Ministri i Mbrojtjes, leksion në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës

Të dashur studentë,
profesorë të nderuar,
miq,
të ftuar,
i dashur kryetar i Bashkisë së Peshkopisë, që është edhe i ftuari im special,

së pari dua të theksoj që është gjithmonë një kënaqësi e madhe të gjendem në auditoriume të tilla. U bënë shumë vite tashmë që nuk vij në auditorium dhe kjo gjë më mungon. Duke menduar që jam në auditoriumin e Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, ashtu si edhe profesori e përmendi, i pari privat në Ballkan, është një ndjesi akoma më pozitive. Dhe them jo se jam e detyruar ta them, jo për kortezi, por besoj shumë që përpjekjet për përgatitjen e gjeneratës tjetër, e një gjenerate të re, nga të gjithë ne, është me të vërtetë për t’u vlerësuar dhe duhet të jetë mundi, përpjekja, angazhimi dhe mbështetja më e madhe që ne politikanët së bashku me profesorët tuaj, duhet t’i japim edukimit të gjeneratës që, pa të cilën, një vend si Shqipëria, një vend si Maqedonia, apo çdo vend tjetër, do ta kishte rrugën të humbur apo të ndryshme nga atje ku ne duam të shkojmë.

Dua ta falënderoj gjithë stafin akademik që në fakt më bënë këtë ftesë.

Jam këtu për të diskutuar një prej objektivave madhorë, objektiva që cekin të dyja vendet tona, që është angazhimi ynë drejt integrimit euroatlantik. Në vijim do të përpiqem shkurt të shpreh disa mendime të miat, padyshim si njeri i politikës dhe do të them hapur perspektivën time lidhur me çështjet dhe pyetjet që mund të keni ju dhe sigurisht do të lindin nga diskutimi i leksionit, nëse mund ta quaj të tillë këtë të sotmin që është përfitimi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO dhe pritshmëria e Maqedonisë në këtë rrugëtim.

Sigurisht që nuk do të ndalem në detaje të natyrës ushtarake, pasi më duket më e përshtatshme që të fokusohem tek përfitimet dhe pritshmëritë politike të anëtarësimit në NATO.

Ky auditor besoj se e respekton lirinë akademike edhe politike ose siç thuhet në zhargonin e përditshëm “attribution policy”. Shumëkush prej jush, jam e bindur që, e di, që udhëtimi drejt anëtarësimit në NATO i Shqipërisë dhe i Maqedonisë nisi në të njëjtën kohë. Ne sëbashku si Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, e kemi filluar këtë rrugëtim herët. Shqipëria dhe Kroacia ia dolën mbanë të bëhen anëtare, të marrin ftesën në vitin 2008 dhe ndërkohë të bëhen anëtare të NATO në qershor të vitit 2009. Ndërkohë që Maqedonia është ende në kërkim të zgjidhjes për t’iu bashkuar familjes së madhe euroatlantike.

Anëtarësimi në NATO siç e përmenda, erdhi në mes të 2009 dhe shënoi në fakt një ngjarje shumë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, pasi përmbushi ëndrrën e popullit shqiptar për integrimin euroatlantik të vendit. Por përveç përfitimeve që ky anëtarësim solli, sigurisht që solli edhe detyrime edhe përgjegjësi të mëdha. Përfitimet kanë qenë dhe janë të natyrës politike, të natyrës ekonomike dhe ushtarake. Të lidhura këto me njëra - tjetrën dhe me një ndikim jo vetëm në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë, por dhe në demokratizimin e shoqërisë.

Do të mundohem të shpjegoj disa arsye pse anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, sikurse të gjitha zgjerimet e tjera të Aleancës, synonte në fakt që të rriste sigurinë e anëtarëve të saj. E synon këtë përditë edhe sot, përfshi edhe sigurinë e shtetit të anëtarësuar, por sigurisht edhe sigurinë e gjithë shteteve të tjera, pjesë anëtare të NATO.

Pra, flasim për siguri europiane, madje flasim edhe për një siguri euroatlantike. Përtej rritjes së sigurisë, ambiciet tona ashtu si edhe të shteteve të tjera që ishin më parë anëtarë të NATO, ishin politike, ishin ekonomike, ishin edhe ushtarake. Përfitimi politik lidhej me orientimin e vendit drejt politikave moderne perëndimore dhe krijimin e një demokracie funksionale, krijimin e një tregu akoma më të lirë, forcimin e shtetit ligjor, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Më anëtarësimin në NATO, Shqipëria u bë pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme politiko - ushtarake, dhe në të njëjtën kohë siguria jonë kombëtare njohu garancinë më të madhe, më të fuqishme dhe më të mundshme.

Vendi ynë nisi të gëzojë jo vetëm sigurinë për veten e tij, por mund të ofronte ashtu siç dhe ofron edhe sot e kësaj dite, kontribut për Aleancën në përballimin e të gjitha sfidave me të cilat Aleanca përballet.
Përfitimi për sigurinë realizohej nga shtrirja e sigurisë kombëtare me sigurinë e 27 vendeve të tjera të Aleancës, duke e kthyer praktikisht anëtarësimin në një investim shumë të madh, madje në investimin më të madh për sigurinë. Pse e them këtë? Sepse tre parimet themelore në të cilat mbështet aktiviteti i Aleancës së Veriut janë këto: mbrojtja kolektive, menxhimi i krizave dhe bashkëpunimi për sigurinë. Sigurisht që më kritikja mbetet mbrojtja kolektive, e cila është një veprimtari që bazohet në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit, ku theksohet se çdo sulm i një vendi anëtar të NATO, është një sulm ndaj gjithë Aleancës dhe kjo është shumë e rëndësishme.

