Fjala e ministres Kodheli për 7 - 8 Mars në Shkodër.

Të nderuara zonja, motra, shoqe, nëna, bija, të qytetit më të mrekullueshëm të Shqipërisë, Shkodrës, 

isha në dilemë, nëse do të më duhej të flisja me apo pa letër. Ju kini parasysh që, për shkak të ngarkesës së madhe që një ministër ka, shpesh herë fjalët shkruhen nga tjetër kush, fjalimet shkruhen nga tjetër kush. Dhe padyshim që, jam e bindur se, Ditmiri, megjithëqë është një folës shumë i mirë, ka patjetër ndihmës të tillë; dhe unë kam disa. I kërkova, sigurisht dikujt, një djali shumë të zot, që të ma shkruante fjalën. Por, ndërkohë që po lexoja, kuptova që fjala ishte perfekte, mbase, por nuk kishte atë ndjesinë e dashurisë që dikush ka për këtë qytet që vetëm një, që ka një prejardhje qoftë edhe shumë të largët, si unë nga ky qytet. Kështu që, mendova që, përpara se sa t’ju përshëndes me një fjalë që del nga zemra, përveçse nga mendja ime, dua të sjell tek ju vetëm dy histori shumë të shkurtra, dy pasazhe të vogla, nëqoftëse koha ma lejon, të një libërthi të shkruar nga një pjesëtar i familjes së tim shoqi, i cili sigurisht përshkruan disa, ose shumë pak nga ngjarjet e jashtëzakonshme që historia e këtij qyteti mbart në vetvete. Në një mënyrë ose në një tjetër këto dy ngjarje janë të lidhura me gruan shkodrane dhe që i përkasin një epoke që nuk është kjo e sotmja por, që ka një domethënie, për të treguar dy gjëra shumë të rëndësishme të këtij qyteti: e para, bashkëjetesën dhe e dyta, nivelin shumë të lartë të arsimimit dhe të emancipimit të grave shkodrane. Po lexoj këto dy pasazhe. Kërkoj ndjesë për ndoshta ndonjë gabim të gegënishtes time, të cilën nuk e praktikoj, por gjithsesi mundohem ta lexoj ashtu siç është shkruajtur.

Atje, në lagjen e vjetër të Zdralej, krejt pranë Medrezesë, banonte një familje e madhe dhe e ndigjueme për mirë, ajo e Spahijejve. Burrat tregtonin në dyqanet e tyne në Pazar të Vjetër, ndërsa gratë përballonin punët e mrenshme të shpisë, rritjen e fmijëve, gatimin, lamjen e shplamjen. Lypsej një krah i fortë, për t’u ardh n’ndihmë atyne, e shpejt u gjet Tringa, nji malsore nga Dukagjini, e fortë, e shnetshme dhe plot autoritet. ‘Shpi e zakon’ dhe Tringa sojnike e gru e squtë, shpejt u msue me zakonet e ksaj shpije. Njiti nji nga nji shkallët për në “postin” e zojës së shpisë. Paradoks i vërtetë: një gru e ardhun nga malësija, pa shkollë dhe e krishtenë të bahenj za i parë në kët familje muhamedane, patriarkale. Tregon historinë e kësaj burrneshe dhe më pas thotë: “U plak në këtë shtëpi dhe erdh koha që t’i bahej teslim Zotit”. Një ceremoni mortore dhe shumë mbreslanëse u ba për te. E përcollën në banesën e fundit, në Fushën e Rrëmajve i madh e i vogël tue përshkrue rrugët e qytetit. Erdhën dhe nga Dukagjini n’varrimin e saj. Qenë të pranishëm edhe përfaqësues të klerit katolik e mysliman. Nji unitet i vërtetë, krejt natyral dhe i paimponuem, një respekt i papamë ndaj një malësoreje të thjeshtë që dijti t’i bajë vend vedit në shtëpinë e Spahijejve për ma shumë se 40 vjet”.

 Tjetra, pa dashur t’ju marr kohë, flet për vitin 1944, pikërisht muajin nëntor, kur ushtria gjermane po largohej si pushtuese e mundur nga qyteti i fundit, Shkodra:

