Ministria e Mbrojtjes - Arkivi 2008-2013

Afganistan, Operacioni ISAF drejtuar nga NATO

Në Korrik të vitit 2002, u angazhua kontingjenti i parë i FA, në kuadër të forcave të koalicionit kundër terrorizmit në operacionin ISAF, në Kabul dhe duke vijuar gradualisht rritjen e përfaqësimit dhe shumë llojshmërinë angazhimit në detyra, pothuajse në të gjitha Komandat Rajonale në Afganistan, si në Herat (Perëndimore), Masari e Sharif (Veriore), Shtabin Qendror ISAF në Kabul, Misionin Trajnues të NATO-s në Kabul dhe Herat, Ekipe OMLT në Kabul, Forca Speciale në Kandahar (Jugore) dhe Trajnues të Forcave Speciale në Wardak (Lindore). Deri tani përfaqësimi në këtë operacion është me 2944 ushtarakë.
I shprehur më konkretisht, sipas rajoneve dhe palëve me të cilat bashkëpunohet në këtë operacion është si më poshtë:

Kabul (në bashkëpunim me palën turke)

Kontingjentet janë përbërë nga një togë me 22 vetë dhe janë nxjerrë nga strukturat e Batalionit të Forcës Speciale, Brigadës së Reagimit të Shpejtë, si edhe reparteve të Komandës së Forcës Tokësore.

Deri në 18 Tetor 2012, kohë kur u përmbyll ky angazhim, FARSH ka angazhuar me mision në Kabul, duke vepruar në përbërje të kontingjentit të FA Turke, 440 ushtarakë.
 

Kabul (në kuadër të A-3)

Në korrik 2005 në kuadër të “Kartës së Adriatikut A-3”, FARSH angazhuan në mision një ekip prej 4 ushtarakësh, në Kabul, në përbërje të grupit të përbashkët mjekësor nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, nën komandën e trupës së Republikës Çeke.
Ekipi mjekësor shqiptar, përbëhej nga dy mjekë dhe dy infermierë. Në këtë mision morën pjesë 8 ekipe (rotacione), me gjithsej 32 ushtarakë, nga strukturat e BrRSH, KFB, SUQU dhe KM.

Herat (në bashkëpunim me palën italiane)

Gusht 2007, FARSH rrisin kontributin e pjesëmarrjes në operacionin ISAF, me një kompani nga strukturat e BrRSH, KFB, me 112 ushtarakë, në përbërje të kontingjentit italian në Herat.
Gusht 2009, FARSH shtojnë kontributin e pjesëmarrjes në operacionin ISAF, edhe me një  kompani nga strukturat e Regjimentit Komando, KFB me 110 ushtarakë, në përbërje të kontingjentit italian në Herat.
Duke filluar nga muaji korrik 2010, të dy këto kontingjente u riorganizuan në një të vetëm (por pa reduktuar numrin), me 222 ushtarakë.
Gjithsej deri tani janë angazhuar me mision në Herat, duke vepruar në përbërje të kontingjentit italian 1964 ushtarakë.
Aktualisht vazhdon kryerjen e misionit kontingjenti i 12-të, i riorganizuar, nga strukturat e Komandës së Forcës Tokësore.

Kandahar (në bashkëpunim me palën amerikane)

Gusht 2010, FARSH rrisin kontributin e pjesëmarrjes në operacionin ISAF, një kontingjent  nga Batalioni i Forcës Speciale, FT me 45 ushtarakë, në përbërje të BrZbFB 525, të SHBA, për pjesëmarrje në operacione luftarake.

Gjithsej deri tani janë angazhuar në këtë mision 134 ushtarakë.
Aktualisht, kryen mision kontingjenti i Eagle-4, i cili vepron në qytetin Spin Boldok, rajoni  Kandahar.
Mbështetja financiare e kontingjentit sigurohet nga pala shqiptare, ndërsa mbështetjen logjistike përfshi edhe transportin strategjik, për dërgimin e trupave në rajonin e operacionit e ka realizuar pala amerikane.  

Kabul (ekipi OMLT)

Gusht 2011, FARSH rrisin angazhimin në misionin ISAF, me një ekip OMLT (i përbashkët me Gardën Kombëtare të shtetit të New Jersey), prej 32 ushtarakësh nga të cilët 20 ushtarakë të përzgjedhur nga strukturat e FA.
Aktualisht, kryen mision kontingjenti i "Striking Eagle"-3, ekip i kombinuar shqiptaro-amerikan, i dislokuar në kampin “Black Horse”, Kabul, Afganistan, dhe ka marrë në patronazh për të trajnuar, mbështetur dhe zhvilluar një Batalion të Mbështetjes së Luftimit të Ushtrisë Kombëtare Afgane (UKA), për një periudhë 9 (nëntë) mujore sipas cikleve operacionale të trajnimit të UKA, me qëllim instruktimin, stërvitjen dhe shoqërimin në të gjithë procesin e përgatitjes së Batalionit të UKA, në të gjitha fushat e përgjegjësisë për zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive duke përfshirë procedurat e shtabit për operacionet në nivel batalioni, në operacionet luftarake që kryen ai, në përputhje me mandatin e ISAF (NATO).

Gjithsej deri tani janë angazhuar në këtë mision 60 ushtarakë.

Gjithashtu, në bashkëpunim me palën amerikane është duke u përgatitur kontingjenti i "Striking Eagle-4, por tanimë me emrin MAT-A (Ekip Ushtarak Këshillues, në Afganistan).

Transformimi dhe kalimi nga OMLT-A, në MAT-A, bazohet në ndryshimin e Konceptit  Operacional (NATO COPNOPS) për trajnimin e Ushtrisë Kombëtare Afgane, i cili do të kryhet në tre mujorin e dytë të vitit 2013, nëpërmjet kalimit gradual të përgjegjësive nga Ekipet OMLT-A te Ekipet MAT-A, që veprojnë në Komandat Rajonale në operacionin ISAF, të drejtuar nga NATO, në Afganistan.

Kontributi total i FARSH nga viti 2003 deri tani në operacionin ISAF, në Afganistan është 2944 ushtarakë.