E gjithë mënyra sesi sot mbrohet Shqipëria, një vend aleat dhe një pjesë e Aleancës, është e bazuar pikërisht mbi këtë parim bazik që është mbrojtja kolektive. Rënia e bllokut komunist dhe zhvillimet demokratike në Evropë, në fakt krijuan iluzionin se misioni i Aleancës është i përmbushur edhe këtu kthehemi 25 vjet më parë, por ky iluzion në fakt u shua relativisht shpejt. Aleanca në fakt ishte i vetmi institucion që zotëronte burimet edhe mjetet e nevojshme për të detyruar përfundimin e konflikteve gjakatare, pëfundimin e gjenocideve dhe të krimeve, sidomos në një rajon si ky i joni.

Zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme sollën edhe risollën edhe njëherë në vëmendje mugesën e sigurisë, mungesën e parashikueshmërisë së zhvillimeve gjeopolitike, me gjithë ekpertizën dhe gjithë ekspertët që merren me gjeopolitikë në botën tonë dhe, rëndësia e vlerave dhe e parimeve që duheshin mbrojtur me çdo çmim si dhe nevojën e një Aleance më të fortë dhe më efektive me interes.

Do të thoni ju Aleanca ishte aty? Po, por Aleanca pas mbylljes me sukeses të garës së Luftës së Ftohtë filloi të kishte një qasje tjetër më paqësore, më pozitive në raport me ata joanëtarë të Aleancës që rrinin në kufijtë e vendeve të NATO. Sot historia ka treguar që kjo nuk ka mjaftuar. Sot qasja ndaj politikave gjeopolitikë mbarëbotërore ka ndryshuar katërcipërisht. Me antarësimin në NATO, Shqipëria ka garantuar angazhimin e saj dhe të aleatëve për të mbrojtur edhe ushtarakisht integritetin edhe pavarësinë e saj edhe kjo shumë e rëndësishme për një vend të vogël si Shqipëria si edhe detyrimin për të kontribuar, ashtu siç e përmenda, në mbrojtjen e integritetit e të pavarësisë të çdo vendi aleat.

Po ashtu kemi barrë mbi shpinë, megjithëse shpina jonë ndonjëherë mund të jetë e brishtë, por gjithësesi mban shumë edhe detyrimin për të kontribuar për mbrojtjen edhe paqen edhe lirinë e të drejtat kudo që Aleanca e ka parë këtë të nevojshme. Nuk është besoj e nevojshme t’ju them që Shqipëria është prezente në të gjitha misionet në NATO, në disa misione të BE dhe madje mund të ndodhë që më vonë të jetë prezente edhe ne misione të Kombeve të Bashkuara.

Kthehemi në rajon. Kosova dhe krizat e tjera në fakt na bëjnë jo vetëm krenarë që jemi pjesë e NATO, por edhe më të përgjegjshëm për përmbushjen e angazhimeve të tjera. Rikthej në vëmendjen tuaj KFOR, misioni më jetëgjatë në historinë e Aleancës, vazhdon të mbetet një mision i rëndësishëm dhe më i sukseshëm për Aleancën, por me antarësimin në Aleancë, Shqipëria u bë partner i qeverive të vendeve anëtare të NATO, me të cilat duhej dhe ajo e bëri këtë, të diskutohej për perspektivat dhe vendimarrjen jo vetëm të vendeve aleate, por edhe të rajonit, dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për ne dhe për çdo vend që është pjesë e rajonit, sidomos Ballkanit Perëndimor.

Ndoshta, në dallim nga vendet e tjera të rajonit, anëtarësimi kishte një rëndësi edhe më të madhe për ne pasi kjo Aleancë luajti rolin më jetik, unikal dhe të vetëm për ndalimin e luftërave në Ballkan dhe posaçërisht lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Përmbushja e detyrimit të antarësimit në Aleancë sigurisht që i sollën Shqipërisë edhe përfitime indirekte, pasi e bënë Shqipërinë pjesë të asaj bote që në e ëndërrojmë përditë që të jetë sa më reale, sa më pranë nesh, lirive dhe demokracive Perëndimore, të vlerave që kjo botë përqafon, të të drejtave universale njerëzore që kjo botë lufton përditë që t’i mbrojë dhe t’i respekojë, ekonominë e lirë dhe padyshim shtetin ligjor dhe vendosjen e rregullave të demokracisë, e cila në një vend si Shqipëria mbase dhe në një vend si Maqedonia janë akoma rregulla të shkruara, por jo të respektuara deri në fund. Për arritjen e këtyre detyrimeve kanë punuar një dekadë dhe nuk ishte e thjesht arritja e standardeve të anëtarësimit si në fushën politike ashtu dhe në atë ekonomike, apo në atë të mbrojtjes e ushtarake. Ka pasur nevojë dhe vazhdon të ketë për burime financiare të mbrojtjes, për sigurinë e informacionit që ne përpunojmë dhe kemi nëpër duar, që përgjithësisht është një informacion i klasifikuar dhe sigurisht edhe përmirësimin e legjislacionit që mundëson zbatimin e rregullave të përbashkëta të Aleancës si brenda ashtu edhe jashtë kufijve tanë.

Çfarë ndodhi me futjen e Shqipërisë në NATO?
U përmirësuan marrëdhëniet institucionale duke filluar që nga marrëdhëniet dypalëshe të Shqipërisë me çdo vend anëtar të NATO. Dhe sigurisht Shqipëria sot ka prezencë në të gjitha forumet e përbashkëta ku diskutohet dhe merren vendime të rëndësishme, që janë ministerialet apo samitet, punohet dhe merren vendime të rëndësishme. Në samite ulen kryetarët e shteteve apo kryetarët e qeverive dhe në ministerial ulen ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO, ulen ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO. Shqipëria është aty prezente bashkë me demokracitë më të spikatura të rruzullit për vendime të rëndësishme për të ardhmen, për sigurinë e gjeneratës që vjen pas nesh dhe gjeneratës tjetër që do të vijë pas asaj gjenerate.

