Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE)
Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) është një institucion qëndror, me statusin e personit juridik, publik, në varësi të Ministrit të Mbrojtjes, i cili ka si objekt të veprimtarisë kontrollin shtetëror mbi eksportin, importin, kalimin tranzit, transferimin dhe veprimtaritë ndërmjetësuese për mallrat ushtarake dhe mallrat e teknologjitë me përdorim të dyfishtë.
Military Export Import Company (MEICO)
Military Export Import Company (MEICO) është ndërmarje shtetërore në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo ndërmarje është krijuar në vitin 1991 dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura shqiptare dhe të institucioneve të tjera me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksporte të mallrave ushtarake të reja dhe stoqeve të ushtrisë shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake.
Qendra e Kulturës, Medias, Botimeve të Mbrojtjes, Muzeut të Forcave të Armatosura (QKMBMMFA)
Qendra e Kulturës, Medias, Botimeve të Mbrojtjes, Muzeut të FA është nën varësinë administrative e funksionale të ministrit të Mbrojtjes. Për përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj, në shërbim të Forcave të Armatosura, qendra merr dhe zbaton detyra edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm në raste situatash emergjente. Qendra përbëhet nga: Drejtoria e Kulturës, Medias dhe Botimeve si edhe Muzeu Ushtarak i FA.
Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD)
Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) është një institucion ndërdikasterial që ka për detyrë të sigurojë vëzhgimin e hapësirës detare shqiptare, për të realizuar organizimin, planëzimin, bashkërendimin dhe drejtimin e operacioneve në det, në përputhje me legjislacionin detar kombëtar dhe ndërkombëtar.
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM)
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) është institucion i cili organizohet dhe funksionon në mënyrë të centralizuar, si strukturë në nivel drejtorie të përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes, me struktura varësie në territoret ku kryejnë veprimtarinë Forcat e Armatosura, brenda dhe jashtë vendit sipas zonave të përgjegjësisë dhe zonave të interesit.
Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH)
Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH) është person juridik publik, në varësi të Ministrit të Mbrojtjes, dhe ka si qëllim planëzimin, organizimin, koordinimin dhe kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë. Ajo siguron koordinimin e përgjithshëm të operacioneve të shërbimit të kërkim-shpëtimit dhe mban kontakte të drejtpërdrejta me shërbimet homologe të shteteve të tjera. Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH kryen edhe rolin e Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit (RCC).
Arkivi i FA (AQFA)
Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura (AQFA) varet nga Ministria e Mbrojtjes. Ai ka bashkëpunim metodologjik - profesional me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit të Republikës së Shqipërisë.
