Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO

Fotogaleria

 


Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë.

Ndër çështjet kryesore që u diskutuan në këtë konferencë, ishin projektimi i stabilitetit të NATO, arritja e kapacitetit fillestar operacional të Qendrës për Jugun dhe mbështetja për vazhdimin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket misioneve të Aleancës, krerët ushtarakë rikonfirmuan vazhdimin e mbështetjes për Afganistanin dhe nënvizuan se qëndrimi i KFOR në Kosovë është lidhur me rrethanat në terren.

Në përfundim të takimit, shefat e Mbrojtjes së NATO, zgjodhën shefin aktual të Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, gjeneral Sir Stuart William Peach, si kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të NATO, i cili do ta marrë detyrën në vitin 2018. 

Pas përfundimit të punimeve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA shqiptare gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO, gjeneral Petr Pavel, dhanë një konferencë për mediat.

***
Deklatara e plotë e shefit të Shtabit të FA shqiptare gjeneral brigade Bardhyl Kollçakut:

Të nderuar përfaqësues të medias, ju falenderoj për prezencën tuaj sot dhe interesin e treguar për Konferencën e Komitetit Ushtarak të NATO-s, që po zhvillohet në Shqipëri.

Kjo është hera e parë që Shqipëria organizon dhe mirëpret një konferencë të tillë. Zgjodhëm Tiranën jo vetëm se është kryeqyteti ynë, por edhe për t’iu treguar Aleatëve dhe partnerëve rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt zhvillimit e prosperitetit, si dhe dinamizmin karakteristik të saj, ku e vjetra e tradiconalia, ndërthuret me modernen. Jam besimplotë që miqtë tanë po ndihen si në shtëpinë e tyre. Kjo si meritë e mikpritjes së shkëlqyer shqiptare, prandaj shpresoj fort që ata të rikthehen për të zbuluar “perlën e fundit” në Mesdhe, atë që quhet atdheu ynë.

Sikurse jeni në dijeni, mjedisi i sigurisë në vitet e fundit karakterizohet nga paqëndrueshmëria, kompleksiteti dhe paqartësia. Megjithëse shenjat ishin dhënë më parë, viti 2014 (kur u krye aneksimi i Krimesë, duke shkelur hapur normat dhe ligjet ndërkombëtare), shënoi një pikë kthese të fortë për të gjithë ne, Aleatët, në vetëdijësimin e çështjeve të sigurisë. Sigurisht, Koncepti i Mbrojtjes Kolektive, e ka shtjelluar edhe pozicionimin tonë për mbrojtjen, pasi tashmë kufijtë e çdo Aleati janë edhe kufijtë tanë.

Në kuadër të zbatimit të vendimeve të marra nga kryetarët e shteteve dhe qeverive të NATO në samitet e Uellsit dhe të Varshavës (por edhe në takimin special të tyre, këtë maj), Shqipëria ka kryer pjesën e saj dhe vijon të ndajë barrën e përgjegjësisë në procesin e adaptimit politik, institucional dhe ushtarak të Aleancës. Ne qëndrojmë të palëkundur në ruajtjen dhe promovimin e principeve themelore të unitetit, solidaritetit dhe kohezionit midis aleatëve. Prezenca e ushtarakëve shqiptarë në angazhimet madhore të NATO, si në: Task-Forcën e Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë (VJTF), aktivitetet detare në detin Egje, Grup-batalionin luftarak të drejtuar nga Kanadaja në kuadër të Prezencës së Përparuar në Letoni, Njësitë e Integrimit të Forcës në Rumani e Bullgari apo Shtabin e Divizionit Shumëkombësh Juglindor, Rumani, është një dëshmi e qartë e angazhimit serioz e të qenësishëm të Shqipërisë në Aleancë. Dhe ju siguroj se FARSH do të vijojë këtë trend dinamik të angazhimeve, në mbështetje të paqes dhe sigurisë, në zonën euroatlantike.