Çfarë solli tjetër anëtarësimi?
Në mënyre indirekte përmirësoi marrëdhëniet me BE për shkak të politikës së përbashkët të sigurisë të mbrojtjes. Ju e dini që shumë vende të NATO janë anëtare BE, kështu që shumë politika të BE përputhem në shumicën e herëve dhe në shumicën e rasteve. Kështu që pesha specifike e politikës së jashtme përballë qasjes kombëtare, rajonale e kështu me radhë, u rrit dhe pjesë e jona dhe pjesë e diskursit tonë politik u bënë edhe çështje me interes të madh mbarëbotëror siç ishte përshëmbull sjellja e Rusisë në Ukrainë, ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi apo manisfestime të tjera krizash, dhune dhe rreziku që sigurisht sot kufijve të NATO i vjen nga shumë drejtime, por më së pari i vjen nga Lindja dhe nga Jugu.

Anëtarësimi rriti rolin, rëndësinë dhe peshën politike të vendit në rajon dhe më gjerë pasi u bë pjesë aktive dhe e domosdoshme e vendimarrjes konsensuale për çështje të rëndësishme të sigurisë, sidomos në një rajon akoma të brishtë si ky i joni. Përtej kësaj ne u bëmë pjesë e një institucioni prestigjoz, i cili mund të ushtronte presionin e duhur politik, qoftë kjo pushtetin e butë që në zhargon quhet “soft power” ose forcën që quhet ndryshe “hard power” për adresimin që shqetëson përgjithësisht rajonin dhe jo vetëm. Por prezenca jonë në NATO sigurisht që solli më shumë siguri për investitorët, më shumë siguri për turistët dhe një imazh shumë më tepër pozitiv për vendin në përgjithësi.

Të gjitha sa më sipër, unë mendoj se, krijuan dhe vazhdojnë të krijojnë kushtet për një siguri afatgjatë, që është shumë e rëndësishme, për një përmirësim të mëtejshëm për mënyrën sesi qeveriset, për një vlerësim të mëtejshëm të qëndrueshmërisë ekonomike, të stabilitetit politik në përgjithësi, mirëqënies sociale dhe prosperitetit. Sigurisht që u forcua dhe peshë të rëndësishme sot ka politika e jashtme e Shqipërisë, edhe për këtë shkak edhe sigurisht roli i një vendi të vogël si Shqipëria në arenën ndërkombëtare, e cila, pa na kapur asnjë ndjesi superioriteti, na shërben ne për ta pasur më të sigurt vendin tonë, qytetarët tanë, por sigurisht edhe për ta transportuar, eksportuar këtë siguri edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Nga ana tjetër reformat e bëra në NATO sigurisht që ndihmuan dhe ishin një bazë e mirë për reformat që ne sot kryejmë dhe na kërkohen, në rrugën tonë drejt aderimit në Bashkimin Evropian.

Unë përmenda përfitimet por ndërkohë përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve që ne kemi në raport me Aleancën krijon premisa vetëm pozitive. Mund të duket kontradiktore, mund të duket sikur angazhimi ynë tjetërkund nuk sjell në mënyrë të drejtpërdrejtë të mira brenda familjes, brenda shtëpisë, por në fakt nuk është kështu, sepse që të mund të plotësohen angazhimet tona në NATO, na është dashur një punë e madhe, reforma të thella në Forcat tona të Armatosura apo në bazën ligjore që rregullon marrëdhënien e FA me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe padyshim dhe në marrëdhëniet me FA e vendeve të tjera të NATO, vendeve partnere dhe më tej.

Ne na është dashur të punojmë fort dhe seriozisht dokumentin e Sigurisë Kombëtare, na është dashur të punojmë seriozisht për Strategjinë Ushtarake, në lidhje me strategjinë e Aleancës. Këto janë hartuar së bashku me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar që FA të mund të ristrukturohen të tilla që të mundësojnë një ndërveprueshmëri më të lartë më të madhe të tyre me forcat e tjera të armatosura.

Çfarë është ndërveprueshmëria, pse modernizimi është i orientuar nga ndërveprimi?
Sepse ushtria në NATO funksionon si një e tërë, pra duhet të jemi në të njëjtën nivel përgatitjeje, duhet të jemi në një nivel armatimi, pra në një standard, i cili mundëson veprimin e të gjitha ushtrive që përbëjnë ushtrinë NATO, të jetë në veprim si një trup i vetëm. Dhe ta bësh këtë nuk ka qenë e thjeshtë, dhe sot mbetet një nga objektivat tona kryesore.

Pa hyrë në detaje të natyrës ushtarake, përfitimet që patëm në përgjithësi si MM apo FA e RSH dhe ushtarakëve janë të panumërta dhe kjo na bën të ndihemi mirë. Mirë sepse sot ne kemi rritur kapacitetet tona të luftimit, kemi rritur gatishmërinë tonë dhe kjo na jep besim për të pasur gjithnjë dhe më tepër një ushtri profesioniste, e cila do të kryejë me sukses detyrat e saj kushtetuese dhe detyrimet ndaj NATO në mënyrë strikte dhe pa krijuar asnjë problem.

