Fjala e ministrit të Mbrojtjes, zj. Olta Xhaçka, me rastin e 9 - vjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO


Të nderuar të pranishëm,

nëntë vjet më parë, pikërisht në 65 - vjetorin e krijimit të saj, Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) iu bashkuan edhe dy anëtarë të rinj, Shqipëria dhe Kroacia.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në aleancën më të madhe politiko - ushtarake të kohës, përbën një pikë kulmore dhe një arritje të jashtëzakonshme historike për vendin tonë. Ky është padyshim një investim i pazëvendësueshëm për sigurinë tonë kombëtare, është një rreshtim i arsyeshëm politik në anën e duhur.

Me këtë hap, pozita e vendit tonë në arenën politike ndërkombëtare, ka marrë një tjetër dimension duke avancuar ndjeshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare.

Ndoshta, e parë në aspektin historik, nëntë vite mund të mos duken shumë, por ata janë më se të mjaftueshëm për të dalluar efektet pozitive të kësaj ngjarje historike. Nga distanca e nëntë viteve nuk është e vështirë të konstatojmë ndryshimet rrënjësore, që kanë ndodhur në vendin tonë dhe në Forcat tona të Armatosura. Vendi ynë ka hyrë në hartën e vendeve që gjenerojnë dhe ofrojnë siguri. Forcat tona të Armatosura janë të përfshira në një zhvillim të vazhdueshëm dhe progresiv, në përshtatje me kërkesat e Aleancës si dhe ndryshimet në ambientin e sigurisë. Ato përditë e më tepër i përngjajnë homologeve të tyre aleate, në veçanti sa i takon pajisjes, edukimit, trajnimit, mendimit dhe të performancës. Jam e lumtur që në eksperiencën time si ministre e Mbrojtjes e konstatoj këtë fakt jo vetëm në kontaktet e mia me strukturat e Forcave të Armatosura, por edhe nga vizitat në teatrin e operacioneve, ku ato kryejnë misionin e tyre fisnik si ruajtës të paqes, në pikat e nxehta të globit në të cilat paqja është e kërcënuar. Jam e lumtur që këtë fakt e pohojnë edhe kolegët tanë aleatë, si dhe komandat më të larta ushtarake të strukturave të NATO, ku vendi ynë përfaqësohet dhe kryen operacione. 

Ju jemi mirënjohës për këtë shërbim të madh që po i kryeni vendit tonë si edhe vendeve ku ju operoni dhe që kanë nevojë për shërbimin tuaj. Falë jush, vendi ynë ofron siguri jo vetëm brenda hapësirës NATO, por edhe më gjerë.

Integrimi i plotë në NATO, nuk ka qenë një proces i lehtë, por ka kërkuar shumë punë, mund dhe sakrifica. Dua t’ju drejtoj sot në këtë ditë, një falënderim të veçantë të gjithë juve, burrave dhe grave nën uniformë dhe atyre brezave të Forcave të Armatosura që ndër vite punuan me përkushtim dhe bënë të mundur futjen e Shqipërisë në familjen e madhe të vlerave të lirisë, që për herë të parë në histori, na krijuan mundësinë dhe të drejtën për të qenë të barabartë në një tryezë kaq rëndësishme të vendimmarrjes botërore.

Sot është dita për të kujtuar edhe njërin ndër ta, kapiten Feti Voglin, i cili dha jetën duke mbetur përherë një dëshmor i përpjekjes sonë për liri dhe dëshmi e çmuar e përkushtimit të ushtarakëve tanë në shërbim të lirisë dhe të NATO.

NATO u krijua si një aleancë për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Në kushtet aktuale, kur sfidat e Aleancës nuk janë pakësuar, por përkundrazi janë shtuar, pasi ambienti i sigurisë ka pësuar ndryshime dhe në skenë kanë dalë aktorë dhe janë shfaqur fenomene të cilët rrezikojnë këto vlera, nevoja e unitetit të kësaj Aleance është më urgjente.
Shqipëria dhe shqiptarët më shumë se kushdo e njohin dhe e vlerësojnë vlerën e lirisë dhe të demokracisë, pasi ju është mohuar dhe ju është vënë në rrezik për shumë kohë.

Shqipëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen do t’i jenë përherë mirënjohës NATO për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në historinë tonë të re, duke i dhënë fund konflikteve dhe luftërave të pafundme në rajonin tonë dhe duke krijuar kushtet e një paqeje të re, gjë e cila do të ishte jo vetëm e parealizueshme, por edhe e paimagjinueshme vetëm disa dekada më parë. Realiteti i ri, të cilin po jetojmë, u bë fakt vetëm në saj të kësaj aleance.

