Një ekip i OKB ka zhvilluar një vizitë vlerësuese në Forcat e Armatosura të RSH, për kapacitetet e FARSH, të cilat janë të deklaruara në sistemin e OKB për t'i angazhuar dhe përdorur nëse do të kërkohet në misione nën drejtimin e OKB.
Me anë të një prezantimi në Shtabin e Përgjithshëm, ekipi vlerësues i përbërë nga personel nga OKB dhe Komanda Evropiane e Forcave Amerikane, u njohën me kapacitetet dhe mundësitë e FARSH për të kontribuar ne misione të mundshme të drejtuara nga OKB.
Gjatë vizitës vlerësuese të ekipit të OKB, me anë të disa mësimeve treguese të zhvilluara nga efektivë të Batalionit Komando, Policisë Ushtarake si dhe EOD, iu bë e mundur të njihej nga afër me këto kapacitete të tjera, që FARSH është e gatshme t'i angazhojë nëse do t'i kërkohet nga OKB. FARSH është në fazat e fundit përgatitore për të dërguar dy oficere personel femër në mision paqeruajtës në Sudanin e Jugut, nën drejtimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në përfundim të vizitës vlerësuese, e cila është në vazhdën e komunikimeve dhe përpjekjeve të Forcave të Armatosura shqiptare, për t'u angazhuar në misionet e drejtuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, u dakortësua për hapat e mëtejshme që do të ndiqen për të konkretizuar më tej përpjekjet.
© Ministria e Mbrojtjes 2019 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.