Ministria e Mbrojtjes - Arkivi 2008-2013

Niset me mision në Afganistan kontingjenti “Eagle-8”

24 janar 2014

Foto Galeri

b_210_140_16777215_00___images_galeria_2014_Janar_24_00.jpgSot paradite në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr u zhvillua ceremonia e nisjes me mision në Kandahar të Afganistanit e kontingjentit “Eagle-8”.
Në përcjelljen e trupave paqeruajtëse ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Berdo, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të zyrës së ODC, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve etj.

Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, trupat paqeruajtëse dhe të pranishmit e tjerë në këtë ceremoni i përshëndeti ministrja e Mbrojtjes Kodheli. “Pjesëmarrja juaj në këtë mision, është demonstrim i angazhimit tonë kombëtar për të kontribuar në përfundimin e misionit të Aleancës në Afganistan”, theksoi, ndër të tjera, znj. Kodheli. Në vijim të fjalës së saj ministrja Kodheli shprehu vlerësime të larta për trupat tona paqeruajtëse, sidomos për kontingjentet “Eagle” që operojnë në teatrin e operacioneve luftarake në Kanadahar, përkrah forcave amerikane,  si dhe mirënjohjen e saj për kontributin që kanë dhënë dhe japin aleatët tanë dhe veçanërisht SHBA për mbështetjen e pakursyer të këtyre kontingjenteve. Ministrja Kodheli ka falënderuar edhe familjarët e paqeruajtësve për mbështetjen që u kanë dhënë atyre për përmbushjen me sukses të misionit të tyre fisnik.

Kontingjenti “Eagle-8” ka në përbërje të tij 50 ushtarakë, efektivë të kompanisë së Aksioneve Speciale Ujore të batalionit të Forcave Speciale. Misioni i këtij kontingjenti është kryerja e detyrave në zonën e operacionit luftarak ISAF në Kandahar të Afganistanit. Ky kontingjent do të angazhohet në kryerjen e detyrave së bashku me forcat ushtarake amerikane që veprojnë në këtë zonë.

Në përfundim të ceremonisë, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli i dorëzoi Flamurin Kombëtar komandantit të Kontingjentit “Eagle-8”, major Agron Kuta.

 

Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes Kodheli në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit “Eagle - 8” me mision në Afganistan

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të kontingjentit “Eagle - 8”,
Të nderuar familjarë të misionarëve,
Të nderuar gjeneralë,
Të nderuar atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë,
Të nderuar të pranishëm në këtë ceremoni,


Është bërë tashmë traditë që nga ky shesh të mblidhemi së bashku për të përcjellë kontingjentet tona ushtarake, si pjesë e kontributit që Forcat tona të Armatosura japin në kuadër të Aleancës, në Afganistan.

Kjo e sotmja, është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, veçanërisht për ju pjesëtarë të këtij kontingjenti dhe për familjet tuaja. Pjesëmarrja juaj në këtë mision, është demonstrim i angazhimit tonë kombëtar për të kontribuar në përfundimin e misionit të Aleancës në Afganistan.

Ndaj që në krye të herës dëshiroj t’ju falënderoj të gjithë ju që po niseni në këtë mision dhe përmes jush, të gjithë ata djem dhe vajza të FA që, prej më shumë se 10 vjetësh, janë rreshtuar përkrah aleatëve si të barabartë me ta, për të shërbyer atje ku paqja dhe siguria janë në rrezik. Ju jeni dhe do të mbeteni pjesa më vitale e Forcave tona të Armatosura.

Ashtu si kontingjentet e mëparshme, të cilat kanë demonstruar vlerat më të larta profesionale dhe njerëzore në shërbim të paqes dhe sigurisë, shpesh duke vënë në rrezik edhe jetën, jam e bindur se edhe ju me performancën, profesionalizmin dhe sakrificën tuaj do ta lartësoni edhe më shumë emrin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të Forcave tona të Armatosura.

Ju siguroj se, për kontributin që jepni, mirënjohja jo vetëm e lidershipit politik dhe ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, por e gjithë shoqërisë, do t’ju shoqërojë gjithmonë.

Më lejoni, të dashur misionarë të sjell në vëmendjen tuaj një shprehje, që më shumë se kujtdo tjetër, juve ju përshtatet shumë. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB, në vitet 1953-1961, ka thënë “paqeruajtja nuk është një punë për ushtarët, por vetëm ushtarët mund ta bëjnë atë”.

