Ministria e Mbrojtjes - Arkivi 2008-2013

Politikat e rekrutimit të ushtarëve profesionistë

Me kalimin e FASH në forcë tërësisht vullnetare profesioniste, është themelore që personeli i rekrutuar të ketë cilësitë më të larta për të shërbyer në Forcat e Armatosura. Do të rekrutojmë ushtarë profesionistë që kanë njohuritë e nevojshme në përputhje me kërkesat e pozicioneve të punës, në funksion të specialiteteve përkatëse, duke përmirësuar ndërkohë procedurat dhe praktikat e pranimit, duke u dhënë përparësi individëve me arsim më të lartë dhe me aftësi e cilësi unike për specialitete të veçanta.

Rekrutimi i ushtarëve profesionistë siguron prurje të rinjsh, gjë që është thelbësore për një Forcë të Armatosur për të funksionuar në mënyrë efiçente.

Rekrutimi për t’u bërë ushtar profesionist në Forcat e Armatosura do të ofrojë shanse të barabarta, mosdiskriminim për shkak të racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, përkatësisë fetare, si dhe pagë, përfitime dhe kompensime të tjera sipas veçorive të shërbimit ushtarak.

Rekrutimi i ushtarëve profesionistë për plotësimin e strukturave të Forcave të Armatosura do të bëhet në mënyrë të përqëndruar.

Rekrutimi i ushtarëve profesionistë për misionet dhe sfidat e reja që do të përballojnë Forcat tona të Armatosura do të bëhet duke ruajtur e zhvilluar balancat midis kërkesës për moshë mesatare sa më të re në Forcat e Armatosura dhe nevojës për të qëndruar më gjatë se deri tani në shërbimin ushtarak; raporte të arsyeshme midis forcave operacionale e forcave mbështetëse; midis strukturave të shtabeve me trupën, me qëllim përzgjedhjeje sa më efektive nga kontingjenetet që aplikojnë për të shërbyer në Forcat e Armatosura. Personeli ushtar profesionist femër në Forcat e Armatosura do të përbëjë deri 15 % të numrit të përgjithshëm të tyre dhe për çdo strukturë veç e veç, në funksion të misioneve dhe detyrave sipas niveleve operacionale të kërkuara.

Përzgjedhja e elementeve më të përshtatshëm do të bëhet mbi bazën e testimeve për gjendjen shëndetësore, aftësitë fizike dhe intelektuale sipas standardeve e procedurave të përcaktuara për këtë qëllim. Shtabi i Përgjithshëm i FA do të rishikojë testet në Nëntor të çdo viti dhe do t’i përshtasë ato në përputhje me realizimin e nevojave të forcës për personel. Duke filluar nga viti 2012, do të zgjerojmë gjithashtu kategoritë e testit intelektual për të matur aftësitë individuale plotësuese sipas kërkesave për çdo specialitet.

Kontrata e shërbimit për ushtarët profesionistë është përgjegjësi e institucionit të Forcës së Armatosur, e përfaqësuar nga nivelet përkatëse të komandimit. Për këtë do të zhvillohen e miratohen procedura standarde sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

Politikat dhe Procedurat Standarde për rekrutimin e ushtarëve profesionistë në FA në format pdf.

Dokumenti i plotë ka këtë përmbajtje:
1. Politikat e rekrutimit të ushtarëve profesionistë
2. Përgjegjësitë dhe procedurat e rekrutimit të ushtarëve profesionistë
    2.1. Përgjegjësitë e strukturave
    2.2. Procedurat e planifikimit
    2.3. Kriteret për rekrutimin e ushtarëve profesionistë
    2.4. Procedurat e aplikimit për ushtar profesionist
    2.5. Dokumentet e nevojshme për regjistrimin e kandidatëve për ushtarë profesionistë
    2.6. Kontrolli, përzgjedhja dhe pranimi për ushtarë profesionistë
    2.7. Procedura e zgjidhjes së ankesave
    2.8. Procedurat e titullimit dhe emërimit të ushtarit profesionist