Një heshtje e plotë, që vetëm uturima e autokolonës gjermane e prishnin. Shkodranët e dalë nga lufta, të friksuem e të trishtuem, po ndiqnin lëvizjet e ushtrisë gjermane, secili në mënyrën e vet. Para derës së shtëpisë Dibra, tek ura Dervish Begs, ku jetonte me qira familja Manovi, kishin dalë me sodit edhe Kola e Luigji, dy djemtë e kësaj familje. Krejt rastësisht, njenës prej makinave iu ça goma, duke dhanë një krisëm të fortë. Autokolona u ndal. Nga makina doli një oficer gjerman me automatik në dorë dhe i egërsuem desh të shfrejë dufin drejt dy fëmijëve të pafajshëm, me që dyshonte se ata ishin autorët e këtij veprimi. Rastësia, por edhe fati, solli tek dera të dalë nana e fmijëve, Age Manovi, një grue në moshë të madhe, që kur u përballë me skenën i tha gjermanit në gjuhë gjermane shumë të pastër:
- Mos qëllo, zotni oficer, të vraftë Zoti! Fëmijët e mi janë të pafajshëm, nuk bajnë veprime të tilla. Mos u bjer n’qafë kot! Ushtari gjerman u step, hapi sytë fort, e zbuti vështrimin. Nji gru e thjeshtë, në nji vend si Shqypnija, fliste gjermanisht në mënyrë të përsosun, aq ma shumë plakë. Harroi incidentin dhe ju afrua të panjohunës:
- Ju vërtet dini gjermanisht kaq mirë? Si spjegohet? Ku e keni mësue?
- Unë nuk di vetëm gjermanisht - ju gjegj ajo, - di dhe frangisht, serbo-kroatisht e italisht. I kam msue në fshatin ku kam lind, n’Shirokë, nga murgeshat stigmatine ku jem shkollue, shumë e shumë vite ma parë.
Oficerit gjerman nuk i mbeti gja tjetër, por, para se të largohej me autokolonën, ta përshëndeste në shenjë respekti shkodranen e shkollueme.

Kjo është Shkodra...

Më lejoni në mënyrë të veçantë të falënderoj kolegun dhe shokun tim të dashur, pinjoll në një familje më shumë sesa të rëndësishme shkodrane, Ditmirin dhe, ta falënderoj nga zemra që më kthen dhe më fton këtu në qytetin e të parëve të mi. Njëkohësisht dua t’ju falënderoj të gjithave ju për prezencën, dashamirësinë me të cilën na pritët dhe ngrohtësinë që tregoni për njerëz si unë dhe si Ditmiri që nuk e kanë të thjeshtë punën që bëjnë.

T’ju them të drejtën, unë modestish jam tiranase për nga lindja, por shkodrane në dashuri dhe në atësi. Dhe jam këtu mes jush në këtë qytet që, thjesht dhe vetëm, më bën të ndihem si në shtëpinë time; në qytetin, e patriotizmit, kulturës, poezisë, muzikës, humorit, politikës, ku ne sot në ditën e 7 dhe nesër të 8 Marsit, këto festa shumë të rëndësishme për mësuesët, por edhe gratë shqiptare.

Më duhet të them se duhet të flasim shumë për emancipimin, pikërisht në këtë qytet, në Shkodrën e fotografëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, njerëzve të emancipuar. Dhe prapë sa herë që mblidhemi, duhet të flasim për historikun e gruas dhe rolin e saj në shoqërinë tonë, që për fat të keq Shkodër, ose jo Shkodër, vazhdon të mbetet denjësisht dhe thellësisht patriarkale. Sepse ajo që ndodh në këtë qytet, në fakt nuk pasqyrohet njëtrajtshmërisht në të gjithë shoqërinë shqiptare, ndaj dhe vazhdojmë të mblidhemi çdo 8 Mars dhe të flasim për këtë gjë.

Ndihem e mikluar teksa shoh sot përkrah meje zonja të nderuara si Paskualina, Dituria, Valdete, Mirela, Shpresa, Emiliana, profesioniste të suksesshme në fushat e tyre, zonja të vërteta në jetë, të nderuara dhe të respektuara kudo, ashtu si të gjithë ju prezent në këtë sallë, dhjetëra nga këto zonja po aq të nderuara. Dhe unë nga thellësia e zemrës besoj fort se ju jeni shembulli më i shkëlqyer, më jashtëzakonshëm dhe më domethënës, për çdo të ri dhe të re shkodrane dhe pse jo për gjithë Shqipërinë.

Por unë them sërish, që kjo nuk mjafton. Me gjithë arritjet e mëdha në fushën e emancipimit, kryesisht falë gjeneratës vetëmohuese të nënave tona, megjithëse ne sot shijojmë një jetë më të mirë dhe kemi më shumë zgjedhje se prindërit tanë, akoma shumë problematika na shoqërojnë. Ato janë kulturore, shoqërore dhe padyshim ekonomike. Sot gratë punojnë baras me burrat, por ndërkohë paguhen më pak se ata. Gratë mbajnë peshën kryesore në familje, por shpesh herë dhunohen brenda shtëpive të tyre dhe shpesh humbasin dhe jetën. E megjithëse ne jetojmë në një shoqëri shumë maskiliste, besoj që Shkodra për mua është shembulli më i mirë i emancipimit. Kjo sallë e tregon këtë, por unë e them prapë që kjo nuk mjafton, po jashtë kësaj si jetojnë gratë dhe vajzat? A mos po kthehemi në disa raste apo zona në obskurantizëm mesjetar? Kronika e zezë është e mbushur me krim në familje, a thua se gratë janë armiku më i madh i burrave. Po arsimi? A kanë gratë dhe vajzat kudo që janë të njëjtin akses në edukim si vëllezërit e tyre? A kanë të njëjtën ambicie për përparim, pavarësi, emancipim? A kanë frikë ato nga ato çka dhe burrat kanë frikë? Unë mendoj që të gjitha këto pyetje dhe shumë të tjera si këto kanë një përgjigje të trishtë në fakt që është: JO. Ndërkohë që përparime të dukshme janë bërë në këto 3 vjet e ca.