Siguria jonë e përbashkët ka një çmim e për këtë qëllim, qeveria shqiptare është angazhuar të rrisë progresivisht buxhetin e saj të mbrojtjes në vitet në vijim për të mbërritur në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2024. Megjithatë, ne besojmë se ndarja e barrës së përgjegjësisë në NATO nuk lidhet vetëm me “shtimin e parave”, por dhe me zhvillimin e kapaciteteve, si dhe kontributet operacionale.

Shqipëria do të mbetet e angazhuar për sa kohë të jetë e nevojshme në misionin e NATO, Resolute Support Mission në Afganistan. Përpjekja jonë e përbashkët është që ky vend të mos ketë mundësi të kthehet në një vend të sigurt për terrorizmin ndërkombëtar. Prandaj, vitin që shkoi, Shqipëria dyfishoi kontributin ushtarak dhe ka shprehur vullnetin përsëri (përgjatë kësaj konference) për shtimin me një togë të personelit në Afganistan.

Aleanca i është bashkuar Koalicionit Global kundër ISIS/DAESH me qëllim mposhtjen përfundimtare “të kësaj të keqeje” për vlerat dhe dinjitetin njerëzor. Shqipëria prej fillimit iu bashkua këtij koalicioni, duke e mbështetur konkretisht luftën kundër terrorizmit. Në kuadër të projektimit të stabilitetit përtej kufijve aleatë, vendi ynë iu bashkua vendimit për krijimin e Mekanizmit Rajonal për Jugun, në komandën e Forcës së Bashkuar në Napoli, Itali dhe së shpejti do dërgojë personel në të. Kjo strukturë është pjesë integrale e adaptimit të NATO mbi rreziqet dhe sfidat, që burojnë nga Drejtimi Strategjik Jugor i Aleancës dhe do mbështesë e krijojë kapacitetet mbrojtëse të vendeve partnere në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe atë Qendrore.

Ndërkohë, Shqiperia ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe misioni i NATO, KFOR, mbetet një histori suksesi e Aleancës. Në përshëndesim qasjen “e plotësimit të kushteve, pa afat kohor” në procesin e vijimit të mëtejshëm të këtij operacioni, ku Shqipëria përsëri (si në RSM) dyfishoi kontributin, këtë prill. Në rrafsh më të gjerë, ne mendojmë se rajoni i Ballkanit Perëndimor kërkon një vëmendje të shtuar nga aleatët për të mos lejuar depërtimin e ndikimeve nga aktorë dashakeqës, që kërkojnë hapësira për të “turbulluar ujërat” dhe destabilizuar rajonin. Prandaj, dua të nënvizoj fort, se zëri i Shqipërisë do vazhdojë të jetë i fuqishëm dhe këmbëngulës mbi politikën e dyerve të hapura nga NATO, për procesin e integrimit euroatlantik të fqinjëve tanë.

Së fundmi, gjej rastin të falnderoj gjeneralin Pavel për lidershipin e treguar deri më tani, në udhëheqjen e Komitetit Ushtarak të NATO dhe e falenderoj sinqerisht për angazhimin, disponibilitetin dhe komunikimin për të kthyer në një sukses konferencën këtu në Tiranë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

***

Deklarata e plotë e kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Petr Pavel:


Zonja dhe Zotërinj,

Mirëmbrëma dhe faleminderit për prezencën.

Dëshiroj ta filloj këtë konferencë për shtyp duke falënderuar gjeneral Kollçakun dhe tërë ekipin e tij për organizimin sivjet të Konferencës së Komitetit Ushtarak. Mikëpritja juaj ka qenë vertetë e mrekullueshme.

Faleminderit në emër të të gjithë Komitetit Ushtarak.

Lidhur me diskutimet që zhvilluam gjatë gjithë ditës, më lejoni t’ju përmend pikat kryesore.