Çfarë bën Shqipëria sot?
Përtej angazhimit që ka në të gjitha misionet në NATO, më lejoni t’i përmend ato: ne jemi pjesë në misionin RSM në Afganistan, jemi prezent sot në Kabul, madje e kemi dyfishuar praninë tonë atje, jemi prezent në misionin në Prishtinë, jemi prezent në misionin në Egje, që është një mision ku marrim pjesë për herë të parë. Sot një nga anijet tona lundron në detin Egje, në ujërat ndërkombëtare, pjesë e dy projekteve të mëdha evropiane, Frontex dhe Sofia që janë dy projekte që menaxhojnë problematikën e madhe të refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme, Afrika dhe jo vetëm. Kontributi ynë është i madh në shtabet ndërkombëtare edhe në operacionet njëherazi që kanë të bëjnë me veprimtarinë e përditshme të kësaj superstrukture siç është Aleanca e Veriut. Ne kemi prezencën tonë edhe disa misione të BE, një nga këto është në Bosnje-Hercegovinë me një jetëgjatësi relativisht të konsiderueshme. Ne jemi sot prezent në Mali, Afrikë, që kishte një problematikë të madhe, por ne me ndihmën tonë modeste atje, trajnojmë persona që çlirojnë zona të caktuara tërësisht të minuara me mina anti-njeri. Ky është një shërbim që i bëjmë këtij vendi atje, sigurisht që ndihemi krenarë për këtë asistencë dhe sigurisht që puna, që bëjmë është në mes të një risku të konsiderueshëm, jo vetëm për shkak të ambientit ku e zhvillojmë këtë praktikë, por edhe për shkak të punës specifike që bëjmë me trajnimin që u japin të tjerëve.

Ne në fakt, kemi mbajtur një barrë të madhe në lidhje me përgatitjen e grup-batalionit tonë që është pjesë e forcës së reagimit të shpejtë dhe në angazhimin tonë në NATO. Ky është angazhimi më i madh që NATO ka marrë që nga krijimi i saj. Kjo ka të bëjë me një strukturë e cila është vendosur dhe vazhdon të qëndrojë në kufijtë lindorë të Aleancës, besoj për një kohë të konsiderueshme. Ky është një vendim i marrë në Samitin e Varshavës, ku Shqipëria do të jetë pjesë e një grup-batalioni që do të qëndrojë në Letoni, dhe kjo e rendit Shqipërinë të barabartë mes të barabartëve, në gjithë angazhimin dhe kontributin më të rëndësishëm që NATO jep për sigurinë në Evropë dhe më gjerë.

Detyrimi ynë për të qenë prezentë, është dhe motivimi ynë. Motivimi ynë vjen nëpërmjet prezencës sonë në mision, ku trupat tona rriten profesionalisht bëhen më dinjitarë, e ndjejnë veten të barabartë, kanë një eksperiencë serioze të cilën e transmetojnë, kanë një kontribut serioz në mbrojtjen kolektive në menaxhimin e krizave dhe kjo i bën ata të ndihen mirë personalisht për shkak të angazhimit, por, sigurisht edhe moralisht.

Besoj që anëtarësimi në NATO, nuk është vetëm siguri, por kërkon përkushtim të madh kur flitet për vlerat e lirisë dhe vlerat e shtetit ligjor. Janë shumë të lidhura këto gjëra, ndaj dhe unë besoj fort që rruga drejt integrimit euroatlantik është një rrugë jo vetëm pa kthim, por është një rrugë që promovon vlerat dhe është një rrugë që duhet të jetë pjesë intensive e rrugëtimit tonë të gjatë euroatlantik dhe duhet të jetë targeti i finalizimit të një përpjekjeje të madhe për Maqedoninë, siç ka qenë për Shqipërinë, të bëhet pjesë e kësaj organizate politiko-ushtarake që mbron kufijtë, mbron sigurinë dhe vlerat.

Anëtarësimi, pasohet edhe nga procesi i integrimit dhe i transformimit të FA. Ne e kemi bërë, sepse ne jemi certifikuar tre vite më parë me certifikatën e transformimit përfundimtar të tyre. Ky është vetëm fillimi, t’ju them të drejtën, sepse ai është një proces tranformimi, i cili nuk mund të kalojë, por kjo na shpie ne pas transformimit për të rritur cilësinë. Shqipëria ka pasur në përdorim një armë të vjetër aq edhe të egër, akoma funksionale siç ishte kallashnikovi me një histori 100-vjeçare mbas tij. Por, dikush mund të pyesë, pse jo kallashnikovi dhe një armë e standardeve të NATO? Cili është dallimi? Armë kallashi, armë kjo tjetra! Por kallashnikovi për shkak të fuqisë së tij shpuese, konsiderohet një armë sulmuese, në një kohë që fuqia shpuese e armëve të standardit të NATO është më e vogël. Kjo do të thotë se arma është mbrojtëse. Nga ky parim vjen i gjithë ndërtimi i mjedisit, i cili ndryshon katërcipërisht me mjediset dhe principet e aleancave jashtë aleancës së NATO.

Meqë jemi tek buxheti, në terma financiarë, sot që flasim kërkon shpenzime dhe më të mëdha. Në fakt në Samitin e Uellsit tre vjet më parë anëtarët e NATO firmosën një dokument, i cili i angazhonte ata dhe vendet që përfaqësonin të rrisnin buxhetin e mbrojtjes në nivelin 2%. Sigurisht kjo në kushtet kur Shqipëria ka një ekonomi modeste, kur Maqedonia do të ketë probleme te tjera me ekonominë dhe fusha të tjera financimi, mund të duket paradoksale, por e tillë nuk është, sepse çdo gjë fillon nga siguria. Siguria nuk merret asnjëherë si diçka që ne e kemi në xhep dhe nuk kushton, përkundrazi siguria është diçka që kushton, madje shpeshherë thuhet që ushtria është një lodër që kushton shumë, ndaj duhet të dihet si përdoret dhe sa të kushton.