Edhe pse, si kontingjent i Forcave Speciale, ju jeni të trajnuar dhe organizuar kryesisht për të kryer operacione luftarake, ky trajnim dhe organizim ju jep një aftësi unike për të ndërmarrë disa prej funksioneve që përfshihen në çdo lloj tjetër të operacioneve të stabilitetit.

Në këtë kontekst, në kushtet e një vendi i cili është duke u përpjekur për të mos u gjunjëzuar në prag të kaosit, apo duke luftuar për të kthyer paqen dhe stabilitetin, kontributi juaj së bashku me atë të vendeve të tjera të Aleancës është i paçmueshëm.

Në këtë ditë të veçantë duhet të bashkohemi në mirënjohjen e thellë për veprën e dëshmorit të atdheut kapiten Feti VOGLI i cili ra, si hero, në krye të detyrës, duke iu shtuar plejadës të mijëra dëshmorëve të cilët nuk kursyen as jetën për vendin, paqen, lirinë dhe vlerat më të larta humane, gjatë këtyre 101 vjetëve të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe Forcave të Armatosura.

Të nderuar familjarë të ushtarakëve të kontingjenti “Eagle - 8”,

Jam e ndërgjegjshme se ju jeni garancia dhe mbështetja më e madhe që bijtë dhe vëllezërit tuaj të përmbushin me sukses misionin e ngarkuar, ndaj dëshiroj shumë sinqerisht t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen që ju i jepni bijve dhe familjarëve tuaj dhe njëkohësisht t’ju garantoj se jo vetëm misionarët por dhe ju do të keni përkujdesjen dhe mbështetjen tonë të pakursyer.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot ne vlerësojmë rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm dhe u shprehim mirënjohjen tonë të thellë, vendeve aleate, veçanërisht qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e pakursyer që u kanë dhënë dhe vazhdojnë t’u japin këtyre kontingjenteve, jo vetëm në fushën e trajnimit me stërvitjet para dislokuese, por gjithashtu, për besimin, vlerësimin dhe bashkëpunimin që ofrojnë edhe në teatrin e operacioneve në Afganistan.

Ne ndihemi krenarë të jemi përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në operacionet paqeruajtëse dhe do të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen, për të përfunduar kësisoj një operacion që e kemi nisur së bashku.

Prania e FA të Shqipërisë në këto misione, ka shërbyer, përveç të tjerash edhe si një indikator i rëndësishëm i testimit të kapaciteteve të njësive tona për të kryer misione në një mjedis të komplikuar sigurie, në përbërje të një forcë shumëkombëshe. Në këtë kontekst, nuk ka se si të mos ndihemi mirë kur dëgjojmë vlerësimin e lartë që aleatët tanë shprehin për performancën e forcave tona. Kjo, padyshim, na e shton edhe më shumë ndjenjën e përgjegjësisë dhe detyrimin të vazhdojmë të jemi në të tilla standarde edhe në të ardhmen. Këtë do të kërkoja edhe nga ju, të dashur efektivë të këtij kontingjenti.

Të nderuar ushtarakë që niseni në këtë mision,

Këto 23 vitet e fundit Forcat e Armatosura janë angazhuar në një sërë detyrash për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe me gjerë, ndaj dhe sot jemi krenarë për traditën e krijuar dhe përvojën e përfituar.

Si ministër i Mbrojtjes dëshiroj t’ju siguroj se qeveria është e vendosur t’ju mbështesë në rrugën e përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, modernizimin e pajisjeve, si dhe për krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore duke vendosur në ekuilibër resurset në dispozicion me nevojat gjithnjë në rritje. Ende mbetet shumë për t’u bërë, por është me rëndësi të theksojmë se ju keni atë çka nevojitet për të përmbushur misionin e ngarkuar. Ju keni kapacitete të plota operacionale, jeni të stërvitur njësoj si në kushtet e luftës dhe çka është më e rëndësishmja ju keni vullnetin për t’i dalë ballë detyrave tuaja.

Jam e bindur që edhe ju do të vazhdoni me vendosmëri në rrugën pa kthim, për të përfaqësuar denjësisht Forcat e Armatosura dhe vendin tonë si një vlerë e shtuar në Aleancë.

Ju përshëndes të gjithëve, ju dhe familjarët tuaj! Dalshi faqebardhë dhe u kthefshi shëndoshë e mirë!

Së fundi, dëshiroj, tashmë jo si ministre, të përshëndes fëmijët tuaj dhe t’ju them se, këto 6 muaj do të kalojnë shumë shpejt, dhe sapo të keni mbaruar vitin shkollor, baballarët tuaj do të jenë pranë jush. Të jeni krenarë për etërit tuaj.

Ju faleminderit të gjithëve.