Aleanca përballet me një sërë sfidash. Ekzistojnë kërcënime komplekse të jashtme dhe detyrat e brendshme të shtëpisë që Aleanca duhet t’i adresojë për të siguruar vazhdimësinë e përmbushjes me sukses të misionit që filloi rreth 70 vjet më parë, i cili është ruajtja dhe mbrojtja e territorit dhe popullsisë sonë nga çdo kërcënim, nga cdo drejtim, 360 gradë.

Filluam sot duke u fokusuar në rolin e NATO për projektimin e stabilitetit. Qoftë kur i kthehemi Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, qoftë pragut të Aleancës në Ballkanin Perëndimor, NATO i duhet të luajë një rol për formësimin më të mirë te mjedisit të sigurisë. Shefat e Shtabeve të Mbrojtjes ofruan një sërë propozimesh konkrete për kontributet ushtarake, për të ndërmarrë një qasje gjithëpërfshirëse, sistematike dhe koherente për axhendën e projektimit të stabilitetit të NATO.

Shefat e Shtabeve të Mbrojtjes përshëndetën gjithashtu Qendrën për Jugun duke arritur kapacitetin fillestar operacional, si dhe rolin e saj për përmirësimin e mirëkuptimit rajonal.

Lidhur me Ballkanin Perëndimor, shefat e Shtabeve të Mbrojtjes shprehën mbështetjen për vazhdimin e integrimit euroatlantik të rajonit, përfshirë bashkëpunimin më të ngushtë ushtarak. Ndërsa NATO përshtatet me mjedisin e ri të sigurisë, ne kemi rishikuar proceset tona për të siguruar një strukturë komanduese të NATO që është e përshtatshme për qëllime, e fuqishme dhe e shpejtë për nivele të larta ambicieje tani dhe në të ardhmen e parashikueshme. Pasi dëgjuam të dy komandantët strategjike, gjeneral Scaparroti dhe gjeneral Mercier, për punën konceptuale të realizuar deri tani, shefat e Shtabeve të Mbrojtjes ofruan udhëzime të tjera që do të reflektohen nga Shtabi Ushtarak Ndërkombëtar i NATO, si dhe dy komandat strategjike në vazhdimin e punës përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes në nëntor.

Pasdite, komandanti i Resolute Support Mission, gjeneral Nicholson dhe përfaqësuesi i lartë civil , ambasador Cornelius Zimmermann na raportuan për ecurinë e situatës ushtarake dhe politike. Shefat e Shtabeve të Mbrojtjes rikonfirmuan vazhdimin e mbështetjes për Afganistanin dhe theksuan se misioni mbetet i bazuar në kushtet. Po ashtu, ata pranuan nevojën për të plotësuar mangësitë aktuale të statusit të kërkesave të përbashkta në NATO.

Shefat e Shtabeve të Mbrojtjes zhvilluan edhe diskutime të thella për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Pas brifingut të gjeneralmajor Fungo, komandant i Forcës në Kosovë, ata vlerësuan misionin tonë më të gjatë deri më sot si dhe mjedisin e sigurisë në Kosovë dhe përreth. Duke vërejtur gjendjen e qëndrueshme por të brishtë të sigurisë në rajon, shefat e Shtabeve të Mbrojtjes nënvizuan se qëndrimi i KFOR është lidhur me rrethanat në terren. Po ashtu, theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit NATO në kontekstin e Projektimit të Stabilitetit.

Së fundmi, në sesionin e fundit të ditës, shefat e Shtabeve të Mbrojtjes zgjodhën kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të NATO, Air Chief Marshal të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Stuart Peach. Kam besim se falë përvojës së tij të madhe si shef i Shtabit të Mbrojtjes, si dhe anëtar i Komitetit Ushtarak, ai do të bëjë një punë të mrekullueshme për drejtimin e Komitetit Ushtarak duke siguruar vazhdimësinë e këshillimit të plotë dhe të shëndoshë për Këshillin e Atlantikut të Veriut. I uroj atij gjithë të mirat në rolin e ardhshëm që do e marrë në verën e vitit 2018.