Kjo është një luftë e hapur brenda përfaqësuesve të qeverisë, tonës dhe kujdo tjetër, sepse unë shikoj përpjekjet e homologëve të mi në botë që urrejnë ministrat e Financave sepse është ai që në fund të ditës pret fonde majtas djathtas. Dhe kur priten fondet për ushtrinë apo për mbrojtjen ne duhet të japim llogari edhe diku, siç është NATO dhe ky është një problem shumë i madh që duket sikur mbetemi sandwich midis personit të brendshëm dhe personit të NATO-s, por në fund të ditës jemi të bindur që jemi duke bërë gjënë e duhur.
Dhe meqë jemi tek bindja unë mendoj që Maqedonia dhe FA e saj do të jenë anëtare të denja të Aleancës dhe e uroj këtë me gjithë zemër dhe uroj që sa më shpejt të tejkalohen tematikat thelbësisht politike të momentit.

Shqipëria e mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe padyshim që e mbështet anëtarësimin e Maqedonisë. Ne kemi qenë mbështetës të fortë të kësaj politike që në kohën kur asokohe sekretarja e Shtetit Hillary Klinton në Samitin e Çikagos hodhi dhe mbështeti fort politikën e hapur të një organizate si NATO, në ndryshim nga një organizatë tjetër si BE që është më i “friguar” kur flitet për zgjerimin, e kemi bërë këtë me Malin e Zi, kemi qenë një nga mbështetësit më të fortë, sepse kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë fort se NATO nuk ka frikë nga anëtarësimi, por përkundrazi sa më shumë vende të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e organizatës, aq më të sigurt do ta ndiejmë veten dhe, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja jonë.

Kështuqë, kjo gjë po them pa droje, përkundrazi me kënaqësi, si të mirëqenë, kur flitet për një partner shumë të rëndësishëm të NATO, siç është Maqedonia që pret, pavarësisht se nuk është anëtare e NATO, është pjesë e misioneve të saj, mbështet misionet e NATO dhe është me trupa, ka treguar më shumë sesa një herë vlerën e forcës së saj të armatosur. Deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë unë mendoj se mbështetja e Aleancës dhe vendeve anëtare është absolutisht e nevojshme dhe do të jetë e vijueshme dhe, në këtë rast, duke inkurajuar reformat të cilat sjellin ose thjeshtojnë rrugën e Maqedonisë drejt një shoqërie më funksionale, më shumë etnike e euroatlantike që në fund të ditës është edhe shpresa që ne të gjithë kemi këtu ose matanë këtij kufiri ku jemi sot.

Unë ju falënderoj për vëmëndjen dhe jam e hapur për çdo pyetje.

***

Pyetje përgjigje

Siç thatë ju më përpara, në vitin 2014 në Uells, Shqipëria si vend aleat i NATO u angazhua dhe në vitin 2016 - 2017 të përmbushë disa detyrime dhe angazhime si aleate e NATO, por edhe përsa i përket buxhetit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Sa prioritet është për qeverinë shqiptare dhe për Ministrinë e Mbrojtjes në vitet e ardhshme që këto shpenzime të rriten?

Bëj një saktësim në pyetjen tuaj: duhet që rritja 2%  mbi  PBB të shpenzimeve të mbrojtjes të ceket mbas 10 vjetësh. Kjo do të thotë që duhet të ketë një tendencë në rritjeje që kjo shifër të mbërrihet. Shqipëria, sot që flasim, gjendet diku në mes. Në qoftë se do i rreshtojmë vendet anëtare të NATO-s të gjitha në një grafik, ka vetëm 4 vende që plotësojnë këtë kusht. Midis tyre padyshim SHBA.

Dhe ka pasur një moment shumë interesant kur pikërisht Uellsi ka qenë një i tillë. Përgjithësisht kishte një relaksim të shpenzimeve të mbrojtjes për, le të themi, një komoditet që kishte në atë momente e gjithë gjeopolitika në botë. Gjërat ndryshuan me prezencën e dy ngjarjeve aspak të këndshme që pastaj rezultuan që me të vërtetë duheshin marrë seriozisht. E para ishte aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë dhe e dyta ishte përgatitja për një mësymje të të ashtuquajturit Shtet Islamik drejt kufijve jugorë të NATO-s. Kjo bëri që në vlerësimin e ekspertëve të gjeopolitikës të jepet padyshim në vlerësimin e njerëzve që merren me politikë të jashtme, po pse jo edhe me mbrojtje të një kërkese imediate, të menjëhershme jo vetëm për stopimin e tendencës në ulje të buxheteve të vendeve NATO, por rritjen e menjëhershme të këtyre buxheteve.

Sigurisht që bota punon me plane afatgjata dhe kriza ekonomike - financiare në Europë, por edhe ajo në Amerikë nuk e ndihmonte këtë gjë. Kështu që problematika financiare edhe në diskutimin e çdo ministri të Mbrojtjes është një problematikë prezente, pavarësisht se po aq prezente është dhe kërkesa, sidomos e vendeve që e plotësojnë këtë rregull dhe këtë kuotë, siç është partneri ynë strategjik SHBA, është akoma e ndezur. Në të voglën e vet, Shqipëria ka pasur një nivel të pëlqyeshëm, le të themi, të shpenzimeve. Duke pasur një background financiar, kam menduar dhe besuar që një menaxhim më i mirë, më efiçent i shpenzimeve, është gjithsesi domethënës. Pra, nuk duhet të kemi një diskutim shabllon, 2%, 1,5%  dhe të mos dimë fare çfarë ndodh më mbrapa.

