2