Kjo ishte një ditë shumë produktive. Ne u përfshimë në diskutime të sinqerta për tema të vështira, duke arritur të gjejmë terrenin e përbashkët dhe identifikimin e një rruge të qartë përpara.

Ju faleminderit!



Fotogaleri/FA angazhim maksimal për situatën e përmbytjeve Nëntor - Dhjetor 2017Angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për situatën e përmbytjeve.
NATO: Misioni i “Orikut” në Egje, moment i rëndësishëm për Forcat Detare shqiptare 24 nëntor 2017Misionit të anijes patrulluese të forcës detare shqiptare “Oriku”, e cila ishte pjesë e operacionit të NATO-s, “Sea Guardian”, i është dedikuar një shkrim në faqen zyrtare të NATO-s...
BBC: Shqipëria rehabiliton varrezat e dëshmorëve pas dekadash të lëna në harresë 15 nëntor 2017Prestigjiozja britanike BBC, i ka bërë jehonë nismës së Ministrisë së Mbrojtjes për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve...
Mbyllet takimi i shefave të Mbrojtjes të NATO 17 shtator 2017Mbylli punimet formale Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila u zhvillua për herë të parë në vendin tonë...
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO 16 shtator 2017Në vendin tonë ka nisur punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës...
Intervistë me gjeneral Petr Pavel, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO 15 shtator 2017Intervistë me gjeneral Petr Pavel dhënë për revistën "Mbrojtja"...
Zhvillohet stërvitja shqiptaro-britanike “Ushtar Eagle 17” 14 shtator 2017Në kuadër të stërvitjes së përbashkët ndërmjet FA të Shqipërisë dhe FA të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua sot “Dita e Vizitorëve të Shquar” të stërvitjes “Ushtar Eagle 17”...
Programi qeverisës 2017-2021 për Sigurinë dhe Mbrojtjen 13 shtator 2017Qeveria e re e RSH mori detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencë. Nga programi qeverisës 2017-2021 veçojmë pjesën që ka lidhje me Sigurinë dhe Mbrojtjen...
Ministrja Kodheli në Ministerialin e Mbrojtjes në Bruksel 29 qershor 2017Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli në Bruksel ku mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO...
Angazhimi i FA gjatë përmbytjeve, nëntor 2016 8 - 13 tetor 2016FA u angazhuan me forca dhe mjete në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet që përfshinë pothuajse gjithë vendin...
Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2015-2016 2016Misionet, Modernizimi, Stërvitjet e Përbashkëta, Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ai civil-ushtarak dhe rekrutimet....
Kontributi i Forcave të Armatosura në infrastrukturë Shtator 2017Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura gjithmonë kanë treguar përkushtim dhe angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë civile...
Bëhuni pjesë e Forcave të Armatosura janar 2015Ministria e Mbrojtjes për vitin 2015 do të pranojë 500 ushtarë/detarë aktivë në radhët e FA. Prej këtij kontingjenti, 250 ushtarë/detarë aktivë do të pranohen në fazën e parë ndërsa pjesa tjetër në gjashtëmujorin e dytë...
Bashoku edhe ti! Bëhu pjesë e nismës, #shqiperiajoduhanit
Strategjia e Sigurisë Kombëtare Korrik 2015Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët...
Direktiva e Mbrojtjes 2017 Janar 2017 Dokumenti bazë mbi planet dhe programet e punës e të veprimtarive të MM, të FA në përmbushje të misionit kushtetues, si dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO...
Revista Mbrojtja Nr. 12 (2017) Dhjetor 2017Numri i fundit i revistës "Mbrojtja"...
Gazeta Ushtria 08 dhjetor 2017Numri i fundit i të përjavshmes gazeta "Ushtria"...






Arkivi Lajmeve
Dhjetor 2017
Ma En Pr Sh Di
27 28 29 30 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31