Në fakt, në vëzhgimet që unë kam bërë dhe në çfarë kam gjetur në financat e Ministrisë së Mbrojtjes ditën e parë, javën e parë, kur kam hyrë në zyrë, kam kuptuar një menaxhim të keq të parave. Kam gjetur borxhe, të cilat ishin baras me investimet për një vit, për të gjithë ushtrinë shqiptare. Borxhe, vetëm borxhe. Që do të thotë që ‘ok’, t’i mund të deklarosh që ke këtë shifër dhe, kthehet në shpenzime, por, cili është produkti yt në fund të ditës? Kështu që, kjo është një gjë për t’u vlerësuar, sepse në fund të ditës, mua më kërkohet të kem çfarë? Në qoftë që unë kam marrë një angazhim dhe atë e kam plotësuar, “nuk ka rëndësi” se si e kam mbërritur këtë gjë, me pak lek apo me shumë lek. Unë kam besuar dhe vazhdoj të besoj për fat të keq, në një gjë që kam besuar që në fillim që, para ka, projekte nuk ka, ide nuk ka. Paratë gjenden gjithmonë. Dhe kjo është edhe kur flasim për Ministrinë e Mbrojtjes. Nëqoftëse dikush vjen me projektin e duhur për modernizimin, paratë gjenden. Kështu që, kjo është një temë diskutimi e mirë, por ne kemi pasur një problem me planifikimin e sivjetëm buxhetor, sepse ka qenë pak më i ulët se sa i vjetshmi. Dhe ky sigurisht që më vë mua përpara një përgjegjësie të madhe në momentin kur ulem me 27 kolegët e tjerë. Falë presionit, por edhe sigurisht, të vlerësimit të kryeministrit dhe të ministrit të Financave, që vazhdon gjithmonë të mbetet më i urryeri i ministrave sepse i “shkreti” është ai që thotë që “s’ka këtu lekë e s’ka aty”, do të bëjmë një rialokim fondesh dhe ne do të përfitojmë si ministri një shumë të konsiderueshme parash që do të na mundësojnë t’i futemi një projekti madhor, shumë të rëndësishëm, të rëndësishëm për ne, për sigurinë e Shqipërisë. Kështuqë besoj që jemi komod me këtë rialokim, por gjithmonë ju siguroj që bëj të gjitha përpjekjet dhe shfrytëzoj të gjitha njohuritë e mia financiare për të marrë, për të kapur ndonjë rialokim nga qeveria. Nuk është e thjeshtë vetëm, sepse të gjithë thonë që, kjo gjëja, për të cilën unë po them, është më e rëndësishmja. Për vende modeste, me ekonomi si Shqipëria, me të vërtetë që ndonjëherë ka gjëra më të rëndësishme që duhen plotësuar. Unë ju them me sinqeritet midis ministrit të Shëndetësisë, kur ai thotë që mungon ky ilaç në Spitalin Pediatrik dhe unë ndërkohë kërkoj armatin dhe municion, e parë në këtë formë është me të vërtetë jo e thjeshtë absolutisht; gjithësekush do t’ia jepte paratë ministrit të Shëndetësisë. Por, varet nga këndvështrimi dhe varet edhe nga ajo çka unë thashë në këtë leksion. Pa qenë të sigurt dhe të mbrojtjur, as ilaçi nuk bën derman.

Në rastin e Afganistanit, në të cilin edhe Shqipëria ka qenë pjesë e këtij misioni, e cila ka kryer detyrat me sukses. Por tani të gjithë jemi të bindur që, siguria në botë, siguria ndërkombëtare është në rrezik për shkak të terrorizmit. A ka NATO një plan?

Detyra në Afganistan erdhi si pasojë e një akti terrorist, që ndofta ishte akti më sinjifikativ, më domethënës terrorist, që kishte ndodhur deri atëherë, që ishte rënia e dy kullave binjake. Kështu që terrorizmi është një fenomen në rritje, për fat të keq dhe shpeshherë mendohet që Afganistani është shumë larg. Por, edhe Siria është shumë larg. Por, për shumë shkaqe: të globalizmit, të lirisë së kontaktit, të lehtësisë së udhëtimit, shpeshherë këto vatra terrorizmi nuk konsiderohen të jenë larg. Kështu që sigurisht NATO ka një strategji të mirëpërcaktuar e cila update-tohet edhe për shkak të ngjarjeve të momentit apo të parashikimeve, apo të informacioneve dhe është luftë e hapur në këtë rrezik. Sepse ky rrezik vë në rrezik jetën e qytetarëve tanë, vë në rrezik mbrojtjen e vlerave dhe për aq kohë sa do të ekzistojë, do të ekzistojë dhe një plan dhe një aksion konkret i vendeve të NATO në raport me terrorizmin.

(e padëgjueshme) ... nga terrozimi dhe sulmet terroriste është një ndër synimet në NATO. Po Shqipëria si pjesë e kësaj Aleance, në çfarë niveli antiterrorist është kundrejt sulmeve të papritura?

Pjesa e angazhimit NATO, por edhe e terrorizmit, nuk ka të bëjë vetëm me Mbrojtjen, ka të bëjë edhe me struktura të tjera që janë sa protagonistë aq edhe përgjegjës nga pikëpamja kushtetuese e këtij fenomeni, duke filluar që nga Ministria e Brendshme, Policia, strukturat e inteligjencës, qofshin këto struktura të inteligjencës shtetërore apo struktura të inteligjencës ushtarake. Të gjithë këta aktorë dhe faktorë sa më shumë që të bashkëpunojnë brenda dhe jashtë kufijve aq më mirë është. Ngjarjet në Bruksel, në aeroportin apo metronë e Brukselit treguan që mosbashkërendimi dhe shkëmbimi i informacionit solli si pasojë një akt terrorist me pasojë vdekjen e shumë vetave. Sa më shumë të ketë bashkëpunim midis këtyre aktorëve aq më i suksesshëm është në fund të ditës aksioni. Bashkëpunimi shumë i mirë solli që ne të mund të ndalonim një akt terrorist në Shqipëri para disa kohësh dhe, bashkëpunimi shumë i mirë ka ardhur edhe nga strukturat maqedonase.