Prej më shumë se tre vjetësh unë jam ministri i Mbrojtjes, institucioni që përfaqëson profesionin më mashkullor në historinë e çdo kombi, nëse këtu përjashtojmë legjendën e Amazonave. Punoj me njerëz që më vlerësojnë maksimalisht dhe më besojnë me një profesionalitet që është realisht për t’u admiruar por e kam ndjerë që në momentin e parë se ata burra të zot në profesionin e tyre, megjithëse mua si ministre më kanë pranuar lehtësisht si grua që vija nga politika, e kishin shumë të vështirë të pranonin një tjetër grua që të ishte e barabartë me ta në hierarkinë ushtarake. Dhe kur u thosha ushtarakëve se shumë shpejt do të bëja një grua gjenerale më përgjigjeshin se do të qëndroja gjatë duke bërë ministrin, derisa kjo kohë të vinte. Por unë ja ku mbërrita, të mund të bëj një grua gjenerale, të parën në historinë e Shqipërisë Moderne. Ia propozova këtë presidentit pikërisht më 31 tetor, ditën e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara, që flet për të drejtat e grave. Shumë ushtarake shqiptare punojnë në shtabet dhe përfaqësitë e vendit tonë në NATO dhe plot prej tyre janë drejtuese të larta të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura. Gratë ushtarake përbëjnë 14% të kontingjentit aktiv ushtarak në Shqipëri. Unë ndihem krenare për 1360 gratë dhe vajzat nën uniformë ndaj kërkoj një duartrokitje për to.

Por a mjafton? Absolutisht jo. Ne të gjitha së bashku duhet të përballemi dhe njëherë me sfidat e nënave tona dhe jo vetëm. Të luftojmë injorancën, obskurantizmin, dhunën dhe krimin në familje, duke punuar me burrat dhe duke u mbështetur prej tyre, pasi përkrah keni djem të shkëlqyer. Njëri prej tyre është këtu në sallë, Ditmiri, por dhe shumë të tjerë si ai. Unë ju falënderoj sinqerisht për kohën e vyer që më kushtuat duke më dëgjuar.

I nderuar ministri Bushati, të falënderoj ty pafundësisht për mundësinë që më dhe të takohem me motrat, shoqet, mikeshat, zonjat shkodrane. Një vlerësim i madh për mua, që jam këtu mes jush dhe, duke ju uruar nga thellësia e zemrës ta gëzojmë festën, më lejoni të shfrytëzoj rastin, e kam bërë këtë edhe një herë tjetër në prezencë të kryeministrit disa vite më parë: unë këtu kam vetëm një hallë, zysh Toninen, e cila është një mësuese e vjetër, tashmë i ka kaluar të 90-tat, por me mendje akoma shumë të ndritur dhe sigurisht i uroj asaj dhe nëpërmjet saj të gjitha mësueseve shkodrane dhe grave shkodrane gëzim dhe lumturi.

Zoti e ruajt Shkodrën, Zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja!



Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeve Nëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare 24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë 15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO 17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO 16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO 15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17” 14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen 13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Ministrja Kodheli në Ministerialin e Mbrojtjes në Bruksel 29 qershor 2017Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli në Bruksel ku mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO...
Angazhimi i FA gjatë përmbytjeve, nëntor 2016 8 - 13 tetor 2016FA u angazhuan me forca dhe mjete në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet që përfshinë pothuajse gjithë vendin...
Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2015-2016 2016Misionet, Modernizimi, Stërvitjet e Përbashkëta, Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ai civil-ushtarak dhe rekrutimet....
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturë Shtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosura janar 2015Ministria e Mbrojtjes për vitin 2015 do të pranojë 500 ushtarë/detarë aktivë në radhët e FA. Prej këtij kontingjenti, 250 ushtarë/detarë aktivë do të pranohen në fazën e parë ndërsa pjesa tjetër në gjashtëmujorin e dytë...
Bashoku edhe ti! Bëhu pjesë e nismës, #shqiperiajoduhanit
Strategjia e Sigurisë Kombëtare Korrik 2015Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2017 Janar 2017 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 12 (2017) Dhjetor 2017Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 08 dhjetor 2017Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Dhjetor 2017
Ma En Pr Sh Di
27 28 29 30 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31