Pavarësisht se një vend i vogël dhe me mundësi të limituara, Shqipëria mbetet një ndër vendet më të përkushtuara në NATO dhe me kontribute të qenësishme në raport me vendin, popullsinë, Forcat e Armatosura dhe burimet ekonomike. Sepse ne vlerësojmë se NATO është në radhë të parë aleancë vlerash dhe jo thjesht një aleancë matematikore numrash.
Që prej anëtarësimit, gjeografia e pjesëmarrjes së trupave tanë në operacione të drejtuara nga NATO ka ardhur duke u zgjeruar dhe kontributi ynë është bërë më cilësor dhe më i vlerësuar nga NATO. Tashmë ne nuk dërgojmë në misione vetëm trupa të angazhuar thjesht në operacione të mbrojtjes së forcave (megjithëse i konsiderojmë edhe këtë operacione shumë të rëndësishme), por kontribuojmë edhe me oficerë përfaqësues në shtabet e operacioneve si dhe me këshilltarë që trajnojnë forcat e armatosura të vendeve ku operojnë, si dhe i ndihmojnë ato në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes. Forcat tona të Armatosura numërojnë sot shumë misione dhe mbi rreth 7 mijë trupa të angazhuara në këto misione. Falë këtyre angazhimeve, vendi ynë, Forcat tona të Armatosura, konsiderohen në NATO si një aleat me një trajektore besueshmërie në rritje, gjithmonë të gatshëm për të qenë krah për krahë dhe me çdo çmim me aleatët tanë.

Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, unë mund të konfirmoj vullnetin politik të qeverisë se Forcat tona të Armatosura do të vijojnë të jenë pjesë aktive e operacioneve të NATO dhe çdo përpjekjeje për ruajtjen apo rivendosjen e paqes, aty ku NATO dhe vendimmarrja e saj do ta gjykojë të domosdoshme. Ne i konsiderojmë detyrimet tona në NATO, jo thjesht si ushtarake dhe as si financiare. Anëtarësimi dhe përkushtimi ynë ndaj kësaj Aleance janë pjesë e vlerave të patjetërsueshme që shoqëritë e vendeve anëtare të NATO besojnë, mbrojnë dhe promovojnë me krenari.

Anëtarësimi në NATO dhe pjesëmarrja në operacione, i ka rritur dhe pjekur profesionalisht Forcat tona të Armatosura, i ka bërë ato më të përgjegjshme për rolin e tyre në paqen e sigurinë, ku Aleanca e drejton këtë proces. Kjo eksperiencë e grumbulluar ndër vite, po reflektohet pozitivisht edhe në angazhimet e FA edhe në dobi të sigurisë së brendshme, në mbështetje të përpjekjes së përgjithshme të shoqërisë sonë për sigurinë.

Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të punës së palodhur dhe sakrificave të reparteve të FA në përballimin e situatave të krijuara kohët e fundit nga kushtet klimaterike të reshjeve të shiut dhe borës. FA kanë qenë në frontin e parë të kësaj fatkeqësie natyrore duke iu gjendur në krah banorëve të zonave të prekura, duke bërë të mundur shmangien e humbjes së jetëve njerëzore dhe minimizimin e dëmeve. Edhe në këto momente që flasim, pjesëtarët të FA janë duke vijuar operacionet për eliminimin e pasojave. Përballja me këto fenomene janë bërë tashmë pjesë prioritare e axhendës së punës sonë dhe ne po ndërmarrim masat e duhura për adresimin dhe përballjen me më shumë profesionalizëm me fenomenet e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore.

Falë këtyre angazhimeve, Forcat tona të Armatosura ia kanë rritur prestigjin vetes dhe ato kanë marrë vlerësimin e opinionit publik si institucioni më i besueshëm në vend, një vlerësim i cili përveçse i tillë është edhe një motivim për të bërë më të mirën në interes të komunitetit dhe na rrit përgjegjësinë për t’u transformuar në një strukturë në të cilën komuniteti gjen zgjidhje për problemet e sigurisë së tyre të përditshme.

Të nderuar pjesëmarrës,
më lejoni të uroj dhe të përshëndes pjesëtarët e Forcave të Armatosura si dhe strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, bashkë me të gjithë shqiptarët sot, kudo ku ndodhen, me rastin e përvjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si dhe të shpreh mirënjohje ndaj të gjithë anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, popujve dhe qeverive të tyre, që hapën derën për Shqipërinë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe euroatlantike.

Faleminderit!

Submit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn


Buletini mujor maj 2018Ditari, të rejat kryesore maj 2018...
Ministrja Xhaçka vizitë zyrtare në SHBA 17-18 prill 2018Washington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë Shqipërinë një aleat të denjë të NATO dhe vend lider në Ballkanin Perëndimor...
FA shpëtojnë nënën e sëmurë në Kukës27 shkurt 2018Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit...
Ministeriali i NATO, takimi Stoltenberg - Xhaçka14 - 15 shkurt 2018Ministrja Xhaçka merr pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO në Bruksel...
Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeveNëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
Ministrja Xhaçka në Ministerialin e NATO në Bruksel8-9 nëntor 2017Ministeriali i NATO në nivelin e ministrave të Mbrojtjes, që u mbajt në datat 8 dhe 9 nëntor në Bruksel konfirmoi vlerësimin që aleatët...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17”14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturëShtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosuraprill 2018Qendra e Personel Rekrutimit ka filluar regjistrimin e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë dhe kërkon të rekrutojë 100...
Strategjia UshtarakeKorrik 2015Në themel të Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2018Shkurt 2018 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 06 (2018) Qershor 2018Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria15 qershor 2018Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Qërshor 2018
Ma En Pr Sh Di
28 29 30 31 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 1