Unë jam Alma, jam studente nga Shqipëria, nga Librazhdi. Doja t’ju pyes: përderisa në 2008 Shqipëria u ftua në bisedime për anëtarësim, ju vendosën edhe kushte për antarësimin. Si arriti qeveria jonë që t’i plotësojë këto kushte në periudhë brenda një viti dhe u anëtarësua në një kohë që deri ditën e sotme është akoma në tranzicion dhe nuk ka arritur t’i plotësojë kushtet për antarësimin në BE?

Nëqoftëse, Alma, më ke dëgjuar me vëmendje, unë kam thënë që Shqipërisë i janë dashur 10 vjet për të plotësuar kushtet për të hyrë në NATO; 10 vjet nuk është një vit; nuk ka filluar në 2008 dhe është anëtarësuar. Askush nuk ka mundur ta bëjë këtë gjë, aq më pak Shqipëria. Strukturat e NATO janë dhe funksionojnë pak ndryshe nga strukturat e BE. BE, e thashë, është shpeshëherë më i friguar nga të rinjtë që do të futen. Për fat të mirë NATO, ndoshta ngaqë është më militare, më ushtarake dhe më e vendosur në këtë gjë dhe, e ka bërë dhe për shkaqe gjeopolitike, më së pari mos harro: jo domosdoshmërish ne i kishim të gjitha kushtet e plotësuara për të hyrë. Kjo ka ndodhur edhe me BE dikur, janë futur vende që jo domosdoshmërish kanë patur të gjitha për t’u futur, por për shkaqe gjeopolitike janë futur. Kjo është një logjikë që ecën, nuk ka asnjë gjë negative në këtë gjë. E shpresoj dhe e besoj fort që me zbatimin e reformave, qoftë këtu, qoftë në Shqipëri do të jetë shumë më e shpejtë dhe do të presim shumë më pak nga ç’kemi pritur deri më sot.

Ndërhyrja e Rusisë në Ballkan dhe dhurata që i bëri qeveria amerikane me armatime vendit tonë. Ndihma amerikane që dha me mjete ushtarake në Shqipëri dhe ndërhyrja ruse…

Tani për ndihmën amerikane ky është njeriu (tregon veten) që ka bërë të mundur këtë gjë. Ajo ka qënë pjesë e procesit dhe nuk ka pasur lidhje fare as me Rusinë dhe as me Kinën. Ajo ka qënë finalizimi i intensifikimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA dhe unë nuk do lodhem dhe ndalem asnjëherë së falenderuari partnerin tonë strategjik për gjithë asistencën.

Së pari më lejoni t’ju falënderoj për gjithë informacionin që përcollët sot këtu dhe është një nder për në realisht t’ju kemi këtu. Besoj që gjithë studentët janë të kënaqur nga ato politika që ju spikatët dhe dëgjuam. Pyetja ime rezulton në faktin që ju përmendët që NATO nuk ka si synim vetëm progresin e paqes, të ruajë paqen, ka si mision politikën moderne europiane, konsolidimin e institucioneve ligjore dhe arritjen e një shteti ligjor. Ne ëndërrojmë që të jemi pjesë e BE. Realisht dua një opinion tuajin: sa sot në Shqipëri jemi të konsoliduar, si nga institucionet dhe si nga reformat që po bëhen në drejtësi?

Të qenit në NATO sigurisht që mbart me vete premisat për t’u mundësuar reforma më shpejt dhe më mirë dhe më saktë. Kështu që kjo është vetëm një premisë. Duke mos qenë në NATO mund të ishte pengesë e kësaj gjëje. Fakti që jemi në NATO nuk do të thotë që ne të kemi premisën dhe të presim që reforma të bëhet. Fakti që jemi do të thotë që thjesht dhe vetëm të angazhohemi më tepër sepse premisën e kemi dhe duhet të përkundim demokracinë tonë fragile, por të re akoma, të “njomë” akoma e kemi. Pra duhet, thjesht dhe vetëm, të dimë sesi ta rrisim këtë fëmijë, i cili është vetëm në dorën tonë. Absolutisht në dorën e askujt tjetër përveçse në dorën tonë, të nënës që përkund fëmijën, që quhet demokraci, që ne e kemi në djepin që na është kërkuar edhe për shkak të qënit vend anëtar i NATO.

Ju falënderojmë për prezencën tuaj këtu, është një nder shumë i madh për ne. Do bëj një pyetje përsa i përket situatës në Maqedoni. Pak më parë në fjalim tuaj ju pëmendet që ku Shqipëria mbështet shumë Maqedoninë për anëtarësimin në NATO. Unë do doja të dija konkretisht si e mbështet, çfarë aspekti, çfarë pune do të bëjë Shqipëria për antarësimin në NATO të Maqedonisë.

E para, Shqipëria në të gjitha rastet që i jepet mundësia për të thënë që është pro politikës së dyerve të hapura, me forcë e bën këtë në të gjitha strukturat, në të gjitha tryezat, në të gjitha instancat. Pra, kjo është një gjë shumë e rëndësishmë, sepse prapë është një premisë. E dyta, mënyra aktive më të cilën Shqipëria ka insistuar me hyrjen e Malit të Zi në NATO ka qenë shumë e spikatur. Ju siguroj që, jo të gjitha vendet kanë patur të njëjtin entuziazëm për ta bërë këtë gjë, përkundrazi dikush e ka menduar më shumë sesa një herë. Shqipëria është e para, ndoshta ndër të parat, që ka ratifikuar Dokumentin e Hyrjes në NATO të Malit të Zi në Parlament dhe ka akoma, pavarësisht se ka kaluar një vit sot që flasim, parlamente që nuk e kanë bërë këtë gjë. Pra ky është demonstrimi i një vullneti.

