Ministria e Mbrojtjes - Arkivi 2008-2013

Si të rekrutohem

Me kalimin e FASH në forcë tërësisht vullnetare profesioniste, është themelore që personeli i rekrutuar të ketë cilësitë më të larta për të shërbyer në Forcat e Armatosura. FA do të rekrutojë ushtarë profesionistë që kanë njohuritë e nevojshme në përputhje me kërkesat e pozicioneve të punës, në funksion të specialiteteve përkatëse, duke përmirësuar ndërkohë procedurat dhe praktikat e pranimit, duke u dhënë përparësi individëve me arsim më të lartë dhe me aftësi e cilësi unike për specialitete të veçanta.
Rekrutimi për t’u bërë ushtar profesionist në Forcat e Armatosura do të ofrojë shanse të barabarta, mosdiskriminim për shkak të racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, përkatësisë fetare, si dhe pagë, përfitime dhe kompensime të tjera sipas veçorive të shërbimit ushtarak.
Rekrutimi i ushtarëve profesionistë për plotësimin e strukturave të Forcave të Armatosura do të bëhet në mënyrë të përqëndruar.
Përzgjedhja e elementeve më të përshtatshëm do të bëhet mbi bazën e testimeve për gjendjen shëndetësore, aftësitë fizike dhe intelektuale sipas standardeve e procedurave të përcaktuara për këtë qëllim. Shtabi i Përgjithshëm i FA do të rishikojë testet në nëntor të çdo viti dhe do t’i përshtasë ato në përputhje me realizimin e nevojave të forcës për personel. Duke filluar nga viti 2012, do të zgjerohen gjithashtu kategoritë e testit intelektual për të matur aftësitë individuale plotësuese sipas kërkesave për çdo specialitet.

Kriteret e pranimit:

Shtetësia:   Shqiptare
Mosha:        19-30 vjeç
Arsimi:       i mesëm ose i lartë
Gjatësia:    djemtë mbi 165 cm,  vajzat mbi 161 cm
I aftë nga ana shëndetësore i vlersuar nga Spitali Ushtarak Qendror Universitar në Tiranë.    
Të mos jetë dënuar nga gjykata për vepër penale.
Të mos ketë humbur të drejtën e ushtrimit të profesionit ose veprimtarisë në administratën publike me vendim gjykate.
Të kalojë me sukses testin fizik dhe atë intelektual.

Dokumentacioni për aplikim:

Kërkesë me shkrim, në të cilën parashtrohet shkurtimisht origjina e familjes, gjendja shoqërore, arsyet për të cilat dëshiron të bëheni ushtar profesionist, njësia apo reparti në të cilin do t’ju pëlqente për të shërbyer, prirjet në fusha të caktuara etj.

  • Fotokopje e Kartës së Identitetit.
  • Certifikatë familjare.
  • Fotokopje e dëftesës së arsimit të mesëm, fotokopje e diplomës të shkollës së lartë (nëse keni) e fotokopjuar, e noterizuar dhe  e cikluar nga drejtoria arsimore e rrethit.
  • Dokument për aftësitë profesionale (nëse keni).
  • Vërtetim nga prokuroria që nuk jeni në proces hetimi penal.
  • Dëshmi e penalitetit.
  • Vërtetim nga gjykata që nuk jeni në proces gjykimi penal.
  • Raport mjeksor nga Spitali Ushtarak.
  • Fotografi me ngjyra, 2 copë 4 X 6 cm dhe 2 copë 9 X 12 cm.

Shtetasit që kërkojnë të aplikojnë për Ushtar Profesionist duhet të drejtohen pranë Qendrave të Rekrutimit të cilat ndodhen në nivel qarku. Në Qendrën e Rekrutimit kandidati dorëzon:
 
  • dokumentacionin e nevojshëm për aplikim,
  • plotëson Formularin e Aplikimit Nr.1 (shkarko formularin në formatin pdf)
  • pyetësorin për aplikim për Ushtar Profesionist në FARSH (shkarko pyetësorin në pdf)
 
Pas verifikimit paraprak Qendra e Rekrutimit përcjell dokumentacionin pranë Qendrës së Personel Rekrutimit. Nëse dokumentacioni që keni paraqitur vlerësohet i rregullt Qendra e Rekrutimit ku keni aplikuar do t’ju njoftojë për datën e paraqitjes për të vijuar më tej me procedurën e testimit fizik dhe intelektual.

Harta e qendrave të rekrutimit sipas qarqeveTestimi fizik dhe ai intelektual kryhet në Qendrën e Personel Rekrutimit (në hartën ngjitur do gjeni QPR të shpërndara sipas qarqeve). Aplikantët rekrutohen si Ushtar Profesionist me kusht që ta kalojnë me sukses procesin e verifikimit dhe më pas atë të testimit. Në Qendrën e Personel Rekrutimit kandidati do t'i nënshtrohet testit fizik dhe intelektual si dhe intervistës.

Testi   fizik është i ndarë sipas grupmoshave dhe sipas gjinisë. Synimi është që kandidati të arrijë minimumin 60 pikë për çdo  disiplinë. Nëse kandaidati nuk merr testin fizik ai skualifikohet.
Testi fizik përfshin:

  • Ulje-Ngritje mbi forcën e krahëve
  • Palosje-Shpalosje (Muskuj barku)
  • Vrapim në distancën 3240 metra

Testi Kualifikues i Forcave të Armatosura (TKFA) përcakton nivelin e përgjithshëm të njohurive të kandidatit për Ushtar Profesionist. TKFA përfshin dy pjesë përllogaritje matematikore dhe dy pjesë në leximin dhe kuptimin e fjalëve e paragrafëve.

  • Arsyetim aritmetik                     30 pyetje
  • Njohja e kuptimit të fjalëve   35 pyetje
  • Të kuptuarit e paragrafeve      15 pyetje
  • Njohuri matematikore              25 pyetje

Në total, 105 pyetje dhe 155 pikë
Minimumi i pikëve për t’u kualifikuar është 78.

Përzgjedhja
Intervista  është pjesë e procedurave të përzgjedhjes, nëpërmjet saj komisioni i pranimit vlerëson motivimin, përvojën si  dhe aftësitë     komunikuese dhe ndërpersonale të kandidatit.
Qendra e Personel Rekrutimit udhëhiqet nga parimi “Rekrutim i elementëve më të mirë për një Forcë Profesioniste”, mbi këtë bazë bëhet listimi i kandidaturave fituese për ushtar profesionist sipas kuotave numerike të     listuara sipas rendit zbritës të klasifikimit.
Pas shpalljes fitues dhe marrjes së emërimit në një nga njësitë e Forcave të Armatosura Rekruti do të marrë pjesë në Stërvitjen Bazë e cila zhvillohet në Qendrën e Stërvitjes Individuale në Bunavi, Vlorë.