Tjetra gjë, nëqoftëse se flasim për Maqedoninë, ne kemi një marrëdhënie të drejtëpërdrejtë institucionale, midis ministrive: shkëmbimi i eksperiencës, dhënia e suportit në shumë drejtime, shkëmbimi i informacionit,tregon që ne kemi formuar besim tek strukturat mbrojtëse apo të sigurisë maqedonase, i jep kësaj një shtytje më shumë për të mundësuar reforma, të cilat Ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë ka si nevojë përpara se të aderojë në NATO. Por, nga ana tjetër edhe, dua t’i referohem studentes nga Librazhdi, kjo nuk është e mjaftueshme nëse këto nuk shoqërohen edhe me disa reforma të thella administrative, politike, ligjore, sociale të cilat bëjnë një kompletim të mirë të të gjithë situatës dhe stabilitetit politik, ekonomik dhe social të një vendi. Kështu që ato shkojnë paralelisht me njëra - tjetrën dhe gjithsesi ne kemi qenë të gatshëm që eksperiencën tonë edhe për shkak të plotësimit të dokumentacionit dhe hapave që janë bërë, të mund ta ndajmë miqësisht me kolegët maqedonas dhe siç e kemi bërë në të shkuarën dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, sepse besojmë fort, se sa më shumë vende të jenë pjesë të Aleancës në Ballkan, aq më i sigurt është Ballkani sot dhe në të ardhmen.

Thuhet se në Shqipëri, NATO do të ngrejë Qendrën e Ekselencës ushtarake, atëhere cilat do të jenë kriteret për të qenë pjesë e kësaj qendre?

Komiteti Ushtarak e ka miratuar ngritjen e Qendrës së Ekselencës. Qendra e Ekselencës nuk do të flasë për luftën kundër terrorizmit, por do të studiojë nga ana akademike në gjenezë, në fillimet e saj, fenomenin. Pra, ne do të mundësohemi të ndajmë opinionet akademike, eksperiencat tona lidhur me: pse një qytetar i zakonshëm transformohet në një terrorist?! Pse një i ri, në vend që të shkojë në shkollë, merr një mësim që nuk ka lidhje fare me religjionin, por ndërkohë, shkon për një luftë që nuk është e tija?! Me realizimin e kësaj qendre, Shqipëria do të ketë “njollën” e parë të NATO brenda kufijve të saj, dhe kjo është një gjë që i kënaq pritshmëritë e detashmentit tonë, që në fakt, është një gjë që unë e vlerësoj shumë dhe për të cilën ne kemi punuar shumë.

Ka disa qendra ekselence në vendet pjesë të NATO në botë, rreth 22, në mos gaboj. Nga këto, dikush merret me problemet e mbrojtjes kibernetike, dikush merret me luftën kundër terrorizmit, një qendër tjetër merret me problemet e inteligjencës me spiunazhin dhe kundër-spiunazhin ushtarak. E jona do të merret me një problem madhor, të cilin ne e kemi ngritur si të tillë vite më parë, sesa kjo do të ngrihej si problematikë në tryezë në NATO. Sepse ne donim, edhe për shkak të tokës fertile të luftëtarëve të huaj tek ky rajon këtu, që problemi ishte në rritje dhe do të vazhdonte të kthehej në një problem të madh për sigurinë e kufijve në NATO, ashtu siç dhe u kthye. Kështuqë unë besoj që kjo do të mbulojë disa organizma, jo vetëm aktorë ushtarakë, ndaj i ftoj të gjithë pedagogët që merren me këtë fushë dhe hulumtojnë në këtë fushë, që të mundin, nesër, të jenë lektorë të kësaj qendre, sepse çdo eksperiencë, sidomos eksperiencat që vijnë nga vendet ku kanë prodhuar dhe eksportuar diku tjetër luftëtarë të huaj, janë të konsideruara. Në këtë mënyrë, ne do mundësojmë ndalimin dhe bllokimin e këtij fenomeni që në lindjen e tij dhe jo mbasi fenomeni të jetë prezent dhe të kthehet në një rrezik madhor, jo vetëm kombëtar por edhe mbarëbotëror, siç dhe është aktualisht sot.

Nqs detyra juaj do të mbaronte këtu, cila është puna që ju keni bërë më mirë në këtë detyrë, e cila mund të tregojë se ju do hyni në histori me këtë punë ...?

Në fakt e kam bërë mirë, se kam bërë mirë detyrën, unë do të mbahem mend si gruaja e parë ministre e Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë.

 



Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeve Nëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare 24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë 15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO 17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO 16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO 15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17” 14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen 13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Ministrja Kodheli në Ministerialin e Mbrojtjes në Bruksel 29 qershor 2017Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli në Bruksel ku mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO...
Angazhimi i FA gjatë përmbytjeve, nëntor 2016 8 - 13 tetor 2016FA u angazhuan me forca dhe mjete në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet që përfshinë pothuajse gjithë vendin...
Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2015-2016 2016Misionet, Modernizimi, Stërvitjet e Përbashkëta, Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ai civil-ushtarak dhe rekrutimet....
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturë Shtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosura janar 2015Ministria e Mbrojtjes për vitin 2015 do të pranojë 500 ushtarë/detarë aktivë në radhët e FA. Prej këtij kontingjenti, 250 ushtarë/detarë aktivë do të pranohen në fazën e parë ndërsa pjesa tjetër në gjashtëmujorin e dytë...
Bashoku edhe ti! Bëhu pjesë e nismës, #shqiperiajoduhanit
Strategjia e Sigurisë Kombëtare Korrik 2015Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2017 Janar 2017 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 12 (2017) Dhjetor 2017Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 08 dhjetor 2017Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Dhjetor 2017
Ma En Pr Sh Di
27 28 29 30 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31